9.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Të rishikohet legjislacioni ndaj zyrtarëve komunal që kanë problem me ligjin

IMG_4075Në tryezën e diskutimit “Qeverisja e mirë dhe zyrtarët që kanë problem me ligjin”, të mbajtur sot në Prizren është theksuar se zyrtarët që kanë probleme me ligjin, respektivisht me organet e drejtësisë nuk mund të ofrojnë qeverisje të mirë. Nisja e hetimeve, aktakuzat dhe proceset gjyqësore ndaj tyre luhatin besimin e publikut në ta, që për pasojë sjellë edhe degradim të mëtutjeshëm të parimeve të llogaridhënies dhe përgjegjësisë karshi qytetarëve.

Panelistë në tryezën e sotme të Forumit Transparenca ishin Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Valbona Musliu, gazetare dhe anëtare e Forumit Transparenca, ndërsa ajo u moderua nga Kreshnik Basha. Diskutimi në tryezë u fokusua në praktikat e deritanishme nëpër komunat e Kosovës që tregojnë se zyrtarë të zgjedhur publik, si pasojë e dyshimeve të bazuara për shpërdorim të detyrës zyrtare janë përballë fillimisht me hetime, e pastaj dhe me gjykime, por që pothuajse asnjëri nuk është larguar nga pozita publike, madje as në rastet kur ka pasë aktgjykime fajësuese për ta.

Krahas mungesës së etikës publike, në këto raste është evidentuar edhe mungesa e shprehur e disiplinës partiake, pasi që subjektet politike në vend se të distancohen nga këta zyrtarë, përkundrazi janë vënë në mbrojtje të tyre, duke cenuar kështu përpjekjet për ndërtimin e një shoqërie të bazuar në vlera të mirëfillta demokratike. Pjesëmarrës në diskutime kanë qenë zyrtarë të pushtetit lokal, përfaqësues të partive opozitare, aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarët e Prizrenit. Gjatë diskutimeve janë analizuar dhe mundësitë për ndryshime ligjore, për të ngushtuar hapësirën e abuzimit me pushtetin në mungesë të standardeve të zhvilluara të etikës publike.

Një nga konkluzionet e tryezës ishte nevoja për të rishikuar legjislacionin aktual për të gjetur modelin më të mirë ligjor si reagim ndaj mungesës së etikës publike nga zyrtarët e lartë të komunave. Parimi i prezumimit të pafajësisë është keqpërdorur në një masë të rrezikshme, duke u mundësuar edhe zyrtarëve të dënuar që t’i mbajnë pozitat publike. Për këtë arsye, pjesëmarrësit e tryezës ishin të mendimit se sa më parë duhet të fillojë diskutimi për ndryshime në legjislacion, me fokus në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe Ligjin për Zgjedhjet Lokale.
Forumi Transparenca është themeluar në mars të vitit 2014, si përpjekje e koordinuar e akterëve të shoqërisë civile dhe mediave në Prizren, të cilët kanë për synim rritjen e nivelit të transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë lokale të Prizrenit. Ky trup joformal përbëhet nga aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarë të Prizrenit, të cilët janë aktiv në fushën e qeverisjes demokratike.

Më Shumë

Vjen në jetë vajza e Kiarës dhe Luizit: Fotoja e parë dhe emri i veçantë!

Moderatorja Kiara Tito dhe këngëtari Luiz Ejlli janë bërë prindër për herë të parë. Vajza e tyre ka ardhur në jetë këtë të martë...

Po kërkohen ndryshime urgjente në kalendarin e festave zyrtare

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) kërkon nga Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës që me urgjencë të propozojë ndryshim plotësimin e Ligjit për...

Lajmet e Fundit