Komuna e Prizrenit gjatë vitit shkollor 2024/2025 do të vazhdojë praktikën e mbulimit të shpenzimeve të udhëtimit për mësimdhënësit udhëtarë.
Sipas zyrtarëve të lartë komunalë lidhur me këtë çështje është bërë planifikimi buxhetor sikurse që është iniciuar edhe procedura e prokurimit, raporton Telegrafi.
Mësimdhënësi Jetmir Osmanaj është shprehur mirënjohës për këtë veprim të Komunës, që sipas tij, krijon lehtësira për mësimdhënësit udhëtarë, sidomos në situatën aktuale ekonomike.
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
Ndërkaq mësimdhënësi Azem Thaqi ka shtruar pyetjen nëse është nënshkruar kontrata me operatorin ekonomik.
“Çdo herë po kemi probleme në fillim të vitit shkollor. Po na shkon muaji i parë dhe i dytë derisa po i marrim biletat. Sivjet a është bërë kontrata me kompaninë apo jo? A do të shkojmë me pagesën me të holla apo me bileta?”, është shprehur ai.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj Gutaj ka sqaruar se prokurimi është iniciuar dhe se ndonjëherë shkaku i burokracisë mund të ketë vonesa. Por sipas saj pavarësisht kësaj mësimdhënësit kompensohen, raporton Telegrafi.
“Drejtoria e Arsimit me kohë ka bërë planifikimin dhe ka hapur thirrjen për transportin e mësimdhënësve udhëtarë. Megjithatë e dimë se mund të ketë procedura burokratike në procesin e prokurimit dhe ndodh që ndonjëherë të ketë vonesa, por ato vonesa kompensohen në mënyrë retroaktive. Jemi në fazën e vlerësimit të ofertave dhe shpresoj se në shtator do të jemi të gatshëm. Ajo nuk varet nga ne, por nga prokurimi. Ne e kemi hapur thirrjen për mbulimin e transportit me bileta”, ka thënë Veselaj Gutaj.
Komuna e Prizrenit prej vitesh mbulon shpenzimet e udhëtimit për mësimdhënësit udhëtarë. /Telegrafi/