6.8 C
Prizren
E diel, 28 Prill, 2024

Prizren: Polici i akuzuar thotë se të gjitha veprimet i ka marrë në koordinim me prokurorin

Zyrtari policor Habib Morina, i cili po akuzohet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare, në seancën e së hënës, deklaroi se të gjitha veprimet për të cilat akuzohet, i ka marrë në koordinim me prokurorin Beqë Shala.

I akuzuari Morina, gjatë shqyrtimit të dytë, ka kërkuar nga gjykata që të administrohen telefonatat e ditës kritike në mes tij dhe prokurorit Shala, për të vërtetuar pretendimin e tij.

Një propozim të tillë e ka kundërshtuar prokurorja Ervehe Gashi, e cila ka thënë se një gjë e tillë nuk do të vërtetojë asgjë, pasi që në ditën kritike, Beqë Shala nuk ka qenë prokuror kujdestar. Ajo më tutje ka shtuar se ky rast ka të bëj me veprime të cilat i akuzuari ka qenë i autorizuar t’i ndërmarrë edhe pa leje të prokurorit.

Gjykatësi Xheladin Osmani, ka refuzuar kërkesën e të akuzuarit, ndërsa ka thënë se shqyrtimin kryesor do ta caktojë pasi ta kompletojë trupin gjykues.

Pas përfundimit të seancës, i akuzuari ka refuzuar të nënshkruajë procesverbalin me arsye se nuk i janë dorëzuar të gjitha provat që disponon prokuroria.

Ndërsa gjykatësi Osmani tha se në shqyrtimin fillestar vetë i akuzuari ka konfirmuar që është furnizuar me të gjitha shkresat e lëndës, dhe poashtu është udhëzuar që për çdo provë që i mungon duhet ta kërkojë.

Pas shqyrtimit fillestar, më 30 mars 2017, i akuzuari Habib Morina, ka kërkuar nga gjykata që ta hudhë aktakuzën si të pabazuar pasi që veprimet e tij nuk përbëjnë vepër penale dhe se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur aktakuzën. Ai poashtu ka pretenduar se nuk është pajisur me të gjitha faktet që disponon prokuroria në rastin kundër tij.

Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, me Aktvendimin e 31 marsit, e ka refuzuar kërkesën e të akuzuarit për hudhjen e aktakuzës ndërsa i akuzuari ka ushtruar ankesë ndaj aktvendimit në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit më 14 prill 2017, ka marrë Aktvendim me të cilin ia ka refuzuar ankesën të akuzuarit Morina, me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë kur ka refuzuar kërkesën e të akuzuarit për hudhje të aktakuzës.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur ndaj Habib Morinës, të cilin e akuzon se duke vepruar në cilësinë e zyrtarit policor, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare. Sipas aktakuzës, Morina, me qëllim që t’i shkaktojë përfitim material Miftar Papës, ka lejuar që i njëjti të largohet me 39 thasë çimento të vjedhur, me ç’rast i ka shkaktuar dëm Nuhi Bytyqit.

Aktakuza përshkruan se si pala e dëmtuar Nuhi Bytyqi nga Suhareka, kishte lajmëruar rastin në Stacionin Policor të Suharekës, për vjedhjen e 39 thasëve çimento nga oborri i shtëpisë së tij.

Gjatë një pike kontrolli është ndaluar Miftar Papaj, i cili kishte të ngarkuar në automjet 39 thasë çimento, mirëpo rreshteri Morina nuk kishte lejuar që i njëjti të ndalohej dhe të konfiskohej sasia e çimentos së bashku me automjetin./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Në Prizren nis ndërtimi i një parku

Dje nisi përgatitja e terrenit në hapësirën e udhëkryqit mes rrugëve "Reshat Karjagdiu" dhe "Zahir Pajaziti" në Prizren për ndërtimin e një parku. Ky park...

Trepça fiton ndaj Prishtinës në gjysmëfinalen e parë

Trepça ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 87:81 (22:19, 21:20, 21:16, 23:26) Kevin Capers kishte 13 pikë, 4 kërcime e...

Lajmet e Fundit