Dy organizata të shoqërisë civile, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata “Përpjekja”, kanë paralajmëruar për sot protestë kundër rritjes së mundshme të çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar këtë proces si të padrejtë dhe të dëmshëm për qytetarët e Kosovës.
Protesta do të mbahet duke filluar në ora 13:00, me grumbullim pranë ndërtesës së KEDS, ndërsa marshimi do të përfundojë para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në reagimin e tyre publik, organizatat theksojnë se që nga viti 2022 qytetarët janë përballur me rritje të vazhdueshme të faturave të rrymës, të cilat, sipas tyre, janë aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) në favor të kompanisë KEDS dhe në dëm të interesit publik.
Sipas deklaratës, konsumatorët nuk po paguajnë vetëm çmimin e energjisë, por edhe humbjet dhe keqmenaxhimin e kompanisë private. Organizatat kritikojnë edhe ndërprerjet e shpeshta të energjisë, mungesën e ngrohjes gjatë muajve të dimrit dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që shtrenjtimi i rrymës ka në rritjen e kostos së jetesës.
Ato rikujtojnë se vitin e kaluar është miratuar një rritje prej 16.1%, ndërsa këtë vit po paralajmërohet një tjetër rritje rreth 20%, të cilën e konsiderojnë të papranueshme. Sipas tyre, KEDS përfiton duke blerë energji me çmime të ulëta nga Korporata Energjetike e Kosovës dhe duke ua shitur qytetarëve me çmime shumë më të larta.
Organizatat u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke theksuar se mobilizimi qytetar është thelbësor për mbrojtjen e interesit publik dhe përballjen me, siç e quajnë ata, praktikat shumëvjeçare dhe të dëmshme në sektorin e energjisë.
Marketing
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren