11.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Sot 23-vjetori i pullave të para postare të Postës së Kosovës

Sot shënohet 23-vjetori i emetimit të emisionit të parë të pullave postare të Postës së Kosovës.

Posta e Kosovës përmes një komunikate për media njofton se në këtë përvjetor, përpos shënimit të 23-vjetorit të funksionit të mirëfilltë të letër-dërgesave, në aspektin e shtetësisë shënon edhe emetimin e njërit nga simbolet që dëshmon orientimin dhe të ardhmen e shtetit më të ri evropian

Sipas njoftimit për shkak të rëndësisë së rolit promovues, përcaktimi i tematikave që trajtohen në kuadër të programit vjetor të pullave postare bëhet nga Komisioni i Pullës Postare, i cili nominohet nga ministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Përzgjedhjen e punimeve më adekuate në kuadër të punimeve konkurruese nga konkursi për dizajne për pulla postare, po ashtu e bën Komisioni i Pullës Postare”, thuhet në komunikatë.

Tutje në komunikatë thuhet se në aspektin operacional, e gjithë veprimtaria e prodhimit dhe emetimit të pullave postare zhvillohet nga Departamenti i Filatelisë, i cili bën të mundur që roli promovues i pullës postare të zhvillohet në të gjitha vendet e botës, përfshirë këtu edhe vendet që akoma nuk kanë bërë njohje zyrtare të vendit tonë.

“Rrugëtimi i Filatelisë së Postës së Kosovës e përcjell rrugëtimin e Republikës së Kosovës.

Si një nga simbolet e shtetësisë, është e natyrshme që pulla postare ka pasur mundësi të emetohej që nga viti 2000, ndonëse nën monitorimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë deri në shpallje të pavarësisë, më 17 shkurt 2008.

Nga 15 marsi i vitit 2000, kur u emetua emisioni i parë i pullave postare me titullin “Paqe” e deri më sot,

Posta e Kosovës, përmes pullave postare, me shumë kujdes ka zhvilluar misionin madhor, atë të prezantimit të Republikës së Kosovës përmes motiveve të pullave postare!

Shikuar në aspektin historik, emetimi i pullave postare në trojet shqiptare, krahasuar me vendet e rajonit, është relativisht i periudhës më të re kohore, marrë parasysh që edhe Posta Shqiptare emetimin e parë të pullës postare e ka realizuar në vitin 1913, në të njëjtin vit kur rilindësi e firmëtari i Pavarësisë, njëherësh edhe ministër i qeverisë së parë shqiptare, Z. Lef Nosi, aplikoi për anëtarësim të Shqipërisë në UPU. Sa për ilustrim, Mbretëria e Bashkuar emetimin e parë të pullave postare e ka bërë qysh në vitin 1840, prandaj është e natyrshme që edhe Filatelia, si veprimtari, por edhe si pasion i koleksionuesve, është relativisht e re në trojet shqiptare.

Vështirësitë që e kanë përcjellë rrugën zhvillimore të Filatelisë së Kosovës ishin të llojllojshme. Mungesa e anëtarësimit me të drejta të plota të Postës Kosovës në Unionin e Përbotshëm Postar, ka qenë dhe vazhdon të mbetet sfidë në vete.

Megjithatë, arritjet e Filatelisë së Postës së Kosovës janë të konsiderueshme. Aktualisht, fondi filatelik numëron 248 emisione të pullave postare me 615 pamje, me vlera të ndryshme nominale.

Filatelia e Kosovës tek koleksionistët ndërkombëtarë vlerësohet si shërbim korrekt dhe cilësor, ndërkaq blloku filatelik “Mendo gjelbër” ka zënë vendin e pestë në konkursin për pullën më të bukur “WIPA GrandPrix” në vitin 2016, kurse pulla postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë” është përzgjedhur si pulla më përmbajtjesore në botë në konkursin “San Gabriel” në Veronë, po në atë vit.

Përmes pullave postare kemi promovuar trashëgiminë kulturo-historike të vendit tonë, luftën tonë për çlirim, bukuritë e pasuritë natyrore të vendit tonë, të arriturat në kulturë, shkencë dhe sport, diversitetin, shoqërinë tonë civile, e tema të tjera.

Do të jemi gjithmonë përkrahës i të gjitha aktiviteteve që janë në shërbim të vendit dhe qytetarëve tanë!

Posta e Kosovës, përjetë në shërbim të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës!”, përfundon komunikata.

Më Shumë

Kuvendi i Prizrenit bart mbi 2 milionë euro në projekte për vitin 2024

Kuvendi i Prizrenit ka miratuar sot bartjen e mjeteve të të hyrave vetanake të rritura nga ato të planifikuara për vitin e kaluar. Shuma e...

Mbi 2 mijë patentë shofer të konfiskuar për tre muaj: Mbi 5 mijë shoferëve u janë vendosur pikët negative

Policia e Kosovës ka njoftuar se përgjatë periudhës kohore Janar – Mars të vitit 2024, 2mijë e 223 shoferëve u është konfiskuar patentë shoferi. Derisa...

Lajmet e Fundit