12.8 C
Prizren
E premte, 10 Maj, 2024

“Sheki” pranon fajësinë për veprën e tretë penale

sheki_562774Sulmuesi i stacionit policor “Alfa” në Prizren, Shefqet Hallaqi i njohur si “Sheki” sot në Gjykatën Themelore në Prizren ka pranuar fajësinë edhe për veprën e tretë penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, ndërsa nuk pranoi fajësinë për veprën e katërt penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Në fjalën përfundimtare prokurorja e shtetit, Ervehe Gashi, ka kërkuar që “Sheki” të shpallet fajtor për veprat penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “armëmbajtje pa leje” për të cilat ai ka pranuar fajësinë.

Sa i përket veprës penale të “përdorimit të armës”, për të cilën i akuzuari nuk ka pranuar fajësinë, prokurorja para trupit gjykues përmendi disa raste të cilat e vërtetojnë kryerjen e kësaj vepre penale.

Prokurorja kërkoi që deklaratës së të akuzuarit se pas zbritjes nga taski nuk i kujtohej asgjë, të mos i falet besimi, ngase sipas saj, shumë detaje tjera i kujtoheshin të akuzuarit, ndërsa pikërisht momenti përdorimit të armës nuk i kujtohej.

“Deklarimit të të akuzuarit se i njëjti nga momenti kur ka zbritur nga taksi blu, natën kritike në afërsi të ndërtesës së Prokurorisë, e që nuk i kujtohet asgjë, nuk duhet t’i falet besimi, ngase me një deklaratë të tillë dëshiron t’i shmanget përgjegjësisë penale ose ta zvogëlojë të njëjtën”, tha prokurorja Gashi.

Ndërsa sa i përket veprës penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” prokurorja Gashi bëri ricilësimin e kësaj vepre penale nga paragrafi 2 në të cilin parashihej dënimi deri në 3 vjet burg në paragrafin 1 për të cilin parashihet deri në 1 vit burg.

Pas këtij ricilësimi në paragrafin 1, me kërkesën e mbrojtjes, Shefqet Hallaqi e pranoi fajësinë edhe për këtë vepër penale.

Avokati i “Shekit”, Naim Qelaj fjalën përfundimtare e dha vetëm sa i përket veprës penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ngase për tri pikat tjera të aktakuzës, klienti i tij kishte pranuar fajësinë.

Avokati tha se sa i përket veprës penale të “armëmbajtje pa leje”, nuk janë plotësuar elementet thelbësore të kësaj vepre.

“Konsideroj se pika 1 e aktakuzës dhe vepra penale e përshkruar në këtë pikë, i konsumon edhe veprimet e përshkruara në pikën dy”, tha avokati Qelaj.

Në rastin konkret ai tha se klienti i tij mund të ketë kryer vepër penale të kanosjes ndaj polices që kishte qenë në kabinën afër portës së stacionit policorë, por kurrsesi të ketë kryer veprën penale të përdorimit të armës.

Për fund, mbrojtja i propozoi gjykatës që ta refuzojë aktakuzën sa i përket pikës 2, ndërsa për tri pikat që i akuzuari ka pranuar fajësinë, kërkoi që t’i merret si rrethanë lehtësuese me rastin e marrjes së vendimit.

Ndryshe, i akuzuari “Sheki” kishte pranuar fajësinë për dy vepra – atë të “shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm” dhe të “armëmbajtjes pa leje”, ndërsa të premten ai pranoi fajësinë edhe për veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, ndërsa nuk pranoi fajësinë për veprën penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 23 mars 2015./Kallxo.com/

Më Shumë

Lajmet e Fundit