10.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Rrëfimi i Sylës nga Prizreni: “Njërin binjak ma morën në kufi, tjetrin ma mori Zoti!”

Syla, burrë nga Prizreni, kishte gruan dhe dy djem binjakë. Të voglin ia ndalën paramilitarët në Vërmicë në mars të vitit 1999, kurse tjetri i vdiq para tre vjetësh. Dhe, shkuan binjakët – mbetën lotët…

Syla, tash 75 vjeç, nga Lagjja Arbana e Prizrenit, të dielën që e lamë pas shikonte oborrin e tij të veshur me gjethet e pemëve që kishin rënë në tokë.

Tash, edhe pse kanë kaluar 22 vjet, ai kujton të keqen e njerëzimit, kur njeriu e han njeriun…

Paramilitarët serbë ia ndalën binjakun e vogël, duke e ndarë nga i madhi, në traktorin me tendë najloni gjatë dëbimit për në Shqipëri.

Teksa i pikojnë lotët, Sylës i kujtohen detajet, thuajse ngjarja të kishte ndodhur jo moti… Këtë e lidhë me thënien se nëse njëri binjak ndahet nga tjetri, njëjtë pëson
tjetri…

“I ka falë Zoti bashkë. Çka do që i ndodhë njërit, i ndodhë edhe tjetrit”, thotë ai dhe shton: “Zoti ka ditur t’i falë edhe ndaras, por ata kanë lindur bashkë”.

E keqja ndodhi në natën me shi e vetëtimë!

“Mot i keq ka qenë. Ka pasur vetëtima shumë. Shi i madh. Nuk mbaj mend shi më të madh të ketë pasur”, thotë Syla, plaku i përvuajtur nga skamja dhe fati që mbeti dritat e vetme të syve që kishte në jetën e vet.

“Pak si vonë i pata, por u rritën shpejt. Por, krisi lufta dhe çdo gjë ndryshoi. Ma dogjën shtëpinë. E dogjën tërë lagjen. U strehuam në ara. Djemtë i mbaja afër vetes, madje më shumë se gruan. I kisha binjakë pas pesëdhjetë vjetësh të jetës sime dhe çdo gjë e shikoja nga këndi i jetës së tyre.

Kanë qenë të ngjashëm në fytyrë e trup. Më shumë i kam dalluar përmes zërit sesa
pamjes. Por… Ah, kohë! Ishte kohë lufte. Nuk rrihej ditë e natë në ara. Me traktor u nisëm drejt kufirit, Vërmicës famëkeqe… E tmerrshme ishte nata kur arritëm në Vërmicë… Vetëtimat e shumta natën e bënin ditë…

Në një moment u ndal kolona. Paramilitarët dolën nga kaçubat skaj rruge dhe u drejtuan te traktori im. E kapën binjakun tim të vogël për flokë dhe i thanë: “Ti ke me ardhur me ne dhe bashkë kemi me i vra terroristët, UÇK-në!”. Zbrita nga traktori dhe u thashë se djali im është i ri dhe nuk ka qenë në UÇK.

Njëri prej tyre ma vuri thikën në fyt dhe më tha:

“Ne dimë më të thënë edhe ty, por këtë e kemi parë në UÇK!”. E tërhoqën për flokësh dhe e zbritën në tokë, në shiun e asaj nate që ishte një gjak në vete. Dola pas tij duke bërtitur, me ymytin se do ma lirojnë djalin…

I madhi mbeti në qerre dhe u zbehë i tëri… Djalin e hipën në kamion. Nisi të qante
me zë…Pasi u nis kamioni, njëri prej paramilitarëve më tha: “Hajt plak se ta kthejnë djalin…Këtu është Serbi. Këtu ka shtet dhe nuk humb asgjë! Nëse nuk ka qenë në UÇK ta kthejnë…”.

Gruaja qante, si nëna për djalë më… Por, ishte më burrërore se unë… “Bëhet çka ka
thënë Zoti!”, tha. Dolëm në Kukës, me dhimbje të madhe në
shpirt…

Prej asaj dite, djali im i vogël, më nuk u gjet kurrë. Eh, sikur t’ia dinim varrin, bile! Dhe, dhimbjet e mia nuk u ndalën me kaq. Dhjetë vjet më parë më vdiq gruaja. Nga
mërzia se nga çka tjetër?

E, e keqja tjetër më erdhi para tre vjetësh, ku vdiq edhe binjaku tjetër. Nuk ka qenë i
sëmurë. Rrinte i zbehtë në fytyrë, por nuk e dinim pse. Kishte pasur probleme me anemi…”. Safet Krivaça, Kosovarja

Më Shumë

Nagavci: Projektligji për tekstet shkollore përmirëson cilësinë e arsimit

Të premten në Komisionin për Arsim të Kuvendit të Kosovës është diskutuar për Projektligjin për tekste shkollore, të cilin është duke e kundërshtuar opozita. Madje,...

Lirohen qytetarët e Kosovës që u ndaluan mbrëmë nga policia serbe

Para pak çastesh, autoritetet serbe dhanë urdhër për të liruar kosovarët e ndaluar prej mbrëmë në kufirin Kroaci-Serbi. 12 autobusët e ndaluar janë nisur për...

Lajmet e Fundit