28.4 C
Prizren
E enjte, 7 Gusht, 2025

PDK-ja, parti e premtimeve të mëdha dhe e fateve të rrënuara

Shkruan: Qemajl Krasniqi

(Pjesa e tretë)

Ardhja në pushtet e PDK-së në fillim të vitit 2008 u prit me eufori dhe me shpresë të madhe. Pritjet ishin të mëdha. Kjo parti nuk e pati në vëmendje përmbajtjen e qeverisjes, aq sa u përkushtua në vetë marrjen e pushtetit, si synim final i partisë politike. Qeverisja pa një platformë të qartë dhe pa ndonjë analizë paraprake, si duket shpejt shkaktoi zhgënjim. Drejtimi i Komunës nga një ish kuadër komunist, Qazim Qeska, si duket nuk ishte kompatibile me kërkesat e reja që nxirrte sistemi demokratik. Struktura heterogjene e degës së PDK-së shpejt nxori në shesh mospajtimet e thella konceptuale, pasi që në këtë strukturë u gjetën ish komunistë, “shqiptarë të ndershëm”, ish të burgosur politik, ish ushtarakë të UÇK-së dhe kuadër pa ndonjë profil politik deri në atë kohë, gjysmë analfabetë, analfabetë dhe njerëz arrogantë e “patriotë” prepotent.

Që në dy vitet e para të qeverisjes së PDK-së u panë dështimet. Mospërmbushja e pritjeve dhe ambiciet politike e materiale të disa eksponentëve të rëndësishëm, disa të lidhur me strukturat e SHIK-ut, nxorën në pah ndasitë e thella në vetë strukturën drejtuese të PDK-së. Për pasojë, kandidati i kësaj partie për kryetar të komunës Qeska, pothuajse dhunshëm u rikandidua në zgjedhjet e nëntorit 2009. Ndonëse fitoi edhe kësaj radhe, me mund të madh dhe nën dyshimin për keqpërdorim dhe vjedhje masive të votave karshi kandidatit të LDK-së Ibrahim Kryeziu, Qeska nuk arriti ta mbajë pushtetin më shumë se 18 muaj. Me arsyetimin se ka probleme shëndetësore, dha dorëheqje. Edhe pse kryetari i partisë dhe kryeministri i vendit në atë kohë Hashim Thaçi u përpoq ta rikthente në pushtet pas gjashtë muajsh në dorëheqje, Gjykata Kushtetuese konstatoi se dorëheqja e tij është e pakthyeshme.

Zhgënjimi me PDK-në ishte i madh dhe pritjet e qytetarëve për një qeverisje më të mirë nuk u realizuan. Drejtuesit lokal të PDK-së kishin shpresuar në një mbështetje më të madhe nga qendra. Kapja e pushtetit, punësimet pa kriter dhe pa konkurs, punësimet vetëm me referenca të lëshuara nga dega e PDK-së, u bënë dukuri e zakonshme. Përshtatja e konkurseve eliminonte nga konkurrenca ata që pretendonin për një vend pune, si dhe forma të tjera të eliminimit të kandidatëve të padëshiruar, u bënë model qeverisjeje. Gjithçka u shndërrua në një ndërmarrje të madhe partiake, edhe pse PDK ishte në partneritet me LiB-in dhe PD-në, pretendimet e partnerëve asnjëherë nuk u morën në konsideratë. PDK u shndërrua në parti të fateve të rrënuara të njerëzve të zakonshëm dhe pa fuqi ndikuese.

Pushteti u koncentrua në duart e 2-3 personave, kurse çarjet ndërmjet elitës së degës së PDK-së sa vinin e thelloheshin. Pushteti u stërkeq për një kohë shumë të shkurtër. Qytetarët e humbën besimin në këta liderë dhe kjo u pa qartë në humbjen e turpshme të PDK-së në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës, pas dorëheqjes së Qazim Qeskës, pasi që kandidati Xhelal Canziba u mund, jo vetëm nga rivalët politik, por edhe nga partia e tij.

Këto zhvillime e sollën në krye të komunës kandidatin e AAK-së Smajl Latifi, i cili vinte nga një përvojë politike në drejtimin e LKÇK-së, respektivisht LIB-it. Zgjedhjet e jashtëzakonshme në dhjetor të vitit 2010 nxorën fitues Smajl Latifin, i cili në balotazh siguroi mbështetjen e PDK-së së shpartalluar dhe të pashpresë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – partia pa profil politik (Pjesa e katër vijon të hënën)

Më Shumë

Kosova U14 gati për turneun FIBA YDF – Përzgjidhen 14 vajza dhe 14 djem nga Kampi Nacional në Prizren

Pas përfundimit të Kampit Nacional të Federatës së Basketbollit të Kosovës të mbajtur nga 21 deri më 26 korrik në Prizren, janë përzgjedhur lojtaret...

Takim i veçantë mes dy ikonave: Shqipe Kastrati dhe Shyhrete Behluli

Këngëtarja e njohur Shqipe Kastrati ndau në rrjetet sociale një moment të veçantë me kolegen dhe mikeshën e saj, Shyhrete Behluli, raporton PrizrenPress. Në postimin...

Lajmet e Fundit