19.8 C
Prizren
E diel, 8 Shtator, 2024

Shqipëria e dikurshme dhe e sotme e Montanelit

86573Është afër mendjes se shumë nga vështrimet të cilat i bëri ai më shumë se shtatëdhjetë vjet përpara të mos qëndrojnë ashtu si janë thënë. Por, nga ana tjetër, nuk mund të mos thuhet se pikëvështrimet e tij smbeten interesante. Indro Montanelli, atëherë një gazetar i ri, erdhi shumë i entuziazmuar të shikonte një aneks të vendit të vet sesi po merrte udhën nën hijen e civilizimit roman. Italia e kohës së ardhjes së tij në Shqipëri është e jashtëzakonshme sa i përket ambicieve të saj ekspansioniste. Gazetari i ri nuk i shpëton tundimit ta shikojë në lëkurë vendin, të cilin e ka dëgjuar deri më atëherë thjesht në konceptin ekzotik. Nuk ka njohuri aq të mira të Shqipërisë, por duket nga shkrimi dhe konkluzionet e tij se ka pasur në dorë material jo të vogël për të. Libri është më shumë një udhëtim reportazhor mbi Shqipërinë sesa një histori e dedikuar për të.

I bën më shumë përshtypje Shqipëria e Veriut dhe kullat e saj sesa fillimi i urbanizimit modern të qyteteve shqiptare. Tek e fundit e di se Shqipëria po merr vërtet fytyrën e ndërtimeve italiane, por fryma e saj gjendet ende thellw brenda vetë trupit të saj. Në këtë rast mrekullohet aq shumë, saqë shpesh do të thotë se harron edhe të shënojë detaje më të imta. Historia e vendit që paraqet është disi në dukje naive, por gjithsesi e shikon Shqipërinë në mënyrën më të përmbledhur të mundshme duke na dhënë me këtë rast një përshkrim të historisë së vendit, që mëton se ka histori më të madhe edhe sesa vetë perandoritë! Është shumë interesant në një moment kur shprehet se gjërat që e pengojnë këtë vend janë më shumë problemet e brendshme.

Të kujtohet që e sotmja është gati njësoj. “Lypset të saktësojmë se problemet më të rëndësishme të këtij shteti të ri, problemet e vërteta, ato që kushtëzojnë jetën e tij, janë problemet e brendshme, jo të jashtmet”. Mbështet planin nacionalist, të cilin e sheh si lëvizje interesante sa i përket ndarjeve, por edhe krijon idenë e një Shqipërie të bashkuar me vullnet e me dije…Por kujdes, a ka në vetvete shumë logjikë? Kjo është asgjë, thotë, pasi vendit i duhet të bëjë bonifikimin (të kujtojmë se në kohën kur shkruhet ka këneta pa fund dhe vdekje masive nga malarja). Problemet si atëherë kur i shikon Montanelli , janë pothuaj njësoj me të sotmet, që do të thotë se fillojnë nga problemet ekonomike dhe sociale, kombëtare, e jo problemet ndërkombëtare, që dërdëllisin ata që takon në Tiranë e Shkodër. Pasi “politika e jashtme, duke mos llogaritur këtu mbrojtjen e të drejtës për pavarësi dhe përkujdesjen për prestigjin e vet, është një luks që mund tia lejojnë vetes vetëm kombet e pjekur, me gjendje të brendshme të konsoliduar, të afta të mbështesin kërkesat e tyre të jashtme mbi forcën e bashkuar të një vendi të shkrirë e të bërë një në të territorin e vet, me institucione të sprovuara, me ushtri, marinë, shkolla, drejtësi, me klasa shoqërore të sheshuara, me një pasuri materiale dhe morale të kristalizuar”, shton ai.

Interesante është ajo që përshkruan për zhvillimin e këtij vendi dhe mënyra sesi ai e shtron problemin. Etapat mund të digjen por nuk mund të kapërcehen, thotë diku. Është optimist nga të rinjtë shqiptarë, por e lodhin llafologët e qytetit. Ndërsa në Tiranë i flasin për projekte dhe sajesa të ndërlikuara ndërkombëtare për Shqipërinë, fshatarët i flasin thjesht atë që duhet në vend. Në Tiranë, me sa duket italofilët, i flasin për ideologjia, kufizime, sisteme, kushtetuta, por fshatarët i flasin thjesht dhe ata janë masa e këtij populli. Ata i shprehen thjesht se: “Duam që paratë të mos vidhen, që kjo tokë të kthehet nga moçalishte në tokë buke, që rruga të vijë deri këtu, që të kemi një shkollë ku të shpiem fëmijët tanë, që buka të jetë e siguruar e të mos varet nga moti me shi apo me diell, që malaria të zhduket, që qetë tona të jenë më të shëndosha, që shtëpitë tona të jenë të vërteta dhe jo kasolle plot lagështirë”.

Ata nuk kërkojnë parti apo ideologji, duan të jetojnë shumë qetë dhe thjeshtë, thotë pak më poshtë. Kjo, sot, duket një aspiratë që i është afruar sërish vendit dhe nuk është ajo që prezantohet pas matricave të vështira të zhvillimit nga politikanët, ajo përbën thjesht një kërkesë për zhvillim të zakonshëm. Shqipëria është e përçarë në tarafe për të cilat duhet bërë ujdi dhe jo shtuar parti pa fund, shton sërish. Shqipëria, pas Luftës së Dytë Botërore, tregoi një energji të rrallë. Por Indro Montanelli spati mundësi ta shikonte më. Do të rrotullohej në andralla pa fund në Itali, kurse dalëngadalë edhe do ngjitej në një nga gazetarët më të mirë të historisë së vendit të vet. Dy të tretat e librit përfshijnë historinë e vendit por edhe problematikën e saj, që ai e plazmon përmes bisedave dhe njohjes reale të vendit në praktikë.

Në pjesën e mbetur, ai na përshfaq tokën dhe ndarjen e saj, tregtinë e jashtme, pasuritë pyjore, pasuritë blegtorale, financat, qarkullimin dhe tregtimin, çështjet fetare, gjuhën, si edhe letërsinë dhe arsimin. Libri lexohet me një frymë edhe pse duhet të themi se botimi ka kohë që është realizuar, ndërsa gjatë këtyre kohëve ka pasur edhe shumë e shumë botime të tjera të këtij lloji. Botimi i UEGEN është tepër i thjeshtë po i saktë dhe shumë për të vlerësuar. Libri përmban të vërteta të hidhura, që duke u përsëritur dhe në kohën tonë na bën të mendojnë se janë gjëra të futura thellë tek ne që nuk funksionojnë si duhet. Indro Montanelli ka një jetë të jashtëzakonshme, e cila nisi në periudhën mes dy Luftrave Botërore. Udhwtoi shumw, por më shumë se kaq, do vlerësohet për frymën e tij të papajtueshme që tregoi ngado.

E quajmë me fat ardhjen e tij në Shqipëri pasi ka lënë një trashëgimi të mrekullueshme, e cila duhet vlerësuar në të gjitha aspektet e saj. Edhe pse me kufizime të arsyeshme vëzhgimet dhe analizat e tij duhet jo vetëm të merren në konsideratë, por shërbejnë dhe si fillesë për një diagnostikim të mirë të vendit. Të dy përkthyesit kanë punuar shumë mirë dhe me kujdes. Grafikisht, libri lë shumë për të dëshiruar.

Më Shumë

E futën me forcë në veturë dhe pastaj e rrahën në oborrin e shtëpisë – dy të arrestuar në Mamushë për rrëmbim dhe sulm...

Dy burra kosovarë janë arrestuar në Mamushë më 31 gusht 2024, rreth orës 15:30, pasi dyshohet se kanë rrëmbyer dhe sulmuar një tjetër burrë...

Ndërron jetë Dr. Tyrhan (Rifat) Kosova, mjek i njohur në Prizren

Ka ndërruar jetë Dr. Tyrhan (Rifat) Kosova nga Prizreni. Ai ka ndërruar jetë më 2 shtator 2024, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në...

Lajmet e Fundit