13.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Paskal Milo: Zogu, pakt me serbët për të shpërngulur shqiptarët e Kosovës

Paskal Milo“Politika e jashtme e Shqipërisë” është titulli i librit të prof.Paskal Milos që promovohet sot para lexuesit. Studimi përfshin vitet 1912-1939, me zhvillimet kryesore dhe mënyrën se si Shqipëria e sapo bërë shtet u shfaq në arenën ndërkombëtare.
Çështjet më të debatuara, emrat më të njohur të historisë sonë risillen të zhveshur nga legjendat, për t’u prezantuar nën dritën e dokumenteve dhe analizës së ftohtë e objektive. Vetë profesor Milo, në intervistën e tij për “Gazeta Shqiptare” veçon dy momente si risi: një marrëveshje e Zogut me serbët për të shpërngulur shqiptarët e Kosovës nga zonat kufitare shqiptaro-jugosllave dhe rënien e mitit të presidentit Wilson si mbrojtës i pakusht i kufijve që Shqipëria ka sot.
Politika e jashtme e Shqipërisë, nga 1912 deri më 1939; si mund ta përkufizoni shfaqjen e saj në arenën ndërkombëtare?

Që nga shpallja e Pavarësisë e deri në pushtimin e vitit 1939, kemi një shtet shqiptar që për një periudhë kohe u përpoq të ecë me këmbët e veta, pati një progres, si në zhvillimet e brendshme ekonomike, politike, edhe në marrëdhëniet me jashtë. Në një politikë të jashtme të një shteti si Shqipëria, e vogël, e varfër dhe e rrethuar nga mjaft vende që lakmonin territoret e saj, sigurisht që ka pasur shumë vështirësi. Përgjithësisht, nuk ka pasur vendimmarrje të pavarur, edhe pse mund të ketë pasur dëshirë, që në politikën e jashtme, shteti shqiptar të kryente veprime në emër të objektivave madhorë, për të mbrojtur lirinë, pavarësinë e sovranitetin. Por, Shqipëria e vogël nuk ka pasur instrumente që të kundërshtojë vendimet e Fuqive të Mëdha apo përpjekjet e fqinjëve. Ajo ka pasur patriotizmin dhe revoltën e shqiptarëve për të mbrojtur trojet e tyre, por jo instrumentet e politikës së jashtme që të përballonte gjithë këtë trysni. Nëse do të bënim një karakterizim të përgjithshëm për këtë periudhë, ka qenë një politikë e jashtme e një shteti që ecte dy hapa përpara, rrëzohej, ngrihej, derisa u mendua se u rrit dhe mund të ecte me këmbët e veta. Pikërisht në këtë moment e rrëzuan, e pushtuan, e sakatuan për të rilindur disa vite më vonë.
Ju keni trajtuar disa qeveri në këtë hark kohor. Cila prej tyre ka pasur politikë të jashtme që u ka shërbyer më shumë interesave të vendit?
Do të jem i drejtpërdrejtë. Nëse do të bëja një klasifikim në përputhje me vullnetin politik të drejtuesve të shtetit shqiptar për këtë periudhë, pavarësisht nga koha e qëndrimit të tyre në pushtet, padyshim që vlerësimi më i madh shkon në adresë të Ismail Qemalit, sepse ishte ai personalitet i madh i historisë së kombit tonë, që kapi momentin historik si një diplomat i madh dhe politikan i shquar, për të kryesuar atë lëvizje të madhe drejt finalizimit të saj me shpalljen e pavarësisë. Ishte po ky shtetar me përvojë që vendosi themelet e politikës së jashtme të shtetit shqiptar dhe që bashkë me disa diplomatë të tjerë të ish-Perandorisë Osmane, të njihen si pionierë të diplomacisë shqiptare.
Pas tyre kanë ardhur të tjerë që kanë qëndruar më gjatë në pushtet, si Ahmet Zogu, i cili kishte një përvojë jo të vogël në makinacionin politik të kohës, ishte i pajisur me aftësi dhe vullnet që e tejkalonte intrigën dhe ambicien e një politikani të zakonshëm. Në politikën e jashtme të shtetit shqiptar që drejtoi për gati 15 vjet, ka momente pozitive ku ai u përpoq të orientohej drejt, por në përgjithësi politika e jashtme e tij ka qenë pa një bosht, gjithnjë e udhëhequr nga interesa e synime personale, e nënshtruar, një politikë e cila nuk i krijonte Shqipërisë mundësi për të pasur mbështetje ndërkombëtare, sepse mbeti peng i përpjekjeve për ta vënë atë në funksion të forcimit të pushtetit brenda dhe absolutizimit të tij.

A kishte diplomatë të zotë Shqipëria e kohës?

Do të thosha që në historinë politike e diplomatike, Shqipëria ka pasur individë të shquar, diplomatë të zotë, që ishin të tillë jo vetëm për nga përgatitja. Disa ishin profesionistë të mirëfilltë, të shkolluar në shkolla prestigjioze, që me veprën e tyre kanë lënë një emër të nderuar. Unë mund t’iu them pa mëdyshje që Mit’hat Frashëri ka qenë diplomat shumë i mirë dhe ka një prodhimtari të bollshme diplomatike që është e pasqyruar në arkivat tona.
Një diplomat tjetër i mirë ka qenë Rauf Fico, i cili ishte ndër më të mirët në vitet 1920-1930. Ka pasur edhe të tjerë të këtij rangu, apo pak më poshtë, por këta njerëz jo gjithnjë kanë pasur mundësinë të shfaqin talentin e aftësinë e tyre, sepse ishin të detyruar të shërbenin dhe të ndiqnin direktivat e një sovrani si Zogu. Ky i fundit, gjykonte shkallën e angazhimit që duhej të kishte Shqipëria me shtetet e tjera, në kohën kur e gjithë vëmendja ishte e orientuar nga raportet me Italinë. Ishin ato që përcaktonin edhe klimën e përgjithshme në politikën e jashtme të shtetit shqiptar.
Sa kohë që Zogu e kishte mirë me Italinë dhe Musolini i plotësonte kërkesat, marrëdhëniet me shtetet e tjera nuk kishin rëndësi, qofshin edhe Fuqitë e Mëdha. Ndërsa, nëse i priteshin burimet nga Roma, ose kur Roma filloi të përshpejtojë vënien e Shqipërisë nën vete, Zogu u përpoq të gjente rrugëdalje për mbijetesë. Ai u mundua në vitet 1931-1935 të krijonte lidhje dhe aleanca me vendet e rajonit dhe Anglinë e Francën.
Kur ai po kërcënohej nga Italia, i çoi mesazhe edhe Hitlerit, por sferat e influencës ishin ndarë dhe Hitleri ua ktheu përmes kanaleve diplomatike përgjigjen që Shqipëria, ishte pjesë e sferës italiane dhe se Gjermania në Shqipëri s’kishte asnjë lloj interesi përveçse të mësohej gjuha gjermane nëpër shkollat shqiptare.

Si u trajtuan çështjet e Kosovës e Çamërisë nga shteti shqiptar?

Politika e jashtme në këto vite, duhet parë edhe në dimensionin kombëtar, mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe popullit që jetonte jashtë territorit tonë. Përmes shqyrtimit të dokumentacionit të gjerë dhe të panjohur, jam përpjekur të jap për herë të parë një interpretim dokumentar dhe shkencor të trajtimit të çështjes çame dhe asaj të Kosovës në këto vite. Më 1912-1913 ka përpjekje fillestare për të mbrojtur çështjen shqiptare, sepse ajo doli nga Konferenca e Londrës e copëtuar, ndërkohë që pas vitit 1918 çështja u diskutua në Konferencën e Parisit. Shqiptarët që u ndodhën atje, si delegacionet shtetërore, edhe shqiptarët e kolonive, u angazhuan për Çamërinë e Kosovën, por qenë të pafuqishëm për ta zgjidhur problemin. Vullneti e përpjekjet nuk munguan, as pas vitit 1920. Janë të njohura qëndrimet e qeverive për të mbrojtur largimin me dhunë të shqiptarëve të Çamërisë për në Turqi dhe përpjekjet për të ndikuar që kjo të ndalej. Në këtë kohë, ka pasur edhe politika në funksion të pushtetit në Shqipëri, duke sakrifikuar interesat e shqiptarëve në Kosovë.
Por, dihet edhe që për të zhdukur kundërshtarët e tij politikë, si Bajram Currin, Hasan Prishtinën e të tjerë, në vitet 1922-1923 Zogu bashkëpunoi hapur me qeveritë serbe që t’i rrethonin shqiptarët dhe t’i asgjësonin.
Dokumentacioni është i qartë, dhe pas 1926-ës, ai çështjen e Kosovës, e ka përdorur në funksion të interesave të tija, në varësi të marrëdhënieve me serbët. Kur acaroheshin marrëdhëniet me Jugosllavinë, ai ngrinte çështjen e Kosovës, madje nxiste e subvenciononte revoltat.

Ka diçka të re për çështjen e Kosovës në librin tuaj?

Po, është një pakt shqiptaro-jugosllav që del për të parë, mbështetur në dokumente, ku rezulton se Zogu pranoi që të bëhej edhe shpërngulja e shqiptarëve nga trojet e tyre në Kosovë, për t’u larguar përtej zonës kufitare shqiptaro-jugosllave. U mblodh një komision i posaçëm në Ministrinë e Jashtme, ku ishin diplomatët më të mirë të kohës, si Rauf Fico e Eqerem bej Vlora, që të përfundonin një plan të tillë për ta diskutuar më tej me jugosllavët. Kjo, nuk u realizua pasi doli në plan të parë marrëveshja jugosllavo-turke, gjë që e bëri qeverinë shqiptare t’i dalë kundër. Çështja e Kosovës është përdorur në funksion të qëllimeve politike të ditës, për të forcuar pozitën e për të ndihmuar luftën për pushtet brenda vendit pa brejtje ndërgjegjeje nga Ahmet Zogu!

Cila është figura që ka lënë gjurmë në diplomaci?

Ndër figurat historike që kanë lënë përshtypje në auditorët e diplomacisë europiane të kohës, Fan Noli. Ka shumë dokumente që flasin për elokuencën e tij në tribunat e Lidhjes së Kombeve, e kaq shumë vlerësime për të. Është folur shumë për Faik Konicën si diplomat, por unë nuk e kam këtë mendim. Ai ka qenë i jashtëzakonshëm si njeri i letrave e i kulturës, por ai nuk ka lënë asnjë gjurmë në arkivin e Ministrisë së Jashtme për 14 vjet që shërbeu. Nuk ka asnjë analizë, asnjë raport, dhe habitem përse ka njerëz që thonë se ka qenë diplomat i shquar. Ka qenë njeri i këndshëm, por jo diplomat, gjë që nuk do e thosha për Mehmetin, vëllain e tij, i cili ka një kontribut të madh diplomatik. Shqipëria ka pasur diplomatë, por jo një bosht në politikën e jashtme; ai ka qenë ose si purteka që lëvizte era dhe interesat e momentit, ose nuk ka pasur fare, dhe shpesh herë në politikë të jashtme lundrohej si në një det ku anijen e marrin dallgët dhe e hedhin sa në një vend në një tjetër.
Keni qëmtuar fakte të reja e detaje në dokumentacionin arkivor të pabotuar, të huaj e shqiptar. Ju portretizoni figurat e shpalljes së pavarësisë me kontributet e tyre, në kompleksitetin e tyre e për t’i zbuluar me gjithë dritëhijet, me meritat dhe dobësitë…Çfarë nuk dimë për figurat historike?
Jepen portretet dhe karakteret e atyre që bënë politikë. Shpesh nuk janë vënë në pah dobësitë karakteriale, sepse janë gjykuar se janë detaje, por në politikë dhe në marrëdhëniet me jashtë ka rëndësi karakteri, mënyra se si ekranizohet në trurin e diplomatit interesi kombëtar. Shpesh në emër të interesit kombëtar ka veprime antikombëtare. Ka shumë dritëhije në jetët e tyre, marrëdhënie nënshtrimi ndaj të huajve, luftë të paprinciptë mes tyre, që për fat të keq i gjen edhe në kohën e sotme.

Ndonjë emër prej tyre?

Nëse do të përjashtoj Ismail Qemalin, që është i panjollosur, të gjithë të tjerët kanë dritëhije që në libër mund të gjenden. Nëse i sheh këto, mund të arrish të vësh në pikëpyetje integritetin moral, politik e kombëtar.

Ju trajtoni në këtë libër edhe çështjen e Shën Naumit e Vermoshit. Çfarë mund të na thoni shkurtimisht?

Ato u dorëzuan për hir të marrëveshjes që Zogu bëri me Pashiçin. Para se të shkonte në Beograd, ai qe kundër dorëzimit të tyre, e pas ardhjes prej andej, gjeti mënyrën për t’i dorëzuar se ishte peng i asaj marrëveshjeje. Kjo çështje, është akt e njollë turpi në veprimtarinë e Zogut.
Në Luftën e Parë Botërore sunduan nënshtrimi, servilizmi e pazaret në dëm të interesave kombëtare… Çfarë keni parasysh me këtë pjesë?
Flitet për aktivitet intensiv të aktorëve kryesorë politikë shqiptarë, që vepronin disa brenda vendit e disa jashtë, ku kemi një numër aktorësh që nuk orientohen drejt, bëjnë politika klienteliste, madje ndërrojnë brenda një kohe të shkurtër orientimet politike. Shembulli më tipik është Esat Pasha, që mbi gjithçka vinte interesin personal e për të shiste atdheun, por nuk është i vetmi. Disa e kishin bindje, disa interes personal e monetar. Arrijnë deri në fjalor të papranueshëm dhe bëhen instrumente të politikave antishqiptare të fuqive ndërluftuese.

Ju keni përdorur burime arkivore amerikane për të sqaruar arsyet që çuan presidentin Willson të ndalonte copëtimin e Shqipërisë… Cilat janë arsyet?

Është e vërtetë që kam konsultuar dokumentacionin amerikan. E kam analizuar me kujdes dhe kam arritur në përfundimin se qëndrimi amerikan ndaj Shqipërisë ka ndryshuar gjatë Konferencës së Paqes. Në fillim nuk ishte pozitiv dhe SHBA mendonte se Shqipëria nuk ishte e aftë të mbijetonte e pavarur, por ose do copëtohej ose do të ishte nën një mandat ndërkombëtar. Shpesh bëheshin marrëveshje që binin në kurriz të popujve të vegjël dhe Wilson mbështeti marrëveshjen e dhjetorit 1919 që vendoste të copëtohej Shqipëria me miratimin e Amerikës, duke ia dhënë Vlorën Italisë dhe Gjirokastrën Greqisë. Ka naivë që i injorojnë këto qëndrime dhe janë kapur pas aktit të fundit të presidentit amerikan, kur ai refuzoi të pranojë kompromisin e 13 janarit 1920 anglo-franko-italian, ku Shqipëria copëtohej. Ai, qe zemëruar me fuqitë europiane sepse ato nuk ishin sjellë në mënyrë transparente me SHBA. E refuzoi copëtimin e Shqipërisë (plani ku, përveç jugut që i jepej Greqisë, e Vlorës Italia, veriu i kalonte Jugosllavisë), jo sepse do copëtohej Shqipëria, se këtë e kishte pranuar që në dhjetor, por sepse Fuqitë e Mëdha europiane kërkonin të vepronin pas shpinës së tij për çështjen e Adriatikut (ku pasi i bënin favore Italisë në Dalmaci, e kënaqnin Jugosllavinë me veriun shqiptar). Ndaj Shqipëria shpëtoi!

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më Shumë

Gjendet në humnerë personi që u raportua si i zhdukur në Prevallë

Policia e Kosovës ka njoftuar se është gjetur burri nga Ferizaj, i cili ishte raportuar si i zhdukur dje. Policia ka bërë me dije se...

Malishevë: Dorëzohen çelësat e 10-të shtëpive për familjet në nevojë

10 familje që jetojnë në kushte të rënda ekonomike në komunën e Malishevës, janë bërë me shtëpi banimi. Lajmi u bë i ditur nga kryetari...

Lajmet e Fundit