Njëri prej kritikuesve më të zëshëm të situatës në Universitetin e Prishtinës, profesori i shkencave matematikore, Qëndrim Gashi, thotë se Rektori Ibrahim Gashi bëri mirë që u largua, por do të kishte qenë më mirë sikur ai të largohej më herët.
Në një intervistë në RTK, Qëndrim Gashi, deklaroi se do të jetë e papranueshme çdo tendencë që kaosi në UP të shfrytëzohet për shtrirjen e ndikimit politik të cilësdo parti.
“Është mirë që u largua, është keq që nuk u largua më herët por tash nuk kemi çfarë të bëjmë”.
“Çdo kundërshtim i imi në raport me ish-rektorin, ka qenë kundërshtim parimor. Nuk kam pasur qëllim që ta lëndoi atë si individ”.
“Duhet them qartë se çfarëdo tendence që ta përdorë kaosin aktual në UP dhe rimëkëmbjen e UP’së për çështje politike, për qëllime personale është e papranueshme”.
“Kushdo që mendon se përmes zhvillimeve në UP ta zhvillojë ndikimin, ta zgjerojë ndikimin, duhet ta dijë që është e papranueshme”.
“Ju bëj thirrje të gjitha partive politike që ta ndërtojmë një kauzë të përbashkët. Ka shumë domena ku mund të luftohet për politikë, në arsim nëse luftohet politikisht, konsekuencat nuk i bartin partitë politike por fëmijët tanë”, citon lajmi.net.
Profesori Qëndrim Gashi thotë se UP’ja ka hyrë tashmë në një fazë të vështirë. Ai nuk e mohon mundësinë që Këshilli Drejtues të ketë në përbërje edhe profesorë ndërkombëtar.
“Tash ka mbaruar një fazë e vështirë, por fillon një fazë e re dhe kjo fazë e re do të zgjasë”.
“Duhet të parë se cilat janë nevojat e UP’së, duhet parë se a ka nevojë që UP’ja të jetë vetëm barrë e shoqërisë apo dhe t’i kontribuojë shoqërisë”.
“Ne duhet ta shtojmë transparencën”.
“Si hap i parë duhet të rikompozohet Këshilli Drejtues me profesorë ndërkombëtar, pse jo. Të bëhen ndryshime në statut”.
“Të krijohet në Komision Kombëtar i cili do të bënte verifikimin e thirrjeve shkencore”.
Politika, thotë tutje në intervistë për RTK profesor Qëndrim Gashi, bën mirë që të rri larg arsimit. Ai thotë se kushdo që mohon influencën e politikës në UP, gabohet.
“Në fakt, nëse dikush thotë se UP’ja nuk ka qenë e influencuar, atëherë gabon. UP’ja ka qenë e influencuar nga politika qysh prej themelimit të saj”.
“Kushdo që tenton ta influencojë UP’në, ta zgjerojë ndikimin e vet aktual, ajo është e papranueshme dhe e dënueshme”.
Qëndrim Gashi thotë se ndjen keqardhje për situatën e shkaktuar. Ai thotë se as protestuesit e as policën nuk ishin fajtor, e fajtor sipas tij ishte UP’ja që nuk diti të menaxhojë këtë situatë.
“Ata ishin aty për shkak të problemeve që ishin shkaktuar nga UP’ja dhe jo nga protestuesit. Dhe nga ato skena në mes policëve dhe protestuesve kanë qenë viktima të personave që kanë bërë gjëra të paligjshme, që kanë thyer integritetin akademik”.
“Edhe policët por dhe protestuesit kanë qenë më së paku fajtorë”.
“Si profesor i UP’së, nuk kam sesi të mos ndijë keqardhje se si organet e UP nuk ishin në gjendje që ta adresojnë një çështje dhe u lejua dhuna dhe pamja është që të keqpërdoret ajo situatë”.
Qëndrim Gashi mohon të ketë pretendime për postin e Rektorit. Ai thotë te jetë i kënaqur me pozitën e profesorit.
“Jo absolutisht. Unë e them publikisht që as nuk kam pretendime por meqë isha njëri prej atyre personave që kundërshtuan situatën në UP, tash do të ishte e pamoralshme, edhe sikur të kisha pretendime. Prandaj përgjigja ime është jo.
“Unë mjaftohem me pozitën e profesorit në UP, për çka jam shumë i lumtur”.
Ndryshe, Qëndrimi Gashi sot do të nderohet nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës me çmimin për Arritje Shkencore. Ai thotë se i “përulet” këtij institucioni dhe se ky çmim e nderon atë.