7.8 C
Prizren
E diel, 15 Shkurt, 2026

Pamje të dhomës që i burgosuri ndërtoi për vete në burgun e Prizrenit

Nezir Kryeziu, i cili më 25 tetor të vitit të kaluar u dënua me 9 vjet e 10 muaj burg për tejkalim të vetëmbrojtjes dhe vrasje në tentative, ngase akuzohej se vrau një person dhe plagosi një tjetër, është personi i cili ndërtoi një dhomë private brenda institucionit të burgut në Prizren.

Kryeziu, ndërtimin e kësaj dhome banimi të ndarë nga të burgosurit tjerë, e cila gjendet në oborrin e Qendrës së Paraburgimit në Prizren e bëri në bashkëpunim me zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Dhoma qe i burgosuri ndertoi per vete ne burgun e Prizrenit1

Nezir Kryeziu akuzohej se në shkurtin e vitit 2011 në zyrën e firmës ‘’Malik Impex’’ në Prizren, ka vrarë 22- vjeçarin Burim Shabani, ndërsa ka plagosur edhe babanë e tij Xhavit Shabanin, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Prokuroria e EULEX-it ngarkonte këtë 52 vjeçar nga Suhareka se qëlloi me shtatë plumba të ndjerin Shabani, njëri prej të cilëve e goditi viktimën në kokë.

Me të njëjtën armë, sipas prokurorisë, Kryeziu gjuajti në drejtim të Xhavit Shabanit, babait të të vrarit, të cilin e qëlloi me dy plumba: njërin rrëshqitas në kokë, e tjetrin në kraharor, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Incidenti dyshohet se ka ndodhur për një borxh material. Në njërën nga seancat e mbajtura të shqyrtimit kryesor, i akuzuari Kryeziu i kishte thënë trupit gjykues se bëhej fjalë për një borxh prej rreth 650 mijë eurosh, të cilin i dëmtuari Xhavit Shabani obligohej t’ia kthente të akuzuarit.

Kallxo.com përcolli këtë gjykim, ku mund ta shihni videon, në të cilën shihet i akuzuari Kryeziu.

Rasti i Kryeziut dhe rasti i një të dënuari tjetër i cili ishte i privilegjuar në këtë qendër korrektuese, të cilit nga 40 kërkesat për vizitë në shtëpi i ishin refuzuar vetëm tri të tilla. Vizitën e fundit ky i burgosur e kishte shfrytëzuar për arratisje nga burgu.

Këto parregullsi në burgun e Prizrenit, bën që të ndërmerren masa ndaj zyrtarëve të Qendrës së Paraburgimit në Prizren.

Emrush Thaçi, drejtori i përgjithshëm Shërbimit Korrektes të Kosovës, deri më tani ka suspenduar shtatë zyrtarë të shërbimit korrektues në Prizren.

Ministria e Drejtësisë, më 27 gusht po ashtu njoftoi se në vazhdën e zhvillimeve në Shërbimin Korrektues të Kosovës, Drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren ka paraqitur dorëheqjen nga pozita e Drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren. Akti i dorëheqjes i është dorëzuar Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Emrush Thaçi.

“Drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, sipas komunikatës së lëshuar nga Ministria e Drejtësisë, aktin e dorëheqjes e ka marrë si hap personal për rrethana personale-shëndetësore, gjithashtu duke marrë për bazë zhvillimet në institucionin me të cilin ka udhëhequr” thuhej në komunikatë.

I kontaktuar nga Kallxo.com, drejtori i kësaj qendre korrektuese Ilir Gutaj, tha se nuk ka të drejtë prononcimi.

Parregullsitë në burgun e Prizrenit më 29 gusht e detyruan ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçin që ta vizitojë këtë qendër të paraburgimit.

Kuçi, premtoi se në bashkëpunim me udhëheqësit e qendrës do të zgjidhin problemet që ndodhën kohëve të fundit në burgun e Prizrenit, duke siguruar që ato nuk do të përsëriten më.

Për shumë parregullsi në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në vitin 2012 pati hulumtuar dhe raportuar Gazeta Jeta në Kosovë.

Një vit pas raportimi të të Gazetës Jeta në Kosovë se në qendrën e paraburgimit të Prizrenit ishin lejuar substanca narkotike, ushqim dhe kartela telefonike, qeveria njoftoi se drejtori dhe zëvendësdrejtori i këtij institucioni janë ulur në pozita dhe se janë shqiptuar vërejtje dhe qortime për zyrtarë të tjerë.

Drejtori i qendrës së paraburgimit të Prizrenit Miftar Ziba dhe zëvendësi i tij Shaban Kamberaj, atëkohë qenë degraduar në pozitën e udhëheqësit për vizita, përkatësisht udhëheqësit për pranimin dhe lirimin e të burgosurve. /Kallxo.com/

Më Shumë

Prokuroria nis hetimet ndaj anëtarëve të QNR-së në Dragash

Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetime me vetiniciativë lidhur me procesin e rinumërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash. Hetimet...

Arrest shtëpiak për 15 të dyshuar për manipulim votash në Dragash dhe Suharekë

Gjykata Themelore në Prizren ka mbajtur më 10 dhe 11 shkurt katër seanca dëgjimore lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore për caktimin e masave...

Derbi në Prizren

Lajmet e Fundit