Barcelona ka probleme. Veç atyre që ekipi ka shfaqur në fushë, edhe në drejtim katalanasit kanë pasur mosmarrëveshje. Kohë më parë pati edhe përplasje mes lojtarëve dhe drejtuesve, për shkak të skandalit të quajtur “Barçagate”. Në media u raportua se, që prej vitit 2017, në klubin katalanas po punojnë kundër një pjesë të mirë të lojtarëve, apo edhe kundër një figure si Pep Guardiola, i cili gëzon respekt të madh nga tifozët.
Thuhet se klubi paguan një kompani që të krijojë profile, me mbi 65 mijë ndjekës, të cilët shprehin mesazhe pozitive për klubin dhe drejtuesit e tij, duke nisur nga presidenti Josep Bartomeu. Të njëjta profile sulmojnë emra si Messi, Pique e Guardiola. Kjo gjë më pas dënohet nga ana e klubit, që nga ana tjetër vetë ka paguar për diçka të tillë.
Sigurisht që kjo solli trazira në klubin katalanas, që mundohet ta mohojë. Për shkak të këtij skandali, por edhe për shkak të politikave që po ndërmerren për të përballuar krizën e krijuar nga pandemia, disa prej anëtarëve të bordit drejtues të Barcelonës kanë dhënë dorëheqjen. Bëhet fjalë për gjashtë anëtarë, të cilët mendojnë ndryshe nga presidenti Josep Bartomeu.
Ky i fundit po tenton të ketë një bord me të besuarit e tij dhe u ka kërkuar dorëheqjen katër anëtarëve, dy prej tyre zëvendëspresidentë. Emili Rousaud, Enrique Tombas, Silvio Elias dhe Josep Pont kanë reaguar dhe janë larguar nga bordi. Atyre u janë bashkuar edhe Maria Teixidor dhe Jordi Calsamiglia.
Një ditë më parë ata kanë nënshkruar largimin e tyre dhe tanimë bordi mbetet me 13 anëtarë, nga 19 që ka në total. Klubi do të vijojë të funksionojë, ndërkohë që drejtuesit e larguar, në letrën e tyre sugjerojnë që katalanasit të bëjnë zgjedhje të reja, në momentin e parë që mund të organizohen ato.