11.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Rrëfimi i të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Prizren (Video)

pz-viktima2-300x188Të mërkurën nga orën 17:00 është mbajtur seanca për caktimin e masës së paraburgimit për E.Sh., të dyshuarin për vrasjen e trefishtë që ndodhi të dielën në qytetin e Prizrenit.

I pandehuri E.Sh. së bashku me djalin e tij me iniciale të njëjta dyshohen për kryerje të dy veprave penale, atë të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje dhe të armëmbajtjes pa leje.

Gjykatësja e procedurës paraprake Raima Elezi, konstatoi se për këto vepra penale janë dy të pandehur, mirëpo tha se i pandehuri i dytë ende ndodhet në arrati.

Gjykatësja, para të pranishmëve lexoi përshkrimin e ditës kritike.

“Dy të pandehurit, babë e bir, ditën kritike me automjetin e tyre Golf 2, të cilin e drejtonte i pandehuri i dytë që ndodhet në arrati, kishin shkuar në vendin e ngjarjes ku nga automjeti kishte dalë i pandehuri i pare me armën automatike që kishte në dorë, ndërsa djali i tij me pistoletë në dorë, filluan të qëllojnë ku lanë të vdekur tre viktimat, Haki Thaçi, Ferdi Shishko dhe Belgin Ersoj. Nga aty largohen me veturë të cilën e drejtonte i pandehuri i dytë”, tha gjykatësja Elezi.

Prokurori i shtetit, Genc Nixha, i propozoi gjykatës që ndaj të pandehurit të caktohet masa e paraburgimit.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen dhe se në këtë rast ekziston rreziku i ikjes nga vendi, gjë të cilën e vërteton edhe fakti i të pandehurit të dytë i cili ende ndodhet në arrati, poashtu duke marrë parasysh peshën e veprës penale të kryer, ekziston rreziku se të njëjtit mund të kryejnë edhe vepër tjetër penale”, tha prokurori Nixha.

Mbrojtësi i të pandehurit, avokati Mahmut Halimi, i propozoi gjykatës që rreth ngjarjes të deklarohet vet i pandehuri.

“Sa i përket dyshimit të bazuar, unë për shkaqe objektive nuk jam në gjendje të paraqes opinionin tim se sa është i mbështetur dhe i bazuar dyshimi në këtë fazë, andaj i propozoj gjykatës që të pandehurit t’i jepet mundësia nëse është i gatshëm të jep sqarime rreth rastit tragjik, ngase kjo mundësi nuk ju ka dhënë deri më tani” tha avokati Halimi.

Në parim, avokati Mahmut Halimi nuk kundërshtoi masën e caktimit të paraburgimit.

Ndërsa i pandehuri u deklarua se vjen nga fshati Struzhe i Prizrenit, që është baba i 4 fëmijëve dhe që kishte të kryer shkollën e mesme, u deklarua se nuk kishte kryer ndonjëherë vepër tjetër penale.

“Kurrë s’kam qenë i dënuar në Kosovë, asnjëherë, as para lufte, e as paslufte” tha i pandehuri, i cili nuk u pyet se a kishte kryer ndonjë vepër penale jashtë shtetit.

Ai më tutje vazhdoi rrëfimin rreth ditës tragjike.

“Unë jam ndie shumë keq, se njerëzit kanë humbur familjarë, por qe dy vite kam qenë i detyruar nga ta, sepse vazhdimisht më kanë kërcënuar mua dhe djalin vazhdimisht”, tha i dyshuari E.Sh.

“Ditën kritike, kam dalë me djalin me ble gjana për nevoja familjare dhe rastësisht jam takuar me ta, kur kam dalë nga kerri Hakia me Ferdin e kanë fut dorën në brez, ja’u pashë alltiat, edhe m’kanë thonë “a po dush ala me t’zbutë”. Të tretë kanë folë, kur e kam pa që po dojnë me i nxjerrë revolet, atëherë e kam qelë gepekin edhe e morra kallashin. Prej tutës që po ma vrasin djalin unë e kam bo veprën, aty e kam humb kontrollin”, rrëfeu i pandehuri.

Ai më tutje tha të mos ketë përdorur armë ndonjëherë tjetër.

“Kurrë armë në dorë nuk kam pas, veç kam gjuajt pa kontroll… veç edhe diçka po du me ju thonë, edhe revolen unë e kam pas, djali nuk ka pas dorë, ai vetëm ka vozitë, bile kur kam dalë prej makinës, djali m’ka thënë “babi mos bën dëm mo”, tha i pandehuri në gjykatë.

Ai, në fund shprehu keqardhje për familjarët e të vrarëve.

“Edhe njëherë po ju them se më vjen shumë keq për anëtarët e familjeve të tyre që ka ndodhë kjo, po më kanë detyrue, me vjen keq se edhe unë kam familje. Tjetër nuk kam çka të deklaroj”, përfundoi i pandehuri.

Gjykatësja e procedurës paraprake Raima Elezi, njoftoi se vendimin për caktimin e masës për sigurinë e prezencës së të pandehurit, do ta marrë të enjten. /kallxo.com/

Më Shumë

Ylli e barazon serinë finale ndaj Trepçës

Golden Eagle Ylli e ka barazuar serinë ndaj Trepçës, duke fituar me rezultat shumë të ngushtë në Suharekë. Ylli triumfoi me një pikë diferencë 80:79...

Në 25-vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit, djali i tij publikon një letër të shkruar nga i ati

Kryetari i Komisionit për të Pagjeturit, Andin Hoti, në 25-vjetorin e zhdukjes së babait të tij, veprimtarit Ukshin Hoti, e ka përkujtuar atë mënyrë...

Lajmet e Fundit