7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Shtyhet gjykimi ndaj policit të akuzuar për rrahjen e dy personave në stacionin policor të Malishevës

Me kërkesë të avokatit Emrush Kastrati është shtyrë gjykimi ndaj zyrtarit policor, Mehdi Hoxha, i akuzuar për veprat penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike” dhe “lëndim i lehtë trupor.”

Gjykatësi Njazi Morina deklaroi se mbrojtësi i të akuzuarit Hoxha, avokati Emrush Kastrati, përmes parashtresës ka kërkuar që seanca të shtyhet me arsyetimin se në këtë datë ndodhet në një gjykim tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata konstaton se më  26 qershor 2021, avokati Emrush Kastrati  ka kërkuar që seanca e sotme te shtyhet për një ditë tjetër, ku parashtresës për shtyrje ia ka bashkangjitur edhe ftesën për seancën të cilën e ka për sot në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Deçan”, tha gjykatësi Morina.

Me vendim të gjykatësit Morina, kërkesa e avokatit Kastrati është aprovuar dhe seanca e radhës është caktuar më 9 shtator 2021, në ora 10:40.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 2 tetor 2019 ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Mehdi Hoxha, me arsyetimin se i njëjti, më 25 dhjetor 2018, rreth orës 12:12 minuta, në hyrje të objektit të Stacionit Policor në Malishevë, ka kryer veprat penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike” dhe veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, i akuzuari Hoxha, më 25 dhjetor 2018, rreth orës 12:12 minuta, në Stacioni Policor në Malishevë, pikërisht në hyrje të objektit në cilësinë e personit zyrtar policor keqpërdor detyrën dhe autorizimet e tij, duke keqtrajtuar dhe fyer rëndë dinjitetin e të dëmtuarit Safet Suka.

Në aktin akuzues thuhet se për shkak të parkimit jo të rregull të veturës së të dëmtuarit Safet Suka, i njëjti ftohet në stacionin policor, ashtu që i dëmtuari së bashku me vëllain Arton Suka hyjnë në oborrin e stacionit policor me veturë dhe më pas shoqërohen për krahu nga zyrtarë policorë, ku i akuzuari Hoxha del nga kabina dhe shkëmben fjalë fyese me të dëmtuarin, ku më pastaj vrapon pas të dëmtuarit dhe e godet me shqelma në pjesë të trupit, derisa ndërhyjnë zyrtarët e tjerë policorë.

Për këto veprime, Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike” nga neni 198, paragrafi 1, të KPRK-së.

Tutje, sipas dispozitivit të dytë të aktit akuzues, i akuzuari Hoxha, me kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Safet Suka, ashtu që  duke hyrë tek dera hyrëse e stacionit policor, i akuzuari vrapon pas tij, e godet me shqelma në këmbë dhe pasi rrëzohet në tokë, i akuzuari e godet disa herë në pjesë të trupit, me çka i shkakton lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Për këto veprime, Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndimi i lehtë trupor” nga neni 188, paragrafi 1, nën paragraf 1.4 të KPRK-së.

Kurse në dispizitivin e tretë të aktakuzës, Hoxha akuzohet se në kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, i njëjti në cilësinë e zyrtarit policor, keqpërdor detyrën dhe autorizimet e tij, duke keqtrajtuar dhe fyer rëndë të dëmtuarin Arton Suka, në atë mënyrë që pasi e godet me shqelma në mënyrën e paraqitur si në dispozitivin e parë dhe të dytë, afrohet tek i dëmtuari Suka i cili ishte në shoqërim, respektivisht duke u mbajtur nga zyrtarët e tjerë policorë, e në atë moment e godet të dëmtuarin disa herë me shqelma në pjesë të këmbëve, derisa ndërhyjnë zyrtarët e tjerë policorë.

Për këto veprime, Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike” nga neni 198, paragrafi 1, të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Lajmet e Fundit