13.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Task Forca për Qendrën Historike të Prizrenit: Një vit, asnjë takim

EcMaNdryshe-FjollaGjatë kësaj jave mbushet një vit që prej se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka marrë vendim për krijimin e Task Forcës për Qendrën Historike të Prizrenit.

Task Forca e krijuar më 13 mars 2014, në përbërje ka përfaqësues të MMPH-së, ministrisë së Kulturës, asaj të Administrimit të Pushtetit Lokal, ministrisë së Punëve të Brendshme, Komunës së Prizrenit dhe Këshillit për Trashëgimi Kulturore, dhe ka për qëllim zbatimin e Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura dhe Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit.

Mirëpo në vitin e parë të ekzistimit të saj, sipas “EC Ma Ndryshe”, kjo Task Forcë nuk është mbledhur asnjëherë, dhe kësisoj nuk ka pas se si të marrë vendime apo veprime konkrete në trajtimin e rasteve të dëmtimit të trashëgimisë kulturore, ndërtimeve pa leje dhe parregullsive tjera. Ndërkohë degradimi në Qendrën Historike të Prizrenit ka vazhduar pa u penguar nga institucionet që kanë përgjegjësi ligjore për veprim. Madje gjatë kësaj periudhe, janë evidentuar disa raste kur vet Komuna e Prizrenit ka realizuar projekte pa i përfillur procedurat e parapara me dispozitat e ligjeve të trashëgimisë kulturore dhe planifikimit hapësinor.

“Raporti statistikor i Prokurorisë Themelore në Prizren për ndërtimet pa leje, tejkalime të lejeve, rrënim e dëmtim të monumenteve në Qendrën Historike të Prizrenit, vë në pah numrin e vogël të aktakuzave të ngritura. Sipas të dhënave të Prokurorisë del se në vitin 2014 janë bërë 7 kallëzime penale, ku 2 raste janë në hetime, 1 rast është hedhur, derisa në 2 raste janë pushuar hetimet. Ndërsa Gjykata Themelore e Prizrenit ka bërë të ditur se nuk ka asnjë lëndë në shqyrtim sa i përket dëmtimit të monumenteve në Qendrën Historike të Prizrenit”, thuhet në komunikatën e kësaj OJQ-je.

“Duke marrë parasysh faktin se kemi hyrë në vitin e tretë që prej se është miratuar Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit si dhe në vitin e dytë të ekzistimit të Task Forcës për Qendrën Historike të Prizrenit, atëherë shumë lehtë konstatohet se institucionet përgjegjëse aprovojnë ligje dhe krijojnë mekanizma për planifikim urban dhe mbrojtje të trashëgimisë kulturore pa e qarë fare kokën për zbatimin dhe funksionalitetin e tyre në vendosjen e rendit urbanistik dhe ruajtjen e vlerave të rëndësishme kulturore e historike”.

“Me qasjen e deritanishme respektivisht me miratimin e ligjeve dhe krijimin e mekanizmave të reja institucionet e nivelit qendror kanë dëshmuar se janë të interesuara që të krijojnë vetëm më shumë burrokraci e më pak veprime në terren. Në të njëjtën kohë kanë krijuar alibi për mosveprimin shumëvjeçar të komunës së Prizrenit në zbatim të ligjit për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike”.

“EC Ma Ndryshe” i bën thirrje të gjitha institucioneve që janë pjesë e Task Forcës që të iniciojnë funksionalizimin sa më të shpejtë të këtij mekanizmi dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete për vendosjen e ligjshmërisë në Qendrën Historike të Prizrenit, duke mundësuar ruajtjen efikase të trashëgimisë kulturore./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Hyn në fuqi marrëveshja Shqipëri-Kosovë “pa kufi” për 9 muaj

Prej ditës së mërkurë ka hyrë në fuqi zbatimi i marrëveshjes, sipas të cilit, qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës do të kalojnë përmes...

Vetëm 12 minuta lojë, Vedat Muriqi realizon gol ndaj Cadizit

Vedat Muriqi ka vazhduar shkëlqimin në La Liga, teksa ka realizuar gol në sfidën Cadiz – Mallorca. Vetëm 12 minuta iu deshën sulmuesit kosovar për...

Lajmet e Fundit