10.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Roja i terminalit doganor ia thyen dhëmbët agjentit, Destan Çoçaj

E premtja e 10 qershorit nuk ishte një ditë e zakonshme për Destan  Çoçajn, i cili punon agjent doganor në Terminalin Doganor të Prizrenit. Gjatë orarit të punës ai pretendon se është sulmuar nga roja i terminalit, duke ia lënduar nofullën dhe syrin. Çoçaj ka rrëfyer për Gazetën Express se si ka ndodhur ngjarja. Express për këtë rast ka folur edhe me Policinë e Kosovës, nga thonë se të dy palët janë të dyshuar.

Destan Çoçaj, i cili punon si agjent doganor në Terminal Doganor të Prizrenit, më 10 qershor, rreth orës 15:00 është lënduar aq shumë nga roja Blerim Tahiri.

E, gjithçka filloi kur Çoçaj vendosi t’i dërgonte disa dokumente kur roja filloi ta sulmonte, që ai ende e ka të paqartë se cila ishte arsyeja e sulmit.

“Nuk ishte prej atyre personave që do të sulmonte pasi që asnjëherë nuk kemi pasur raport të keq”, tha ai.

 Çoçaj në rrëfimin për Express ka thënë se kur ka filluar t’i rrjedhë gjaku nga goja ka kërkuar nga shefi i doganës, Shefqet Berisha i cili ishte aty ta thërret policinë.

“Mos i lajmëroni babit, por thirreni policinë”, ka thënë  Çoçaj, pasi që ai së bashku me babanë punojnë në të njëjtin vend.

Por, pas këtyre fjalëve ai nuk mban mend asgjë, pasi që është alivanosur nga sulmi dhe është dërguar në Qendrën Emergjente të Prizrenit.

Çoçaj thotë se nga sulmi i janë thyer disa dhëmbë dhe i është lënduar keq njëri sy – i cili brenda disa dite duhet të operohet urgjentisht pasi që në vitin 1999 kishte pasur një ndërhyrje kirurgjike.

“Unë kisha lëndime të rënda dhe këto mund të vërtetohen nga raporti i mjekut dhe fotografitë menjëherë pas sulmit”, ka thënë ai duke i treguar fotografitë dhe raportin mjekësor.

Policia e cila ishte në spital, kishte kërkuar nga Çoçaj që pas trajtimit mjekësor të shkojë në polici për të dhënë deklaratë, si palë e dëmtuar.

Por, gjërat kishin ndryshuar kur ai vendosi të shkojë në stacionin policor.

Ai thotë se fillimisht hetuesja Shkëndije Kurti e kishte paraqitur si palë të dëmtuar. Por, roja i terminalit Blerim Tahiri rreth orës 18:00 kishte shkuar në spital duke e marrë një raport mjekësor, ku thuhet se ka lëndime në qafë, për të cilën Çoçaj ishte befasuar shumë.

“Ai e kishte marrë një raport mjekësor, dy orë më vonë, që unë u çudita shumë. Aty thuhej që ai kishte marrë lëndime në qafë. Për këtë hetuesja më ka thënë se pas këtij raporti, edhe ti edhe ai, të dy jeni të dyshuar”, ka rrëfyer ai.

Këtë e ka thënë edhe Policia rajonale e Prizrenit. Në përgjigjen elektronike ata kanë thënë se të dy janë të dyshuar.

“ Nga hetimet e deritanishme dhe ne konsultim me Prok.Themelore për momentin që të dy personat konsiderohen të dyshuar (raportet mjekësore te bashkangjitura ne rast, 4835 dhe 4841, hetimet vazhdojnë)”, thuhet në përgjigje.

Çoçaj ka thënë se gjatë intervistimit nuk i janë bërë fotografime nga policia dhe se hetuesja gjatë gjithë kohës kishte hyrë dhe dalë nga salla. Po ashtu, ai ka thënë se brenda sallës ishte edhe një polic i vijës kufitare, që ishte i afërt me rojën, që nuk kishte pasur autorizim të jetë aty.

“Duke e parë se si po shkon e gjithë ngjarja kam kërkuar me ngulm që të merren provat nga kamerat e terminalit. Për këtë hetuesja vendos që pas gjysmë orë të vendos të shkoj në vendin e ngjarjes, por, aty gjaku ishte fshirë”, thotë  Çoçaj.

Incizimet e kamerave, nuk janë marrë as të hënën edhe pse policia atë ditë kishte bërë kërkese për marrjen e tyre. Katër ditë më pas ishin sjellë këto incizime nga vetë Terminali Doganor.

“…pamjet e kamerave janë të turbullta dhe largësia është rreth 60 metra”, ka thënë policia.

Ndërkohë zyrtarët e Terminalit Doganor kanë thënë diçka tjetër. Ata kanë thënë se në pjesën ku ka ndodhur përleshja nuk janë kamerat e pozicionuar dhe se Qoqaj ishte ai që e kishte sulmuar rojën e tyre.

E gjithë kjo ngjarje, Destanin e bën të dyshojë për keqpërdorim dhe manipulimin të provave nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.

“Unë isha ai që isha sulmuar, fillimisht më paraqitën si viktimë, më pas si të dyshuar. Rojën thanë se do ta ndalin në paraburgim, por unë në mëngjesin e të nesërmes e pashë duke shëtitur në Prizren”, thotë ai.

Nga ana tjetër, Blerim Tahiri, nëpërmjet telefonit, ka mohuar versionin e ngjarjes, të përshkruar nga  Çoçaj. /GazetaExpress/

Më Shumë

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve – sërish pritet me protesta, marshe e aksione në Kosovë

Sot është Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve në Kosovë Rëndom, si vitet paraprake, edhe ky vit e gjen vendin me protesta e pakënaqësi nga punëtorët. Sindikata e...

Kampioni ende gjallë, “ia fik” dritat Yllit

Në një super ndeshje dhe dramatike, Peja fitoi ndaj Golden Eagle Yllit 80:81 (26:20, 21:26, 15:13, 18:22), duke barazuar serinë gjysmëfinale të Play-offit në...

Lajmet e Fundit