15.8 C
Prizren
E martë, 16 Prill, 2024

Rezoluta kundër migrimit s’ka efekt

Stacioni ne Prishtine-ikja1Profesori i shkencave politike, Bekim Baliqi, duke folur rreth miratimit të Rezolutës për parandalimin e migrimit ilegal, ka thënë për “Epokën e re” se ky dokument nuk mund të ketë kurrfarë efekti për parandalimin e kësaj dukurie.

“Duke marrë parasysh edhe më herët përpjekjet e qytetarëve për t’u larguar nga Kosova dhe apelet që janë bërë nga qeveria qendrore dhe ato lokale, nuk besoj se kjo rezolutë do të ketë ndonjë ndikim të madh tek ata që mendojnë të largohen, pasi shkaqet dhe arsyet pse migrojnë janë të shumta. Kjo rezolutë nuk duket se do t’i rritë shpresat për përmirësimin e gjendjes në Kosovë. Natyrisht se rezoluta është e mirëseardhur, por nuk mund të ketë ndonjë peshë të madhe”, ka deklaruar Baliqi.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë një numër të madh veprimesh, në mënyrë që qytetarët të kenë perspektivë në vendin e tyre.

“Hapja e vendeve të reja të punës, luftimi i korrupsionit, ulja e varfërisë, sundimi i ligjit, thithja e investimeve të huaja dhe një varg faktorësh të tjerë mund të ndikonin në parandalimin e migrimit ilegal”, është shprehur Baliqi.

Ai ka thënë se imigrimi ilegal ka ndikim shumë të keq për imazhin e Kosovës, sidomos kur është në pyetje atraktiviteti ndaj investitorëve të huaj.

“Po ashtu, ky migrim ka ndikim të madh edhe në njohje, turizëm dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me kulturën dhe shkencën. Sigurisht, ikjet e qytetarëve në kohë të paqes paraqesin një pamje tronditëse, e cila u ofrohet Evropës dhe botës në përgjithësi. Në njëfarë mënyre kundërshtarët e pavarësisë, sidomos Serbia, mund ta përdorin këtë migrim në dëm të Kosovës”, ka deklaruar Baliqi.

Pavarësisht gjendjes së rëndë, Baliqi ka thënë se në Kosovë ka shpresë por, sipas tij, lidershipi aktual politik duhet t’ia lëshojë vendin gjeneratës së re.

“Kosova ka kaluar momente edhe më të vështira. Të gjithë në një mënyrë kemi qenë të migruar dhe të dëbuar dhe prapë jemi kthyer në vendin tonë. Ky migrim është një alarm për udhëheqësin e Kosovës, se një gjeneratë e re po vjen me kërkesa të reja. Kjo udhëheqësi duhet t’ua lëshojë rrugën brezave të ri të cilët kanë ide të reja. Kosova nuk bën të jetë pengë i kësaj kaste politike”, është shprehur Baliqi.

Smaka: Rezoluta, sa për ‘sy e faqe’

Mendim të njëjtë me profesor Baliqin, rreth Rezolutës për parandalimin e migrimit ilegal, ka shprehur edhe profesori i shkencave juridike, Riza Smaka. Ai ka thënë për “Epokën e re” se kjo rezolutë është bërë sa për “sy e faqe”.

“Absolutisht nuk mund të pritet dhe as të llogaritet çfarëdo qoftë pozitive nga ky dokument, në pengimin e migracionit të vrullshëm. Nga rezoluta dalin disa konkluzione të cilat nuk janë të sanksionuara”, ka thënë Smaka. Sipas tij, shumë më esenciale se rezoluta e miratuar nga Kuvendi është implementimi i normave juridike të cilat i njeh shteti i së drejtës.

“Ajo çfarë është esenciale, pa u realizuar shteti i së drejtës, në të cilin zbatohet ligji dhe ku funksionojnë gjyqësori, administrata publike dhe eliminohet korrupsioni, është e kotë të miratohet një rezolutë e cila është sa për të thënë: Ja, qeveria është duke punuar dhe vepruar. Unë jam skeptik se ajo rezolutë do të prodhojë çfarëdo efekti, qoftë edhe minimal”, ka thënë Smaka, duke kërkuar nga qeveria Mustafa të angazhohet maksimalisht për parandalimin e dukurive negative të cilat, sipas tij, janë duke e vrarë të ardhmen e qytetarëve të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet ‘me mish e me shpirt’ për zbatimin e ligjeve të aplikuara në Kosovë. Aktet ligjore që ka vendi duhet të modifikohen dhe të përshtaten në mënyrë që të sanksionohen të gjitha aktet kriminale”, ka deklaruar Smaka.

Sikurse Baliqi, edhe Smaka ka thënë se migrimi ilegal është duke e dëmtuar imazhin e Kosovës dhe se fajtor për këtë dukuri janë institucionet e vendit.

“Nga ajo që është duke ndodhur, del se Kosova është vend kaotik, ku nuk ka zhvillim, ekonomi, arsim, kulturë dhe nuk zbatohet ligji. Të rinjtë janë duke ikur nga Kosova për shkak të dëshpërimit dhe mungesës së perspektivës. Pa fije dyshimi migrimi është duke ndikuar rrënueshëm në imazhin e Kosovës”, ka thënë Smaka./Epoka e re/

Më Shumë

Liberalizimi i vizave, Kurti: Më shumë qytetarë po kthehen në Kosovë sesa që largohen

Kryeministri i Kosovës, njëherit edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LV-së ka thënë se prejse ka...

Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësimit të Kosovës në KiE

Deputetët në Asamblenë Parlamentare kanë votuar në favor të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Nga 171 deputetë që morën pjesë në votim, 131...

Lajmet e Fundit