13.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Shqipëria bën përparim në luftën kundër korrupsionit

Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit i Këshillit të Evropës, në një raport të publikuar të enjten, njohu përparimin e bërë nga Shqipëria në zbatimin e rekomandimeve të tij për parandalimin e korrupsionit te parlamentarët, gjyqtarët dhe prokurorët, por po ashtu kërkoi një sërë përmirësimesh dhe realizimin e reformave në pritje.

Ky Grup i shteteve thekson se Shqipëria, deri më tash, i ka përmbushur plotësisht katër nga dhjetë rekomandimet e lëshuara në raportin e tij të vlerësimit më 2014; gjashtë të tjerat janë zbatuar vetëm pjesërisht.

Raporti i fundit e cilëson si hap të rëndësishëm miratimin e Kodit të Sjelljes për Anëtarët e Parlamentit, në prill të vitit 2018. Ky kod mbulon çështje të tilla si konfliktet e interesit, aktivitetet shtesë dhe dhuratat.

Megjithatë, në raport shprehet keqardhje për mungesën e qartësisë në lidhje me zbatimin e këtyre rregullave dhe sanksionet në rast të shkeljes, të cilat nuk përmenden shprehimisht në tekstin e Kodit të Sjelljes.

Raporti nënvizon nevojën për një mekanizëm zbatimi, përfshirë sanksionet, që do ta bënte kodin efektiv.

Raporti e cilëson si hap pozitiv edhe shkurtimin e periudhës së kontrollimit të deklaratave të pasurisë nga ana e deputetëve, si dhe publikimin e tyre në ueb-faqe zyrtare.

Sa u përket gjyqtarëve, një reformë e madhe e gjyqësorit është në proces qysh në vitin 2014, ashtu si edhe procesi i verifikimit për gjykatësit, me qëllim luftën kundër korrupsionit në këtë sektor.

Raporti i Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit i Këshillit të Evropës e mirëpret faktin që, në kuadër të paketës së reformave, roli i presidentit të Republikës në emërimin formal të gjykatësve të Gjykatës së Lartë është kufizuar, me propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Zhvillim tjetër pozitiv, sapo të përfundojë reforma, është se funksionimi i administratës gjyqësore nuk do të jetë më përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë, por e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe se ky i fundit do të jetë përgjegjës për vendosjen e standardeve etike dhe monitorimin e tyre.

Raporti e konsideron si hap pozitiv edhe krijimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë si autoritet përgjegjës për trajtimin e ankesave, hetimin e shkeljeve dhe inicimin e procedurave disiplinore kundër gjykatësve, edhe pse vë në dukje se posti është ende bosh. Në raport shprehet keqardhje, ndërkaq, për vonesat e vazhdueshme në vlerësimet periodike të gjyqtarëve.

Sa u përket prokurorëve, raporti thekson përparimin në strukturën ligjore për vlerësimin e tyre, e cila do të përfshijë më shumë kritere në lidhje me integritetin dhe standardet etike, edhe pse Këshilli i Lartë Prokurorial, i cili do të jetë përgjegjës për vlerësimin e prokurorëve, nuk është themeluar ende.

Në fund, Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit i Këshillit të Evropës u kërkon autoriteteve shqiptare të japin një përditësim rreth zbatimit të rekomandimeve, më së voni deri më 31 mars, 2019. /REL

Më Shumë

Me lot në sy, Kiara publikon foton e Luiz Ejllit duke mbajtur vajzën në krahë

Luiz Ejlli dhe Kiara Tito dje janë bërë prindër për herë të parë. Kiara ka ndarë me ndjekësit një foto të papublikuar më parë, direkt...

Ndërron jetë veterani i arsimit prof. Sahit Sahitaj

Ndërroi jetë veterani i arsimit Prof. Sahit Sahitaj, njeriu që kontribuoi në arsimim të brezave të shumtë. I ndjeri ka qenë i padeshiruar për ish...

Lajmet e Fundit