9.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Prokurori thotë se ish-inspektori në Prizren është fajtor për mos rrënimin e objekteve pa leje, kërkon dënimin e tij

Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar që ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Bashkim Krasniqi të shpallet fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare, si dhe të dënohet sipas ligjit.

Një propozim të tillë, e ka bërë prokurori i rastit, Metush Biraj, në seancën e së martës që është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren.

Ish-inspektori Krasniqi, akuzohet se gjatë vitit 2014, nuk e ka ekzekutuar vendimin e Drejtorisë së Inspektorateve në Prizren, për rrënimin e kompleksit “Crazy Love”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të martën, ishte paraparë që të dëgjohej përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, si palët në procedurë t’i jepnin fjalët e tyre përfundimtare, por një gjë të tillë e ka bërë vetëm prokurori Biraj.

Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori Biraj, ka deklaruar se me provat e administruara gjatë këtij gjykimi është vërtetuar se i akuzuari Krasniqi ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

“Nga provat e administruara materiale, por edhe me dëgjimin e dëshmitarëve Bedri Bytyqi, e Faik Hoxha, por edhe në bazë të ligjit është vërtetuar se kompetent për ta ekzekutuar konkluzionin për rrënimin e objektit “Crazy Love”, të ndërtuar pa leje, ka qenë inspektori i çështjes, këtu i akuzuari Bashkim Krasniqi”, ka thënë prokurori Biraj.

Ai ka thënë se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtjes së të akuzuarit Krasniqi.

“Pretendimi i mbrojtjes së të akuzuarit se deri në fazën e nxjerrjes së konkluzionit–njoftimit për rrenim të objektit në fjalë, në tërësi është respektuar procedura administrative për ketë çështje, është fakt i vërtetë. Mirëpo në kuadër të kësaj si procedurë ka qenë edhe zbatimi i konkluzionit –njoftimit për rrënimin e këtij objekti, i cili as ditën kritike, e as pas kësaj date, e deri më sot nuk është rrënuar”, ka thënë tutje prokurori Biraj.

Ai ka kërkuar që i akuzuari të shpallet fajtor, ndërsa sipas tij, gjatë matjes së lartësisë së  dënimit, gjykata t’i merr parasysh të gjitha rrethanat, si ato lehtësuese, ashtu edhe ato rënduese.

Ndërkohë, në këtë seancë, mbrojtja dhe i akuzuari nuk e kanë dhënë fjalën e tyre përfundimtare, pasi që ka munguar përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, Behar Bytyqi.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi ka thënë se Bytyqi ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, por që mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Ajo ka deklaruar se në seancën e kaluar, Komuna e Prizrenit është zotuar se do të bëjë një plan financiar, me anë të së cilit do t’i paraqes Gjykatës dëmin e shkaktuar, për ketë arsyeje ajo ka thënë se do t’i jep edhe një mundësi kësaj komune për t’u deklaruar lidhur me këtë.

Gjykatësja Skenderi, ka deklaruar se seanca e radhës do të mbahet më 5 nëntor, në ora  10:30, në të cilën pritet të dëgjohet përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, si dhe më pas të jepet fjala përfundimtare nga mbrojtja dhe i akuzuari.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 25 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Bashkim Krasniqi, të cilin e ngarkon se në cilësinë e personit zyrtar, inspektor i ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit, nuk i përmbush detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se përkundër njoftimit të fundit të lëshuar më 20 tetor 2014, nga Drejtoria e Inspektorateve në Prizren, adresuar investitorit Xhavit Bytyçi, pronar i kompleksit hotelier – shtëpizave nga konstruksioni i drurit “Crazy Love” në Prizren, i bazuar në konkluzionin mbi lejimin e ekzekutimit të dhunshëm të lëshuar më 2 maj 2014, nuk e ka bërë ekzekutimin më 24 tetor 2014 edhe pas kësaj date, edhe pse i njëjti ka qenë i detyruar.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

“Krizë” për Vjosa Osmanin: Veç 1 mijë e 168 euro në bankë

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë. Në mesin e personave zyrtarë që kanë deklaruar pasurinë janë edhe krerët e...

Tri përballje interesante në Albi Mall Superliga – vëmendja në Suharekë

Sot do të zhvillohen tri ndeshje në Albi Mall Superligën e Kosovës. Vëmendja do të jetë në Suharekë, pasi Ballkani është nikoqir i Dritës për...

Lajmet e Fundit