3.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Parimet tona janë shtetformuese

IlirDeda-analist“Lëvizja Vetëvendosje i ka prezentuar me shkrim parimet bazë të përmbledhura në dokumentin për kornizat politike e operative të qeverisë emergjente. Po i presim me shkrim përgjegjet e bllokut LDK/AAK/Nisma për 9 pikat bazë që ndërlidhen me dialogun me Serbinë, dhe 11 pikat bazë që ndërlidhen me ekonomi e sundim të ligjit”, ka thënë Ilir Deda, në intervistën për Tribuna

Ilir Deda, aktivisti shumëvjeçar i shoqërisë civile, nga mandati i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës, në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, pritet të jetë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje. Ndryshe prej shumë të aderuarve në parti tjera politike, Deda ka arritur që nga numri 100 sa ishte i renditur në listën VV-së, të jetë në mesin e pesë më të votuarve në lëvizjen e Albin Kurtit.

Në intervistën për Tribuna, Deda sqaron parakushtet politike që blloku i partive LDK, AAK dhe Nisma duhet t’i plotësojnë që të sigurojnë qoftë mbështetjen në Kuvend apo edhe inkuadrimin e Vetëvendosjes në koalicionin me këto parti politike. Qeverinë e ardhshme ai e sheh si emergjente, përderisa kritikon vendimin e presidentes Atifete Jahjaga që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në lidhje me rrugën kushtetuese të formimit të institucioneve të reja. Më poshtë, botojmë në tërësi intervistën me Ilir Dedën.

Tribuna: Fillimisht, si e shihni ju rrugëzgjidhjen e ndërtimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit dhe cili mund të jetë roli i Vetëvendosjes në këtë drejtim?
Ilir Deda: Lëvizja Vetëvendosje e ka dhënë qëndrimin e vet trepikësh dhe po punon drejt arritjes së qëllimit të publikuar që nga data 9 qershor që është shumë i qartë – nuk ka qeveri Thaci III. Vetëvendosje do ta përkrahë qeverinë emergjente dyvjeçare që e çliron shtetin nga kapja e krimit të organizuar dhe e zhvillon demokracinë dhe ekonominë në Kosovë nëse blloku LDK/AAK/NISMA i pranon parimet e prezantuara nga ne për dialog, ekonomi dhe sundim të ligjit. Dhe në fund, nëse arrihet pajtueshmëria për këto parime, atëhere mund të bisedohet edhe për pjesëmarrjen eventuale të Lëvizjes Vetëvendosje në qeverinë emergjente. Natyrisht që ne nuk jemi kundër dialogut në parim, por konsiderojmë se duhet të ketë disa parime në të cilat bazohet ky dialog. Aktualisht jemi në fazën e dytë të bisedimeve me partitë e koalicionit dhe po përpiqemi të arrijmë përputhshmëri në qëndrimet tona për ndryshimin e kahjes së dialogut të deritashëm me Serbinë dhe ndaljen e privatizimit.

Tribuna: Do të pranojë Vetëvendosje t’i pezullojë parakushtet që i ka në raport me bllokun LDK, AAK e Nisma lidhur me dialogun me Serbinë, për hir të bërjes së qeverisë së re?
Ilir Deda: Lëvizja Vetëvendosje i ka prezentuar me shkrim parimet bazë të përmbledhura në dokumentin për kornizat politike e operative të qeverisë emergjente. Po i presim me shkrim përgjegjet e bllokut LDK/AAK/Nisma për 9 pikat bazë që ndërlidhen me dialogun me Serbinë, dhe 11 pikat bazë që ndërlidhen me ekonomi e sundim të ligjit. Lirisht mund t’ju them që dokumenti ynë është shtetformues, e forcon shtetësinë e Kosovës dhe e ruan partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, si dhe e lufton korrupcionin e krimin e organizuar dhe mëton ta zhvillojë ekonomine e Republikës tonë. Këto parime nuk do të pezullohen, sepse ne nuk duam që Kosova të drejtohet njejtë si gjatë kohës së Thaçit, dhe nuk shohim ndryshim nëse mendësia dhe veprimi i njejtë politik instalohet “për hir të qeverisë” së re, e ne jemi për ndryshim.

Tribuna: Po, a mund të jetë Vetëvendosje pjesë e qeverisë së ardhshme të bllokut “opozitar”?
Ilir Deda: Kjo ka të bëjë me pranimin e parimeve qeverisëse të sipërpërmendura, që pastaj na shpien te faza e tretë e dialogut të Lëvizjes Vetëvendosje me LDK/AAK/NISMA që ka të bëjë me programin e qeverisë së ardhshme. Gjithashtu, edhe nëse hipotetikisht arrihet pajtueshmëria në fazën e tretë – atëherë janë tre rrathë të vendimmarrjes në Lëvizjen Vetëvendosje – ai i kryesisë, këshillit të përgjithshëm dhe referendumit të anëtarësisë – që është vendimmarrja më demokratike i ndonjë subjekti politik në Kosovë.

Tribuna: Në rast të ngërçit politik, sa mund të rrezikojë Kosova të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme?
Ilir Deda: Kjo nuk është pyetje për ne. Ne duam të shohim një qeveri përgjegjëse nacionale e cila do ta ndalë rrëshqitjen e Kosovës drejt kolapsit. Duhet të shohim edhe si do të ecë dialogu jonë me LDK, AAK, NISMA dhe çfarë vendimi do ta marrë Gjykata Kushtetuese. Përndryshe, ne jemi të gatshëm edhe për zgjedhje të parakohshme.

Tribuna: Si e keni parë ju rolin e presidentes dhe kërkesës që i drejtoi Gjykatës Kushtetuese për interpretimet e nevojshme kushtetuese?
Ilir Deda: Presidentja e ka marrë një qëndrim të nxituar, sepse procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar. Gjithashtu, nëse e lexojmë nenin 84 të Kushtetutës i cili është jashtëzakonisht i qartë se kë e mandaton presidentja për formim të qeverisë së re – atë që e ka shumicën parlamentare në Kuvend. Ky hap i saj mund të ndihmojë qeverinë në largim, që do të ishtë dëm shumë i madh. E gjithë kjo nguti po shkaktohet për shkak të mosmarrjes së përgjegjësisë kushtetuese nga ana e presidentes, që është për keqardhje të madhe.

Tribuna: Ju jeni, kushtimisht thënë, “fytyrë e re” e Vetëvendosjes në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës. Cilat konsideroni se do jenë angazhimet kryesore apo risitë që mund t’i ofroni në angazhimin tuaj politik në petkun e kësaj lëvizje politike?
Ilir Deda: Unë edhe këtë herë po e shfrytëzoj rastin t’i falënderohem të gjithë votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të gjithë qytetarëve që më votuan mua që t’i përfaqësoj në Kuvendin e Kosovës. Në Kuvend do t’i ngris të gjitha çështjet me interes të qytetarëve, me të cilët do të konsultohem rregullisht, si dhe do të shohim cila do të jetë ndarja e detyrave dhe përgjegjësive në grupin parlamentar, që do të bëhet me konstituimin e Kuvendit dhe komisioneve parlamentare. I zëshëm do të jem si deri më tani, por jo më vetëm, por së bashku më një ekip të shkëlqyer të Vetëvendosjes.

Më Shumë

Nektari i luginës së harruar

Enver Sulaj Unë nuk mund të hyj në vetminë tënde As në trishtimin tim në ditën e kryqëzimit Kur turma ulërinte drejt qiellit skëterrë. Unë nuk mund ta...

Sonte El Clasico — mund të përcaktohet titulli i kampionit

La Liga, një nga ligat më atraktive në futbollin evropian, vjen sonte me ndeshjen më të madh të këtij sezoni. Dy rivalët e përbetuar, Real...

Lajmet e Fundit