-0.4 C
Prizren
E diel, 12 Janar, 2025

PDK-ja e Prizrenit kritikon lidershipin komunal për përdorim të gjuhës kërcënuese ndaj opozitës

Drejtuesit e degës së PDK-së në Prizren, të enjten, kanë akuzuar lidershipin komunal për injorimin e kritikave të opozitës që janë adresuar gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.

Sipas tyre për më keq eksponentë të qeverisë komunale kanë shfaqur tendenca për të përdorur gjuhë kërcënuese ndaj opozitarëve.

Kryetari i degës së PDK-së, Shaqir Totaj ka theksuar se ekzekutivi lokal nuk ka pas asnjë reflektim sa i përket vërejtjeve që ky subjekt ka adresuar gjatë tremujorit të dytë.

“Pushteti nëse i merr gjithë ato kritika të paktën është dashur me u ndalë dhe me analizu, se a janë kritika të bazuara dhe gjithë ato që janë të bazuara dhe të argumentuara ishte dashtë me i marrë seriozisht dhe veprimet e tilla me i ndalu. Mirëpo kjo nuk po ndodh, kemi një gjuhë kërcënuese, kemi një gjuhë shantazhuese. Pozita ngrehë kallëzime penale ndaj opozitës, për shkak se kemi shkuar në një fshat për t’ju ndihmuar qytetarëve të cilët kanë pas nevojë. Kjo është paradoksale dhe është hedhur poshtë, natyrisht”, ka thënë Totaj gjatë një konference për media.

Me këtë rast ai ka reaguar edhe ndaj eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje, që mbrojnë qeverisjen në Prizren, duke theksuar se qeverisja në këtë komunë ndërlidhet me raste korruptive.

“Kemi diku 7-8 drejtorë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Po ashtu kemi pasur dy zyrtarë të zyrës ligjore të arrestuar”, ka deklaruar Totaj, duke shtuar se paralelisht me këtë për 3 vite të qeverisjes rreth 20 milionë euro kanë shkuar në suficit nga buxheti, pastaj janë evidentuar skandale në DKA me punësime, kontrata kontestuese në kohë pandemie, etj. “Të gjitha këto janë dëshmi të një keqqeverisjeje në Prizren”, është shprehur Totaj.

Paraprakisht ai ka paraqitur përmbledhjen e reagimeve të degës së PDK-së në periudhën prill, maj dhe qershor 2020, me bindjen se ato janë argumentim i keqqeverisjes, me ç’rast ka përkujtuar përgjigjen e dhënë ndaj kryetarit Mytaher Haskuka “pas kërcënimeve me burg ndaj zyrtarëve të PDK-së në Prizren!”, pastaj ndihmat e dhëna në kohë izolimi nga pandemia në fshatrat e Prizrenit, reagimin lidhur me keqpërdorimet e në furnizimin me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga koronavirusi në Komunën e Prizrenit, degradimin urban në Komunën e Prizrenit, angazhimin e avokatit me pagesë mbi 16 mijë euro për përfaqësim ligjor, sikurse edhe shkapërderdhjen e koalicionit qeverisës komunal, trajtimin jo dinjitoz, që po i bëhet trashëgimisë kulturore, në Qendrën Historike të Prizrenit, etj.

Ditë më parë Totaj pat theksuar se përgjatë këtij viti janë vërejtur pak përmirësime nga qeveria komunale edhe në raport me vërejtjet e opozitës që janë shprehur në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas tij, Ekzekutivi lokal ka reaguar për disa çështje vetëm pas presionit të opozitës, shoqërisë civile e medias, derisa në sektorë të caktuar nuk ka reflektuar fare. Ai pat konstatuar stagnim sidomos në financat publike dhe arsimin komunal./KOHA/

Më Shumë

Vetëvendosje viziton familjen e dëshmorit Fadil Ferati në Randobravë të Prizrenit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidat për deputet, Artan Abrashi, së bashku me kandidatët e tjerë, vizituan sot familjen e dëshmorit Fadil Ferati në...

PDK hapë fushatën, Krasniqi dhe Hamza: Votoni 131 për një Kosovë ma të mirë

Partia Demokratike e Kosovës ka nisur zyrtarisht fushatën elektorale për Zgjedhjet e Përgjithshme, në një atmosferë madhështore, në mesin e mijëra përkrahësve. Kryetari i PDK-së,...

Lajmet e Fundit