11.4 C
Prizren
E enjte, 29 Maj, 2025

PS shpall fitoren në Kukës, demokratët me humbje më të thellë se në zgjedhjet e 14 majit

Partia Socialiste ka shpallur zyrtarisht fitoren në Bashkinë e Kukësit, ku me vetëm katër kuti të mbetura për t’u numëruar, ndryshimi është prej mbi 5 mijë votash.

Kështu, me 70 nga 74 kuti të numëruara, kandidati socialist Albert Halilaj ka arritur të marrë 12 mijë e 44 vota, përkthyer në 63.5%, krahasimisht me kandidatin opozitar të koalicionit Bashkë Fitojmë, Emri Vata, i cili ka marrë 6 mijë e 924 vota, ose 36.5% të totalit.

Me kutitë e mbetura është i pamundur kthimi i rezultatit.

Këtë fitore ndërkaq e kanë festuar socialistët e Kukësit, ku drejtuesi i majtë i qarkut, Pandeli Majko, ka mbajtur edhe një fjalë të shkurtër.

“Kjo është fitore e një djali që fiton në Kukës dhe që do tu shërbejë të gjithëve pa asnjë dallim partiak. I kemi një borxh të madh Kukësit. Ky borxh nuk shpërblehet me fjalë, por me vepra”, theksoi Majko pasi rezultati nuk mund të kthehet.

Nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Edi Rama, e ka etiketuar fitoren e thellë si detyrim për të bërë më shumë vepra në bashkinë veriore.

“Kur janë numëruar pak më shumë se gjysma e kutive të votimit, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Kukësit ka një avantazh të pakthyeshëm prej thuajse 3 mijë votash, i cili do të thellohet ende deri në kurorëzimin e një fitoreje shembullore, që flet qartë për besimin dhe për pritshmërinë e qytetarëve kuksianë ndaj nesh, si edhe për detyrimin tonë të madh ndaj tyre, për të bërë shumë më shumë akoma për Kukësin”.

Kështu ka shkruar kreu i PS-së në llogarinë e tij në Facebook.

Nëse bëhet krahasimi me zgjedhjet e 14 majit, kandidati i atëhershëm në Kukës për të djathtët, Admir Sinamati, arriti të merrte 9 mijë e 592 vota. Pra, mbi 2 mijë vota më shumë se sa Emri Vata sot.

Teksa, socialistët, atëherë me Safet Gjicin do të merrnin fitoren me 11 mijë e 632 vota. Por, sot, numrat e tyre janë konsoliduar edhe më shumë, me mbi 500 vota plus në Kukës.

Zgjedhjet e pjesshme u mbajtën në Kukës pasi Gjici, si i mandatuar për herë të dytë, u përfshi në një skandal videoseksual, duke çuar më tej shkarkimin e tij nga detyra dhe duke u arrestuar më pas për shpërdorim detyre dhe përfshirje në korrupsion.

Ende sot, ai pret një vendim për fatin e tij.

Më Shumë

Si i shpëtoi burgut shkrimtari Paulo Coelho

Paulo Coelho, romancieri i njohur brazilian është një ndër autorët më të lexuar në të gjithë botën. Ai botoi më shumë se 20 libra dhe...

Policia në Prizren arreston të dyshuarin për posedim të narkotikëve, pas intervistimit lirohet në procedurë të rregullt

Një person i dyshuar për posedim të paautorizuar të narkotikëve është arrestuar në Prizren nga Policia e Kosovës dhe pas intervistimit dhe në konsultim...

Lajmet e Fundit