7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Thaçi përgëzon Obamën me rastin e 237 vjetorit të pavarësisë së SHBA-ve

Thaci7-03Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përgëzon Presidentin e SHBA-ve, Barak Obama dhe popullin amerikan me rastin e 237 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Në tekstin e mesazhit thuhet:

I nderuar Shkëlqesi, President Obama,
Me rastin e 4 Korrikut, 237 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pranoni urimet më të përzemërta në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjithë qyetetarëve të vendit tonë.

Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës na kujton vlerat dhe historinë e vendit tuaj, të cilat kanë ndikim në zhvillimin e demokracisë, humanitetit dhe lirisë të përgjithshme të popujve në mbarë botën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sinonim i lirisë, demokracisë, barazisë, perspektivës dhe zhvillimit teknologjik e shkencor në përmasa globale, duke bërë vendin tuaj vend të idealeve dhe rritjes së mirëqenies ekonomike dhe sociale.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çdo periudhë historike kanë mbrojtur popujt liridashës, në mesin e të cilëve edhe popullin e Kosovës, duke na ndihmuar në realizimin e ëndrrës sonë të lirisë dhe pavarësisë.

Edhe në periudhën e tanishme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdojnë të luajnë rolin kryesor mbështetës për proceset e zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit të shtetit të Kosovës.

Pak ditë para përvjetorit të 237-të të SHBA-ve, Kosova mori datën për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, si dhe arriti mbi 100 njohje ndërkombëtare, duke shënuar progres të vazhdueshëm në drejtim të konsolidimit të shtetit tonë të lirë, sovran dhe demokratik.

Shembulli i fuqisë, parimeve dhe rrezatimit global të SHBA-ve është frymëzues dhe udhërrëfyes edhe për institucionet dhe qytetarët e Kosovës, që me vendosmëri janë orientuar drejt avancimit të vlerave të lirisë, të demokracisë dhe të zhvillimit, vlerave të forcimit të bashkëpunimit rajonal, vlera këto që do të mundësojnë integrimin e Kosovës në BE dhe në NATO.

Duke uruar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë zhvillim edhe më të hovshëm, më lejoni të shprehë konsideratën time më të lartë për Ju z.President, me premtimin se Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj do të jenë përherë përkrahë jush dhe popullit liridashës amerikan. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

Lajmet e Fundit