9.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Rigjykimi/ Ish-drejtori i Urbanizmit në Prizren deklarohet i pafajshëm

 Në Gjykatën Themelore në Prizren, në seancën e së martës, pas kthimit të çështjes në rigjykim nga Gjykata e Apelit, i akuzuari Nijazi Kryeziu është deklaruar i pafajshëm për akuzat për korrupsion.

Kryeziu po akuzohet se në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, pa ndonjë procedurë të tenderimit, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Mehdi Sefa, i akuzuari Kryeziu u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

Prokurori Sefa tha se qëndron pranë fjalës hyrëse të cilën e kishte dhënë më 5 tetor 2022, ndërsa përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Blerim Mazreku ka thënë se e mbështetet fjalën hyrëse të prokurorit dhe se parashtron kërkesë pasurore-juridike.

Mazreku ka shtuar se deri më tani nuk është vlerësuar dëmi në bazë të ekspertizave, andaj sipas tij këtë do ta realizojë në procedurë konstestimore nëse i akuzuari Kryeziu shpallet fajtor.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Kryeziu, avokati Kujtim Kërveshi ka dekaluar se qëndron pranë fjalës hyrëse të dhënë më 5 tetor 2020.

Tutje, prokurori Sefa ka propozuar që të dëgjohet eksperti financiar Agim Sheqiri.

Ndërsa, avokati Mazreku ka kundërshtuar dëgjimin e ekspertit Sheqiri, pasi që sipas tij gjykata e shkallës së parë së pari duhet të veprojë sipas udhëzimit të Gjykatës së Apelit.

Ai tha se Apeli me aktvendim ka udhëzuar këtë gjykatë që të vendos për pranueshmërinë e ekspertizës si provë e pastaj të dëgjohet eksperti.

“Në rast se e njëjta pranohet si provë, atëherë duhet të ftohet eksperti në fjalë, ndërsa në rast se e njëjta nuk pranohet si provë përkatësisht shpallet provë e papranueshme, atëherë gjykata duhet të caktojë ekspert tjetër”, tha Mazreku.

Propozimin e prokurorit Sefa, e ka kundërshtuar edhe avokati Kërveshi, i cili tha se Gjykata e Apelit si arsye për prishjen e aktgjykimit të shkallës së parë, ka veçuar faktin e kontradiktorialitetit në arsyetimin e këtij aktgjykimi.

“Kjo gjykatë në aktgjykim, në arsyetim i është referuar provës ekspertizë e ekspertit Sheqiri që për të njëjtën ekspertizë ka vlerësuar se është provë e papranueshme, andaj Gjykata e Apelit ka kërkuar që të eliminohet kjo kontradiktë në arsyetim”, tha avokati Kerveshi.

Po ashtu, ai tha se Apeli nuk e ka obliguar por ia ka lënë në vlerësim gjykatës së shkallës së parë që të dëgjohet eksperti apo të bëhet ekspertizë e re financiare.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren të akuzuarin Kryeziu më 21 shtator 2021 e ka liruar nga akuza për korrupsion, mirëpo Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 30 shtator 2022.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 2 gusht 2019, i pandehuri Nijazi Kryeziu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Nijazi Kryeziu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2015, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kryeziu, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Kryeziu, gjatë periudhës kohore 1 janar 2015 e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV Opinionin, në vlerë prej 600 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 7 mijë e 200 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par.1 lidhur me par.2, nënpar.2.2 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Alarmojnë shkencëtarët: Moti në Evropë më i paqëndrueshmi, pritet krizë klimatike

Shkencëtarët për ndryshime klimatike kanë paralajmëruar se një krizë klimatike pritet të përfshijë Evropën në vazhdim. Ata thonë se temperaturat po rriten në mënyrë drastike,...

Reja, afër të emërohet trajner i skuadrës në Seria A

Ish-trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja raportohet se mund të marrë drejtimin e skuadrës së Udineses deri në përfundim të këtij sezoni. Mediet...

Lajmet e Fundit