10.5 C
Prizren
E premte, 29 Nëntor, 2024

Rrëfimi i truprojës së Enver Hoxhës: Si e vranë djalin e shtëpisë ku rrinte diktatori

“Ne, ish-partizanët, kemi të drejtë të krenohemi, ta mbajnë ballin lart për atë që bëmë për lirinë e këtij vendi. Po jo t’i biem gjoksit vend e pa vend se çdo gjë na shkoi mirë e bukur. Pati Lufta, patjetër, lavdinë e saj, por kishte dhe ngjarje të padëshirueshme”.

Përtej kësaj bindjeje të brendshme që Hajredin Meçaj e shfaqte kurdo kur binte fjala për historinë e atyre viteve të stuhishme, ish-truproja i Enverit, në kujtimet e tij, tregon raste konkrete ku fryma bajraktare e drejtuesve të veçantë të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare ka shkaktuar pasoja të rënda, madje edhe me jetë njerëzish. Shpërfillës deri diku ndaj qasjes së kohës, ai guxon të rrëfejë një ngjarje tronditëse të padëgjuar më parë, që bëhet akoma rrëqethëse nga fakti se nuk ka ndodhur në ndonjë repart të skajshëm, por brenda në Shtabin e Përgjithshëm të Luftës.

Një dorë vrastare e bashkëluftëtarëve të Hajredin Meçajt, një natë të ftohtë shkurti, ka vrarë pas shpine djalin e shtëpisë ku qëndronte Enveri, vetëm pse ishte regjistruar në radhët e çetës së Ballit Kombëtar. Për arsye që kuptohen, nuk kanë folur për këtë asnjëri nga pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, që i janë kthyer disa herë kronikës së atyre ditëve, madje as Enveri nuk e përmend në kujtimet e tij nga koha kur punonte në shtëpinë e Çokes, atij fshatarit të këputur nga Panariti që i vranë djalin pabesisht. Ngjarja e fshehur tinëzisht në skutat e harresës, për herë të parë, bëhet e ditur në kujtimet e Hajredin Meçajt, që nuk ngurron t’i zbardhë të vërtetat, pavarësisht ndjeshmërive që ato shkaktojnë te njerëz e grupe të veçanta, i bindur se kësisoj nuk cenon aspak lavdinë e luftës për liri dhe heroizmin e pashoq të bashkëluftëtarëve të tij.

Përveç këtij episodi të dhimbshëm, pjesa në vijim e shënimeve të truprojës së Enverit zbulon një debat të tensionuar të këtij të fundit me Petrit Dumen, pas pushkatimeve masive që u kishte bërë ballistëve të zënë rob, në zonën e Panaritit dhe një takim ngazëllues të Enverit me Zaho Kokën, nën kohën kur kishte ndodhur tragjedia e Ramize Gjebresë. Janë këto ngjarje, që kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën e tij e, herë-herë, e kanë vënë edhe në mendime për mënyrën si janë shmangur nga historia zyrtare. Ky ka qenë një motiv më tepër që Haredin Meçaj t’u kushtojë dhe më shumë vëmendje në kujtimet e tij. Se nuk ishte një njeri i zakonshëm, por luftëtar i vijës së parë që luftoi shumë, përballoi sakrifica të mëdha, kaloi situata dramash të vërteta, përjetoi zhgënjime jo të pakta, duroi çdo gjë me besim dhe zemërgjerësi, me shpresën se e ardhmja do vinte më e mirë…

NË SHTABIN E PËRGJITHSHËM NË PANARIT

Megjithëse i lodhur dhe i rraskapitur, i sapodalë nga rrethimi në Shqipërinë e Mesme, Enveri filloi menjëherë nga puna. Llamba me vajguri rrite e ndezur pothuaj gjithë natën. Vetëm afër mëngjesit, Tarasi binte për të fjetur. Nuk bënte më shumë se tre-katër orë gjumë. Pikërisht në atë orë, gjithçka duhej të ishte në qetësi absolute. Ai ishte shumë i ndjeshëm ndaj zhurmës më të vogël. Jo vetëm kur flinte, por edhe kur punonte. Shokët e Shtabit i dinin këto hollësi dhe në lëvizjet e tyre ishin shumë të kujdesshëm. Nga ky rregull absolut bënte përjashtim djali i Vitori Titanit, Gjergji, që nuk ishte më shumë se 10 vjeç. Ai ishte i përkëdheluri i tërë Shtabit dhe partizanëve që shërbenin aty, por veçanërisht atë e donte shumë Enveri.

Gjergji ishte i përjashtuar nga rregulli e disiplina që mbretëronte në të gjithë mjediset e Shtabit të Përgjithshëm. Por edhe ai e kishte një autoritet që i bindej. Kjo ishte e ëma, Vitori Titani, infermierja dhe kuzhinierja e Shtabit. Vitoria ishte një anëtare e vjetër e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, familjarisht e lidhur me luftën, vetë trime dhe e palodhur. Ajo respektohej më tepër se një motër nga Enveri i pari e deri te partizani më i thjeshtë. Kur ajo, një grua e re, me fëmijën, dritën e syrit, kishte marrë mbi vete tërë atë përgjegjësi, tërë atë rrezik, po ne, djem të rinj çfarë duhej të bënim? Shembulli i saj më ka ndjekur tërë jetën në çdo detyrë që kam kryer. Shumë vite më vonë u takova me Gjergjin; ai një kuadër i arsimuar e i kulturuar dhe unë i thinjur. U emocionova kur e takova, e përqafova si fëmijën tim.

Por u ligështova vite më vonë, kur mora vesh një ngjarje të hidhur për jetën e Gjergjit, që ishte dënuar për politikë dhe vuante dënimin në Burgun e Burrelit. Më erdhi keq për të, por më shumë më ligështoi gjendja që duhej të përjetonte Vitoria, kjo partizane e nderuar e grua trime që mori mbi vete rreziqe të mëdha në emër të Atdheut, kur shoqet e saj shëtisnin bulevardeve të Korçës… Po le të kthehemi te jeta në mal… Enveri ishte shumë i rreptë me rregullat e vendosura. Për shkeljen më të vogël nuk të falte. Komunikonte nga afër me ne partizanët. Pyetjet e tij ishin të shumta: mbi orët e shërbimit, në kishim ftohtë, si ushqeheshim, në duhej të sillnim rroba më të trasha e më të ngrohta, në kishim lajme nga familjet, në kishim ankesa për sjelljen e ndonjërit nga shokët e Shtabit.

“Një natë,-tha ai- gjatë një bisede, rastësisht dola dhe roja e hyrjes kryesore, për disa minuta, nuk ishte në krye të detyrës. Kjo nuk është hiç disiplinë partizane. Këto sjellje, ta dini, se na kushtojnë shtrenjtë, se këtë kërkon armiku, të na gjejë në gjumë”. Ne shërbenim me orë të zgjatura se ishim pak partizanë. Secilit i takonte, përveç shërbimeve të tjera, të rrinte deri në 10 orë jashtë në borë e në shi. Akoma nuk ishim plotësuar me efektivin e nevojshëm. Ato ditë pritej të vinte dhe një grup tjetër nga partizanët e Brigadës së Parë. Sidoqoftë, dita-ditës, përballeshim me ngjarje nga më të ndryshmet. Një natë vonë, rreth orës 24:00, në Lagjen e Xhamisë, siç i thoshin fshatarët, rreth 20 minuta larg nesh, u dëgjuan disa breshëri pushkësh e automatikësh. Enver Hoxha punonte në dhomën e tij nën dritën e llambës. Sa dëgjoi krismat, doli dhe urdhëroi ngritjen ne alarm. Shokët e Shtabit i urdhëruan që të zinin pozicione jashtë ndërtesës dhe secili të merrte dokumentet. Vetë Enveri grumbulloi dokumentet e tij.

Në çdo situatë, veprimi i parë që ai kryente ishte sigurimi i dokumenteve. Aty për aty, duke u kthyer nga mua, më porositi se nëse vinte ndonjë korrier, t’i merrja letrën dhe t’ia dorëzoja sa më parë. Mbas 30 minutash, zjarri i armëve u ndërpre dhe pas pak mbërriti një korrier. Letrën që ma dha mua, ia dorëzova Enverit menjëherë. Ai e lexoi dhe shpejt e shpejt shkroi një letër tjetër. Korrieri e mori dhe u largua si vetëtimë. Pas kësaj, Enveri na mblodhi dhe na sqaroi se në Panarit kishte ardhur një çetë balliste, por partizanët i kishin zënë të tërë robër. Dua të nënvizoj se gjatë gjithë kohës, Enveri ishte jashtëzakonisht i qetë, masat i mori me qetësi të plotë.

Vetë u armatos me pistoletë dhe njëherazi bëri gati dhe automatikun “Tomson”. Po atë mëngjes, në shtëpinë e xha Çokes, ku qëndronim ne, u hap kuja. Ishte vrarë i biri, si ushtar i Ballit. Disa ditë pas kësaj ngjarjeje më lajmëron roja e jashtme duke thënë se kishte ardhur Petrit Dumja dhe se kërkonte të takonte Enverin. Trokita në derën e dhomës dhe po prisja të më thoshte për të hyrë. Kur Enveri punonte, ishte e vështirë të futeshe brenda. Disa herë na kishte tërhequr vëmendjen. Meqë nuk reagoi, po prisja që të dilte vetë. Pas pak doli dhe më pyeti se pse kisha trokitur. I thashë se ka ardhur Petrit Dumja dhe kërkon të takohet me ju. “Mirë,më tha,- lajmëroje të vijë”.

Mbylla derën dhe po qëndroja në korridor në vendin tim të shërbimit. Biseda brenda pothuajse dëgjohej. Enveri po e kritikonte rëndë Petrit Dumen për pushkatimet masive që kishte bërë ndaj ballistëve, të zënë rob disa ditë më parë në lagjen e “Xhamisë”. Më kujtohet se si i tha: “Ata janë njerëz të thjeshtë, pavarësisht se armiku i ka gënjyer. Ne duhet t’i bindim. Ja, ne jemi brenda në shtëpinë e tyre. Këtu po kërcet kuja dhe ne qëndrojmë brenda. A e kuptoni çfarë bëni apo jo?” Enverin e kishte nxehur shumë kjo ngjarje, aq sa dhe kur u ndanë, Petritit nuk ia dha dorën.

Në fakt, që nga ajo ngjarje, në radhët tona ishte krijuar një gjendje e rëndë. Dhoma ku banonim ne partizanët që ruanim shtabin, një korridor e ndante nga dhoma ku qëndronte familja e xha Çokes. Atij i ishte vrarë i biri, ndofta në nxitim e sipër të Petrit Dumes. Gratë po qanin me kujë. Nga ana tjetër, një shoku ynë ishte futur në një qoshe të dhomës ku qëndronim dhe po i frynte avazit me cule. Një nga gratë e shtëpisë që e dëgjoi, e shau rëndë.

Enver Hoxha sa e mësoi këtë xhest, në rastin më të parë na thirri dhe filloi qortueshëm: “Cili nga ju i ka rënë cules ditët kur familja e xha Çokes ishte në zi?” -Unë,- iu përgjigj aty për aty shoku ynë M.GJ. “Keq, shumë keq. Kjo nuk është njerëzore”, foli i zemëruar Enveri. “Po ai ballist ishte”, u justifikua tjetri. “Çfarë ballisti more. Një fukara që mezi ushqehej, që punonte tërë ditën për bukën e gojës. Një i gënjyer që ka vajtur ushtar i Ballit për një karroqe misër. Përse këta fukarenj të gënjyer do trajtojmë si armiq ne? Kurrën e kurrës!

TAKIMI ME ZAHO KOKËN

Mbërriti një ditë në Shtabin e Përgjithshëm Zaho Koka. Unë nuk e kisha njohur më parë atë, por emrin ia kisha dëgjuar. Një mal e ndante Vunoin, fshatin e tij, me Bratajn, fshatin tim. Ardhja e tij ishte një ngjarje e gëzuar për ne partizanët. Ai na solli lajme nga Vlora, për miqtë e të njohurit e përbashkët. Zaho Koka ishte vetë i tretë, me vete kishte dhe një pliko të adresuar për Shtabin e Përgjithshëm. Sa e morëm plikon, ia dorëzuam menjëherë Enverit, i cili sa e mori doli menjëherë jashtë dhe u takua me përzemërsi me Zahon dhe shokët e tjerë. Zahos i futi krahun dhe e mori në zyrën e tij. Se çfarë biseduan dhe çfarë porosie i dha Enveri nuk mora dijeni, po vura re se Zaho, ai djalë i gjatë e i pashëm, dukej i vrarë shpirtërisht. Ato çaste asgjë nuk na tregoi.

Qëndruam bashkë tri apo katër ditë. Bisedonim deri vonë dhe ia merrnim labçe. Zaho ia kthente shumë bukur. Ditën që u largua e përcolli vetë Enveri deri në njëfarë vendi. Unë me një partizan tjetër ecnim disa hapa mbrapa. Kur do ndaheshin, Enveri i tha: “Për ne je ti Zaho që ke qenë”, dhe e përqafoi me dashuri. Pastaj shtoi se kishte besim të plotë që ai do të punonte e luftonte siç dinin djemtë trima të bregdetit, si për ta nxjerrë nga ajo gjendje emocionale në të cilën ndodhej Zahoja. Aty u ndanë. U ndamë edhe ne me këtë shok të mirë, që u vra atje në ballë të luftës vetëm pak ditë më vonë. Kur po ktheheshim për në zyrat e Shtabit, Enveri i brengosur dhe shumë i mërzitur na tha: “Shokët tanë po ngatërrojnë dynjanë”.

Ne nuk dinim gjë se çfarë kishte ndodhur me Zahon, nuk e kishim mësuar akoma historinë tragjike të Ramizesë, por më vonë do të sqaroheshim dhe për misionin e Zahos në atë vizitë ne Shtabin e Përgjithshëm. Në një nga ditët që qëndronim në Panarit na thirri Koçi Xoxe dhe na mori emrin, mbiemrin, nga ishim me origjinë etj.. Na pyeti nëse kishim bërë pjesë në ndonjë grup të vogël andej nga kishim qenë. Unë i thashë se kam bërë pjesë në celulën e Partisë së Beratit qysh nga prilli i vitit 1943. Po kështu dhe në Brigadën e Parë. “Ke qenë komunist?” pyeti ai. “Po!”, i thashë.

Komunistë jemi të gjithë ne, jo vetëm unë”. Ai na sqaroi se në fakt ne nuk kishim qenë komunistë, por pjesëtarë të grupeve edukative, kandidatë për t’u bërë komunistë, gjë që nuk e dinim. E pamë me habi këtë shpjegim të Koçit, madje edhe u shprehëm. Ai me sa duket e kuptoi gjendjen tonë dhe u shpreh: “Komunistë do të jeni këtej e tutje”. Na dukej se këtu kishte ndonjë ngatërresë, aq më tepër që Koçi Xoxen nuk e kishim dhe aq përzemër. Qazim Mali na tha se po të kishim të bënim me Bacën, ndofta nuk do kishte ngatërresa të tilla. Këtë e dëgjoi Pandi Kristo. “Pse, nuk të pëlqen shoku Koçi zotrote?”, iu kthye ai me inat Qazimit. “Jo,- u shfajësua Qazimi,- njësoj janë, po ashtu se si më shpëtoi ai llaf”.

NGA PANARITI NË HELMËS

Në Helmës, Shtabi i Përgjithshëm u vendos në shtëpinë e Mehmet Myslimit e të Novruz Bilimanit, të vetmet shtëpi dykatëshe në atë fshat. Enveri u sistemua në shtëpinë e Novruzit.

Ajo ishte një shtëpi e mirë, me dritare e hyrje nga perëndimi, me shkallë nga brenda, me një korridor të gjerë, me dyert e dhomave dhoma karshi njëra-tjetrës e me dysheme dërrase. Në shtëpinë e Mehmetit u vendos Omer Nishani me një pjesë shokësh, ndërsa ne partizanët ngritëm çadra në mes të një bahçeje. Helmësi ishte një fshat i qetë, vend i paekspozuar nga armiku.

Aty filluan të na vijnë dhe shokë të tjerë partizanë. Shërbimi po na lehtësohej, por edhe koha sa vinte e po ngrohej. Ndërkaq, edhe shokët e Shtabit po shtoheshin. Enveri si zakonisht punonte ditë e natë i vetëm në dhomën e tij. Llamba e vajgurit rrinte gjithë natën ndezur. Një ditë të bukur nga Vlora erdhën dy persona të shoqëruar nga dy partizanë. Njëri ishte civil, ndërsa tjetri i veshur me rroba ushtarake gjermane. I sollën aty të shoqëruar, por jo të arrestuar. Partizanët që i sollën na dorëzuan një pliko për udhëheqjen. Nga sa mësuam, civili ishte qytetar me origjinë çeke, ndërsa tjetri gjerman. Ata i mbajtëm në gjendje të lirë.

Nuk e kuptonim se çfarë ishin dhe pse i kishin sjellë. Sidoqoftë, shpejt gjërat filluan të sqarohen. I pari u mbajt në hetim qytetari çek. Kishte qenë drejtues i bangës së Vlorës. Ai u mor në pyetje intensivisht dhe u zbërthye. Ia kaluam gjyqit partizan siç na urdhëruan. Më vonë morëm vesh se ishte dënuar me pushkatim. Ai doli se kishte qenë një spiun i rrezikshëm. Njëherazi filloi dhe hetimi për ushtarakun gjerman. Me orë të zgjatura, ditën dhe natën, ai pyetej dhe pyetej papushim.

Mbaj mend se Enveri porosiste me rreptësi: Asnjë lëshim për oficerin nazist! Është zbulues tepër i rrezikshëm. Ruajeni dhe nga vetëvrasja se na prishi shumë punë”. Dhe ne e lidhëm gjermanin me hekura gjermane për këmbësh e duarsh. E mbyllëm në një gazhdare kuajsh dhe e ruanim me shumë kujdes. Bashkë me të, në atë gazhdare ishte dhe gomari i xha Novruzit, me të cilin kishim gjetur belanë se nuk na linte rehat.

Panorama

AFRIM IMAJ

Më Shumë

Arrestohet një person në Prizren për kanosje dhe mbajtje të paautorizuar të armëve

Një person është arrestuar mbrëmjen e djeshme në Prizren nën dyshimin për kanosje me armë dhe mbajtje pa leje të një arme automatikë. Ngjarja ka...

Petrit Kryeziu kandidat i vetëm për pozitën e kryeprokurorit të Prizrenit

Prokurori  Petrit Kryeziu është kandidati i vetëm për pozitën e kryeprokurorit të Prizrenit. Kjo është bërë e ditur në mbledhjen e 275-të të Këshillit Prokurorial...

Lajmet e Fundit