22.8 C
Prizren
E martë, 21 Maj, 2024

Specialja, dënime edhe me burgim të përjetshëm

Avokati Tomë Gashi ka thënë se, pavarësisht faktit se tashmë Kuvendi i Kosovës e ka themeluar Gjykatën Speciale, funksionalizimi i saj nuk do të mund të ndodhë deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Në një intervistë për “Epokën e re” ai ka bërë me dije se fillimisht do të arrestohen të akuzuarit, pastaj do të bëhen publike akuzat ndaj tyre.

“Publikimi i akuzave për individë të dyshuar nuk do të ndodhë para se ata të arrestohen dhe të dërgohen në Hagë. Ndërsa për shkaqe organizative nuk besoj se kjo gjykatë do të mund të funksionalizohet para fillimit të vitit 2016”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka thënë se gjithçka kinse po bëhet për Kosovën dhe në të mirë të Kosovës, por nuk duhet besuar parimisht Gjykatës Speciale.

“Statuti i Gjykatës Speciale ka shumë paqartësi. I njëjti përmban vetëm rregullat bazike në bazë të të cilave do ta organizojë punën kjo gjykatë. Respektivisht statuti i gjykatës do të jetë ligj për Gjykatën Speciale dhe ligjet e Kosovës fare nuk do të aplikohen në punën e kësaj gjykate. Është çështje e kredibilitetit, e besueshmërisë, e cila mund të fitohet gjatë punës së kësaj gjykate, në çështje që ajo do t’i gjykojë dhe në parim nuk mund të besohet ‘blanko’ kjo gjykatë, ngaqë ajo nuk do të sjellë asgjë të mirë për individë që do të akuzohen”, është shprehur Gashi.

Ai ka treguar se në mesin e të akuzuarve mund të ketë edhe persona që aktualisht mbajnë poste të larta qeveritare dhe kryetarë të partive të caktuara. Në këtë kontekst, ai ka thënë se Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dhe të tjerët të akuzuar e të liruar nga Tribunali për krime të luftës në ish-Jugosllavi nuk mund të akuzohen përsëri në Gjykatën Speciale për veprat penale për të cilat ata janë liruar të pafajshëm.

“Sigurisht se do të ketë edhe të akuzuar që sot mbajnë poste të larta qeveritare, mund të ketë të akuzuar edhe kryetarë të partive të caktuara, ndërsa prokurori Clint Villiamson ka deklaruar kohë më parë se aktakuzat janë të gatshme, por nevojitet një gjykatë (speciale) ku ato do të dërgohen për t’u gjykuar. Kjo gjykatë ligjërisht nga e hëna ekziston dhe është çështje teknike se kur do të bëhen akuzat e para”, është shprehur Gashi, i cili u ka sugjeruar atyre të cilët mund të jenë të akuzuar, të gjejnë avokatë të mirë dhe profesionalë për t’i parandaluar padrejtësitë eventuale që mund të bëhen ndaj tyre, ngaqë dënimi për vepra të caktuara penale është i paraparë deri në burgim të përjetshëm.

Gashi ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës që votuan për formimin e Gjykatës Speciale, e që vetë mund të jenë të akuzuar në këtë gjykatë, nuk kanë të drejtë morale të ankohen për punën e saj ngaqë e kanë votuar vetë formimin e kësaj gjykate pa e ditur se si do të funksionojë ajo.

“Gjykata nuk e ka të përcaktuar mandatin, por mandati i saj do të jetë minimumi 5 deri në 10 vjet. Dhe një prej të këqijave që është votuar të hënën është edhe ajo se anëtarët e Parlamentit votuan për formimin e Gjykatës Speciale, por ata nuk votuan dhe askush asnjëherë nuk do t’i kërkojë të votojnë për mbylljen e punës së Gjykatës Speciale sepse kjo nuk është e paraparë me statutin e Gjykatës. Deputetët nuk kanë kërkuar që vota e tyre të vendosë edhe për afatin kohor për përfundimin e punës së Gjykatës Speciale”, ka theksuar Gashi, duke shtuar se populli i Kosovës nuk do t’i ketë kurrë në duar arkivat e Gjykatës Speciale siç nuk i ka pasur kurrë arkivat e UNMIK-ut e nuk do t’i ketë as arkivat e EULEX-it.

Më Shumë

Drejtoria e Arsimit në Prizren publikon listën e propozimeve për bursat e vitit akademik 2023/2024

Drejtoria e Arsimit në Prizren ka  publikuar sot listën propozuese të kandidatëve që kanë konkurruar për bursat e vitit akademik 2023/2024. Lista përmban emrat e...

Kosova në tehun e shpatës

Nue Oroshi Mospranimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është lajm i mirë për Republikën e Kosovës. Kjo ndodhi për shumë arsye...

Lajmet e Fundit