Edhe këtë vit Kosova përballet me kërkesa për azil nga shtetasit e huaj, kryesisht nga Siria. Aktualisht janë tetë persona që mbahen në Qendrën për Azilkërkues. Ata vijnë nga vatra të ndryshme të konfliktit.
Drejtori i departamentit për Shtetësi, Migracion dhe Azil në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Krasniqi, thotë se kërkesat për azil varen nga zonat e konflikteve.
“Këto kërkesa vijnë kryesisht nga Afganistani, Pakistani, Palestina, Algjeria e Iraku”, thotë Krasniqi për KosovaPress.
Kohëve të fundit ka rënë fluksi i azilkërkuesve. Ndërsa, si edhe më parë, ata që kërkojnë strehim në Kosovë, këtë e shfrytëzojnë si vend transit për të dalë në Evropë.
“Azili nuk i jepet një azilkërkuesi në rast se nuk plotëson njërin nga pesë kushtet e parapara me ligj: nëse nuk arrijmë të sigurojmë dëshmi se i njëjti azilkërkues – në vendin prej nga vjen – nuk diskriminohet në bazë të kombësisë së tij, në bazë të racës së tij, në bazë të religjionit, në bazë të bindjeve politike të tij, si dhe në bazë të asaj se i takon një grupi të caktuar shoqëror. Nëse për këto elemente nuk ka dëshmi, nuk ia japim azilin në Kosovë”, tha Krasniqi.
Vitin e kaluar DSHAM-i ka pasur 62 kërkesa. Aktualisht, në qendrën për Azilkërkues në Magure të Lipjanit qëndrojnë tetë persona.
LEXO PO ASHTU: “Pranoni refugjatët shqiptarë nga Siria”
Fitim Zariqi, shef i Qendrës thotë se këtë vit kanë pasur shtatë kërkesa për azil.
“Për momentin kemi tetë persona. Disa janë edhe prej vitit të kaluar. Disave prej tyre iu është dhënë mbrojtje plotësuese nga Divizioni i Azilit; disa janë në procedurë të kthimit; e disa janë në procedurë të intervistimit”, thotë për Zariqi.
Kjo është qendra e përhershme për akomodimin e azilkërkuesve në Kosovë, në kuadër të Departamentit për Shtetësi, Migrim dhe Azil. Kjo qendër ka kapacitet për akomodimin e 50-60 azilkërkuesve.
Edhe Zariqi thotë se azilkërkuesit janë kryesisht prej vendeve të Lindjes.
“Tash për tash prinë Siria. Në vitin 2011 ka prirë Afganistani. Të tjerët janë nga Pakistani, Algjeria, Maroku, Kongo etj.”, thotë Zariqi.
Ai shtoi se azilkërkuesit kryesisht vijnë për çështje ekonomike, ndërsa e shfrytëzojnë azilin për të kaluar në vendet e Perëndimit. Sipas tij, më së shumti ka të tillë që janë larguar gjatë procedurës së azilit.
“Në Kosovë qëndrojnë dy ose tre muaj, pastaj largohen”, shton ai.
Azilkërkuesit që akomodohen në këtë qendër kanë pakon higjienike, shujta ditore, këndin e lojërave, dhomën rekreative, bibliotekën, fushat e futbollit, volejbollit, basketbollit etj..
Zariqi thotë se azilkërkuesi nuk ka të drejtë të dalë nga qendra, pa iu lëshuar letërnjoftimi për azil. Ndërsa, pas dhënies së letërnjoftimit, ai është i lirë të dal nga ora 08:00 deri në orën 22:00 në mbrëmje. Ndërsa, pas orës 22:00 duhet të kthehet në qendër, përndryshe nuk mund të hyjë.
Edhe Policia e Kosovës ka rolin e vet në këtë drejtim. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, thotë se çdo rast, i çdo shtetasi të huaj që kërkon azil në Kosovë, drejtohet tek Drejtoria për Migrim.
“Puna e Policisë është legjitimimi i këtyre personave, marrja e shënimeve të identitetit, fotografimi, marrja e shenjave të gishtave… Me arsyeshmërinë e kërkesës, se pse kërkojnë mbrojtje nga shteti jonë, merret departamenti në kuadër të MPB-së”, tha Sadriu.
Sipas tij, numri më i madh i azilkërkuesve paraqitet nëpër stacionet policore, por edhe nëpër pikat kufitare. Megjithatë, ka të tillë që hyjnë ilegalisht në territorin e Kosovës, në tentim për të dalë në shtetet tjera të Evropës. Në rastet e tilla, iniciohet lënda për kalim të paligjshëm të kufirit, ose qëndrim të paligjshëm në Kosovë. /KosovaPress/