8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Shkrimtari, lexuesi dhe dashuria

7773962229_david-foenkinos-300x200Pas librit “Delikatesa” që e bëri të njohur për publikun shqiptar, vjen një tjetër roman i David Foenkinos, “Zigzage takimesh”. Historia e dashurisë së parë dhe të fundit, në një takim me shkrimtarin në prag Shën Valentini

Frici takohet për herë të parë me Alisën në moshën 20-vjeçare. Është dashuri me shikim të parë. Dashuria e madhe e jetës së tyre. Megjithatë, fati nuk parashikon një bashkim jetëgjatë dhe të fortë për ta. Historia e Fricit dhe e Alisës është një histori ndarjesh dhe ritakimesh. Ata e hasin njëri-tjetrin në rrethana herë komike e herë dramatike, herë mallëngjyese, herë rastësore dhe në atë çast ngjan sikur koha ka ndaluar në vend. Duke përshkuar historinë e Alisës dhe të Fricit, autori ndalet, me ironi, mbi aspekte të shumta që karakterizojnë marrëdhëniet në çift.

Një libër që Shtëpia Botuese “Pegi”, me përkthimin nga frëngjishtja të Edmond Tupes, e sjell për të gjitha çiftet e dashuruara. Ndaj jo më kot ka zgjedhur prag-Shën Valentinin për ta nxjerrë në librari. Një roman për të gjithë ata që e kanë njohur dikur dashurinë dhe e kanë humbur atë. Për ata që besojnë në përfundimet e lumtura, edhe kur nuk ka asnjë arsye për të besuar…

Ky libër i autorit francez vjen fiks një vit pas botimit në shqip të “Delikatesa”, bestselleri i përshtatur për kinematografinë me protagoniste aktoren Adurey Tatou. Edhe në Shqipëri rezultoi pa dyshim një sukses ashtu si në të gjithë Europën, duke u kthyer menjëherë në më të shiturin e muajit, i cili jo rastësisht ishte zgjedhur shkurti. Edhe “Zigzage takimesh” është një tjetër histori dashurie nga pena e Foenkinos, i cili i serviret publikut në muajin e të dashuruarve. Në kritikën që i kanë bërë librit, e cilësojnë si një libër që rikthen buzëqeshjen. “Dhurojani gjithë të dëshpëruarve të kësaj bote, për t’u rikthyer buzëqeshjen. Për vetë të dëshpëruarit, blijeni! Dhe për ata që nuk janë të dëshpëruar, një kurë e vogël gajasjesh nuk bën kurrë dëm! Lexojeni!” thuhet për librin në Petites lectures entre amis.“Për të kanë thënë se ishte ‘mashkulli që u pëshpëriste në vesh grave’, gjë që ai e urren. Nuk është e drejtë: librat e tij kanë po aq heronj sa edhe heroina. Është e drejtë: ai flet vetëm për dashurinë. Dashurinë që lind, që arratiset, dashurinë e pastër, të çmendur, të shtrembër, hileqare, të gabuar, dashurinë e përhershme, dashurinë e asnjëhershme”, – shkruan L’Hebdo për autorin. Ai tashmë ka arritur numrin 14 të romaneve të botuara dhe boton kudo. David Foenkinos është autor i dhjetëra romaneve të përkthyera në dyzet gjuhë të botës. Sipas gazetës “Le Figaro”, “Delikatesa”, romani i tij i parë i sjellë në gjuhën shqipe, e bëri një nga pesë autorët më të shitur në Francë më 2011-ën. Ky roman fitoi dhjetë çmime letrare. “Zigzage takimesh”, i shkruar në 2008, është libri i tij i dytë në gjuhën shqipe.

Vitin e kaluar autori vizitoi Shqipërinë me ftesë të botueses shqiptare. Në një intervistë dhënë për gazetaren Arta Çano, autori flet për letërsinë, dashurinë, të birin dhe Shqipërinë…

Në Shqipëri ka pasur për vite të tëra dhe ndoshta vazhdon ende një pothuaj-adhurim për të huajt. E ndjetë këtë gjatë vizitës në Tiranë?

Adhurim? Nuk e kam ndjerë. Kam fjetur vetëm gjithë këto net. Në rregull, të bëhemi serioz, më pëlqeu shumë pritja, një pritje e ngrohtë, kam ndjerë me të vërtetë interes. Është një shkëmbim i mirëfilltë dhe unë që udhëtoj shumë, shkëmbimin me njerëzit e vlerësoj, është diçka pasionante. Edhe qentë në rrugë më duan shumë.

Dije diçka për Shqipërinë para se të vije këtu?

Që të jem i sinqertë, nuk dija ndonjë gjë të madhe dhe pikërisht për këtë arsye pranova ftesën që të vija. Në fakt, unë kam një lloj preference për vendet e Lindjes, shumica e romaneve të mia kanë ngjarje nga Lindja, shumë nga librat e mi janë përkthyer në Rusi, në Rumani, në Serbi dhe kisha interes për ta përfshirë dhe Shqipërinë në këtë njohje.

Ndoshta dhe në romanet e ardhshme…

Ka mundësi. Nuk mund ta konfirmoj, por është frymëzuese. Nuk kam parë një qytet si ky, më bëri shumë përshtypje nata aq e qetë…Ne frymëzohemi nga udhëtimet, nga takimet, por duhet një farë kohe për ta përpunuar këtë informacion.

Ka një alkimi me përkthyesin në shqip dhe pse nuk e keni zgjedhur vetë…

Më pëlqeu dhe më shumë kur mora vesh se kishte shkruar një fjalor erotik. Nga ana tjetër, unë e di që ai ka bërë një punë shumë të mirë me përkthimin, që është një personalitet i përkthimit në Shqipëri, që ka bërë shumë për promovimin e librit. Përkthimi është shumë, shumë i rëndësishëm për librin dhe për mua është një fat i rrallë që jam përkthyer nga një përkthyes si ai.

Shkruani me idenë për të krijuar bestseller-a?

Jo, unë nuk shkruaj për të krijuar bestseller-a. Unë si fillim jam shumë i lumtur që jetoj me letërsinë, pra që fitoj mjaftueshëm sa për të jetuar. Unë vërtet nuk dua të shkruaj libra komercialë, unë shkruaj për lexuesin.

Kur e kuptuat për herë të parë që ishit bërë i njohur?

Momenti i parë kur e kuptova ishte kur “Delikatesa” u bë fenomen, vera e vitit 2011. Libri shitej 4 mijë kopje në ditë. Shikoja kudo njerëz në metro që lexonin “Delikatesën”, në plazh shumë njerëz e kishin nëpër duar. Mendoja se mos ishte shaka e gjitha kjo, sepse ishte shumë e çuditshme, nuk mund të ishte e vërtetë. Më sillnin vazhdimisht mesazhe apo foto që tregonin se po e lexonin këtë libër, ishte e gjitha shumë e pabesueshme. Ky ishte momenti që e kuptova që isha bërë i njohur. Dhe fama e vërtetë është çasti kur bankieri të merr në telefon thjesht për të pyetur: “Si jeni? Ndonjë të re?”.

Si ju ka ndryshuar marrëdhënia me femrat pasi jeni bërë i njohur?

Jam shumë i zhgënjyer, është katastrofë tani. Mendoja se do ishte shumë më mirë, por është më keq.

Flasim pak për disa elementë që karakterizojnë romanet tuaja. Ju i jepni emrit të një personazhi rëndësi të veçantë, duke aluduar që ai mbart një pjesë të karakterit të personazhit. Për shembull, Natalia e romanit “Delikatesa” sipas jush, është emri i një femre melankolike, ashtu si dhe Alis, në romanin “Nos Separations” (Zigzage takimesh) është emri i një vajze që duhet të ishte në një roman çek…Ç’është ky fiksim me emrat? Diçka që e keni dhe në jetën e përditshme, apo e sajuar gjatë procesit të të shkruarit?

Po, keni shumë të drejtë. Është e vërtetë që kam një obsesion me emrat. Për mua emri do të thotë 80 për qind e identitetit të një njeriu. Për Natalinë m’u desh shumë kohë që ta gjeja emrin e personazhit dhe kur e gjeta e kuptova që gjithçka që ajo do të bënte do të ishte Natali, që do të thotë që emri do përfaqësonte gjithçka që ajo do bënte.

A ka një ngjarje të rëndësishme që ju ka përcaktuar në njëfarë mënyre më shumë se çdo gjë tjetër e që ka ndikuar mënyrën tuaj të të qenit dhe të shkruarit?

Po, është e vërtetë. Një ngjarje më ka ndryshuar gjithë jetën. Kam qenë shumë, shumë i sëmurë kur kam qenë 16 vjeç. Kam bërë një operacion të vështirë në zemër dhe që nga i moment ndryshoi çdo gjë: raporti me librat, letërsinë, muzikën, pikturën, madje dhe me gratë, qasja me seksualitetin. Më parë në shtëpinë time nuk lexohej, nuk ishim një familje ku lexohej shumë, por më pas çdo gjë ndryshoi

Na thoni diçka për të jetën, të përditshmen tuaj.

Jeta ime është e dyfishtë. Kam një jetë me udhëtime për të prezantuar librat ose filmat. Pastaj kam dhe jetën shumë të qetë në Paris, ku mund të kaloj gjithë kohën duke shkruar apo duke qëndruar me djalin tim. Nga një anë mund të dukem si murg dhe nga ana tjetër si ai që feston gjithë natën. Më pëlqen shumë ky kontrast, një here jam në udhëtime, në ture, në qendër të vëmendjes dhe pastaj jam ai njeriu i qetë që rregullon shtëpinë, bën pazarin, vë rrobat në lavatriçe, gatuan, çon dhe merr djalin nga shkolla.

Dhe kur jeni duke shkruar një roman, jeni një njeri i mbyllur e i veçuar, apo një gjendje tjetër karakteristike për ju? Si jua ndryshon rutinën romani që keni në dorë?

Jo nuk ma ndryshon. Unë shkruaj gjithë kohës, paradite në hotel kur jam me udhëtime, në metro, në tren, në avion. Sepse kur shkruaj, shkruaj gjithë kohës ato që kam në kokë.

* Marrë me shkurtime nga intervista e botuar në revistën “Madame MAPO”.

Më Shumë

Zyrtare: Roma konfirmon se De Rossi do të vazhdojë si trajner në 2024-25

Dan dhe Ryan Friedkin njoftojnë se Daniele de Rossi do të qëndrojë në krye të Roma-s në sezonin 2024-25. Pronarët e Roma-s, Dan dhe Ryan...

Moti sot: Me rrebeshe shiu dhe shkarkime rrufesh

Të enjten mbi Kosovë parashihet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell.   Sipas Meteo Kosova, gjatë orëve të para...

Lajmet e Fundit