Kur një burrë futej në jetën e saj Sidonie, i kalonte mbrëmjet kur ishte larg tij duke shkruar. Në lokalet ku dëgjohej muzikë ajo zbriste e vetme, për të mirë e për të menduar. Asgjë përveç muzikës nuk mund t’ia hiqte trishtimin kësaj gruaje. Me flokët e gjatë që i binin mbi supe, fustanet e lehta prej mëndafshi, ajo tërhiqte vëmendjen me një stil, ku ishte përzierë moda franceze e gjysmës së parë të shekullit XX dhe talenti i saj natyral, për ta shndërruar gjithçka në art. Jeta e saj qe e ngjashme me romanet që shkroi. Një grua që asnjëherë nuk u dorëzua derisa të gjente lumturinë. Por a e gjeti Sidonie, këtë paqe të brishtë që çdokush e kërkon në jetë? Një lexues i kujdesshëm i librave të saj, do ta kuptojë se lumturia është e përbërë vetëm nga copëza kujtimesh që nëse i bën bashkë nuk bëjnë veçse një pasdite. Por rruga për tek kjo pasdite ishte më e bukur sesa fundi… Rruga ishte ajo çfarë i pëlqente kësaj gruaje, librat e së cilës lexohen ende me ëndje sot. Sidonie –Gabrielle Colette ose ashtu si njihet nga të gjithë me pseudonimin Colette është një nga shkrimtaret franceze më të njohura të shekullit XX. Fituese e një sërë çmimesh ndërkombëtare, ajo është gruaja e parë në historinë e Republikës Franceze funerali i së cilës u krye nga shteti. Përveçse shkrimtare ajo qe dhe një aktore dhe këngëtare e suksesshme, gazetare e drejtuese revistash, kritike e kinemasë, estetiste dhe tregtare kozmetike. Gjithë energjinë e saj në fushën e artit, Colette përjetoi në gjini të ndryshme. Kur ishte fëmijë studioi piano dhe ishte e shkëlqyer në matematikë. Që fëmijë ajo mëson të dojë librat dhe muzikën dhe është e lirë të lexojë gjithçka dëshiron. Në moshën 6-vjeçare kishte lexuar Honoré de Balzac, Alphonse Daudet, Prosper Mérimée dhe William Shakespeare. Colette, edukohet nga e ëma, një grua me një mentalitet modern e deklaruar ateiste dhe antikonformiste. Ajo i mësoi të bijës të vëzhgojë natyrën dhe i transmeton dashurinë për kopshtarinë. Në kujtim të së ëmës, Colette do të shkruajë romanin “Sido”. E regjistruar në shkollë publike, Colette i kalon shkëlqyeshëm të gjitha provimet. Në vitin 1891, për shkak të problemeve financiare, familja e saj transferohet në një qytet tjetër.
Deri në vitin 1892 Colette i kushtohet thellimit të formimit të saj muzikor dhe teatror, duke u njohur dhe krijuar miqësi me Henri Gauthier-Villars, i quajtur Willy, i cili do të bëhej shumë shpejt edhe bashkëshorti i saj i parë. Në moshën 20-vjeçare ajo dhe Henry Gauthier Vilars, 15 vjet më i madh se ajo u martuan. Henry ishte shkrimtar dhe kritik muzike.
Ai ishte i pari që zbuloi pasionin për të shkruar te Colette. Njohës i mirë i talenteve ai e vuri të shoqen të shkruante libra, të cilat i botoi nën emrin e tij. Kritika letrare do të befasohej nga ky talent i Henryt, gjë e cila do të çonte më pas në hulumtimin e zbulimit të faktit që ishte Colette autorja e vërtetë e atyre librave.
Në vitin 1910, romani i Colette “La vagabonde” për pak fitoi çmimin prestigjioz “Goncourt”. Pak vite më vonë ata divorcohen dhe në vitin 1912 Colette martohet me kryeredaktorin e gazetës “Le Matin” Henri de Jouvenel me të cilën pati dhe një vajzë që e quajtën Colette. Në vitin 1914 gjatë Luftës së Parë Botërore, Colette, u zgjodh të shkruante një balet për Operën e Parisit. Po atë vit Colette shkoi të takonte bashkëshortin në front, në Verdun, për t’i çuar ushqime, por edhe kjo lidhje mes tyre përfundoi. Pak më vonë në jetën e saj hyri edhe djali që kishte lindur nga martesa e parë e Henry. Bertrandi ishte 16 vjeç, ndërsa Colette 47. Lidhja zgjati për pesë vjet dhe u konsumua mes udhëtimeve dhe takimeve klandestine në një apartament të vogël të marrë me qira nga Colette.
Në vitin 1925, Colette u njoh me Maurice Goudeket, që dhjetë vite më pas do të bëhej edhe bashkëshorti i saj i tretë. Ai ishte 15 vjet më i ri se ajo. Colette vazhdonte suksesshëm ndërkaq aktivitetin e saj letrar që jo rrallëherë konsiderohej edhe skandaloz. Në vitin 1932 del në qarkullim romani “I pastri dhe i papastri” që u përcoll me diskutime të shumta. Në vitin 1927, Walter Benjamin e intervistoi për një gazetë gjermane në lidhje me feminizmin dhe ajo tha: “Kur gratë fitojnë pushtet, janë absolutisht të tmerrshme. Janë më keq se burrat dhe jo vetëm kaq. Edhe pse njoh mjaft gra inteligjente, që mund të ishin fantastike si gjykatëse apo ministre, gjithsesi ato kanë ciklin çdo muaj. Dhe dihet që nuk mund të marrin vendime kur janë gjatë atyre ditëve”. Në fund të viteve ’20, e përfshirë nga kriza e përgjithshme nis të interpretojë në skenë nudo, e më pas hap një parfumeri për të cilën kujdesej personalisht. Në vitin 1935 bëhet pjesë e Akademisë Mbretërore të Belgjikës.
Me Luftën e Dytë Botërore, kur nazistët hynë në Paris dhe nisën të merrnin hebrenjtë për t’i çuar në kampet e përqendrimit, mes tyre ishte edhe Maurice. Colette, megjithatë, arriti ta çlironte të shoqin falë njohjeve të saj edhe pse ai doli nga kjo eksperiencë i rrënuar fizikisht. Në vitin 1943, shkrimtarja franceze nisi të vuajë nga artroza, sëmundje e cila do ta paralizojë tërësisht. Megjithatë, fama e saj ishte gjithnjë e në rritje gjatë këtyre viteve. Ajo u zgjodh unanimisht në akademinë “Goncourt”. “Gigi” është kryevepra e fundit e shkruar nga Colette në letrën e kaltër të cilën e preferonte. Romani u interpretua më pas në ekranin e madh nga aktorja Audrey Hepburn. Ishte një sukses botëror. Ajo ndërroi jetë në 3 gusht të vitit 1954. “Unë dëshiroj… Unë dëshiroj… unë dëshiroj të bëj atë që dua! Dua të interpretoj pantomimat, edhe komedinë. Dua të vallëzoj nudo nëse kostumi im më ngjitet dhe poshtëron plastikën tim, dëshiroj të tërhiqem në një ishull nëse do dua kështu, ose të frekuentoj zonja që jetojnë falë hirit të tyre, mjaft që të jenë të gëzuara, të çuditshme, e deri edhe melankolike dhe të urta siç janë shumë gra në jetë.
Dëshiroj të shkruaj libra të trishtë dhe të thatë ku nuk ka peizazhe, lule, trishtim, krenari, dhe ku të jetë sinqeriteti i kafshëve tërheqëse që tremben nga njeriu… Dëshiroj t’u buzëqesh të gjitha fytyrave miqësore dhe të largohem prej njerëzve të shëmtuar, të pisët dhe që mbajnë erë të keqe. Dëshiroj të dashuroj ëmbëlsisht ata që më duan dhe t’i jap gjithçka kam në këtë botë: trupin tim rebel ndaj fatit, zemrën time kaq të ëmbël dhe lirinë time… unë dëshiroj!”, shkruante Colette. Sot ajo kujtohet si një nga protagonistet më të mëdha të epokës ku jetoi. Edhe pse nuk pati asnjëherë simpati për feministet e kohës së saj, jeta dhe vepra e saj letrare ishin dëshmia e një gruaje të lirë, antikonformiste dhe e emancipuar, që sfidoi bindjet dhe shtrëngimet morale të kohës dhe që kontribuoi në thyerjen e disa tabuve femërore duke nisur qysh prej krijimit të saj të parë letrar.