11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Prizreni “pushon” nga bezdia zgjedhore

Prizreni-natenKaluan zgjedhjet, harruan Prizrenin, qendrën që ia pat mësyrë e tërë elita politike e vendit. Dy javë më parë, shumë nga shefat e qendrës, më lehtë i takoje këtu se sa në Prishtinë. Nga kryeministri në detyrë Hashim Thaçi e funksionarë më të ultë në pozita, sa qenë “nevojtar” për “kokrrat” e patën shtrënguar shumë qytetin jugor, duke bërë edhe foto, bile edhe nga ato “selfi” nëpër qendër, natyrisht pa lënë anash as vrapin për votat e periferisë.

Por, zhurma që karakterizoi tri javët e fundit para zgjedhjeve, në qendrën jugore të vendit tash ka heshtur dhe duket se qyteti po merr frymë, në ritmin e vet, të përzier me valët e lumit, që ndan qytetin, e ku përveç Vetëvendosjes!, të gjitha zyrat tjera të partive janë në anën tjetër të lumit, të grupuara në një rreth jo më të madh se 100 metra nga njëra tjetra.

Prizrenin e ka lënë të pushoj lideri i PDK-së, që fitoi shumicën në këtë qendër, ndërsa i ka premtuar vazhdimin e projekteve për të shndërruar në një nyjë të rëndësishme mes Tiranës e Prishtinës, ku do ta zhvendoste ndonjë ministri, e bile është thënë të jetë premtuar se njëra nga femrat prizrenase mund të jetë pjesë e qeverisë së tij, nëse atë do ta bënte ai.
Nisur nga legjenda “nëse pi ujë, do të martohesh këtu” , të gjithë pretendentët për Parlamentin e Kosovës kanë pirë edhe ujin e “shatërvanit”. Por pas zgjedhjeve disa mbetën të lagur.

Për herë të parë që nga paslufta, Prizreni ka numrin më të madh të deputetëve shqiptarë, tetë sosh, të cilët në krah do të kenë edhe ata nga komunitetet pakicë.

Si zakonisht ata dhe liderët e tyre folën fjalë të mëdha e bënë premtime, për ta marrë besimin. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, partia e të cilit në Parlament nuk përfaqësohet nga asnjë prizrenas, nga qendra i porositi qytetarët e këtushëm që të mos e krahasojnë me Thaçin, për të cilin tha “prizrenasit e dinë se i ka mashtruar disa herë” ndërsa nuk deshi t’i bëhet ngjashmëri as me Isa Mustafën. “Aman, aman mos më krahasoni me këtë që ka dështuar në qeverisjen e kryeqytetit, e po kërkon punë më të madhe, ta qeverisë Kosovën”, ka thënë ai.

E Fatmir Limaj, partia e të cilit ndonëse e sapoformuar mori dy deputet apo dyfishin e LDK-së si parti tradicionale, që tashmë duket se do të ec pa “regjisorin” Eqrem Kryeziu, i cili për një çerek shekulli qëndroi në karrigen e kryetarit të degës, duke pranuar të ndahet si humbës.

Duke aluduar në bashkëpartiakët e deridjeshëm, Limaj ka premtuar se nuk do të lejoj që në Prizren të dilet vetëm sa për të ngrënë dhe për t’i marrë votën, dhe pastaj të harrohet ky qytet, që siç ka thënë, është qeverisur nga kafenetë përmes sms-ave.

Heshtjen pas zgjedhjeve në Prizren e prishi Zafir Berisha i Bashkimit Demokratik, i cili përkundër që nuk ruajti gjysmën e votave që mori 6 muaj më parë, në zgjedhjet komunale, megjithatë duke qenë i ranguar i pesti në listën e partnerit Nisma për Kosovën mundi t’i rikthehet sallës komode të legjislativit të vendit, pasi mandatit dy vjeçar të cilin në vitin 2008 – 2010 e shijoi në emër të PDK-së të cilën e braktisi, më 2010 . Shpallja e marrëveshjes së koalicionit LDK-AAK-NISMA e bëri të gjallë Zafën, i cili në profilin e tij të facebook-ut ju drejtua ish shefit të dikurshëm H. Thaçit me “Ngadal beg se ka hendek”.

I vetmi që u rikthye në qytetin e Lidhjes pas zgjedhjeve, kur pati premtuar një Hamam modern me xhakuzi në vend të monumentit historik ekzistues, është kryetari i Partisë së Fortë, Visar Arifaj.

Legjendari, kësaj radhe nuk tha asgjë për Hamamin. Megjithatë ai bëri një banjo në ujin e ftohtë të “Lumbardhit” derisa u rrokullis me djelmoshat e këtushëm në garën me goma mbi ujë.

Por, ndonëse tashmë nuk ka atë “modën” parazgjedhore, dosido Prizreni përsëri ka lezetin e tij “alla turka” e “alla franga” . Tashmë është muaji i shenjtë mysliman i Ramazanit, që karakterizohet me pitajkat e famshme, e ku furrat garojnë se kush i bën ato më të mirat. Prizreni, përsëri në modë, në stilin e tij e mban “shatërvanin” e bukur, duke e bërë natën ditë, e ditën natë. Qendrës së boshatisur gjatë ditës, pas iftarit, në mbrëmje i rikthehet gjallëria. Atmosfera vazhdon deri në syfyr, rreth orës tre të mëngjesit.

Edhe në të nxehtë Prizrenit si del “boja”, të cilën disa mendojnë se ia ka nxjerrë politika. Gjatë muajve të verës këtu vijnë për të blerë “alltën” për dasma jo vetëm nga e tërë Kosova, e lokalitete shqiptare të Maqedonisë, por tash edhe nga Shqipëria.

Prizreni gjithashtu ka edhe pjesën tjetër”. Veç sa kanë nisur të kthehen nga perëndimi disa nga bashkatdhetarët. Si zakonisht bashkë me ndonjë veturë të tipit më të ri, ata risjellin edhe modën “shaci” .

E kur jemi të Ramazani, për të, para zgjedhjeve pat folur lideri i Vetëvendosjes! Albin Kurti, që në zgjedhjet e fundit ishte më i përqendruar se asnjëherë tjetër në këtë qytet. Duke folur nëpër tubimet elektorale, teksa kritikonte pushtetarët për përvetësime të shumta në dëm të popullit, ai premtoi se me ardhjen në pushtet do t’ia ndryshonte “bigën” gjërave në të mirë të popullit, duke deklaruar se “do ta bënte Bajram për qytetarë, e Ramazan për pushtetarë”. Mbetet ta shohim edhe këtë “marifet”. /Zëri/

Më Shumë

Lajmet e Fundit