Dielli mund të shkaktojë stuhi të fuqishme në Tokë që do të sillnin ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike dhe çorjentimin e sistemit satelitor, GPS. Ndërkohë që Dielli është pothuaje në kulmin e ciklit të tij 11 vjeçar të shpërthimeve, shkencëtarët thonë se stuhi të forta mund të vinë në Tokë.
Shpërthimet duken si njolla diellore. Shkencëtarët si Michael Wiltberger në Observatorin e Lartësive të Mëdha në Qendrën Kombëtare të Kërkimeve Armosferike në Boulder të Kolorados i emërtojnë ato CME, ose shpërthime masive të koronës.
“Vëzhgimi i ciklit diellor është shumë i hershëm. Kur Galileoja e drejtoi teleskopin e tij nga Dielli, ai pa njolla në sipërfaqe. Shkencëtrët kanë mbajtur shënime për njollat e konstatuara që nga ajo kohë. Pra ne kemi të dhëna prej rreth 200 vjetësh për njollat diellore”, transmeton VOA.
Wiltberger po ndërton modele kompjuterike për të ndjekur ciklin e Diellit që do të shërbejnë për të parashikuar më mirë kohën e keqe në hapësirë. Ai thotë se stuhia më e fortë gjeomagnetike diellore goditi tokën në vitin 1859. Astronomi Richard Carrington e vëzhgoi dhe la shënime për këtë në librin e të dhënave.
Fenomeni Carrington prishi sistemin telegrafik të komunikimit. Megjithëse jo aq të fuqishme sa ajo e vitit 1859, stuhi të tjera diellore kanë shkaktuar ndërprerjen e energjisë elektrike, linjat telefonike, kanë prishur shërbimet satelitore dhe kanë bllokuar valët e radios.
Tokës i ka kaluar cikli i një tjetër stuhie si ajo Carrington, vihet në dukje në raportin e ri të Lloydit të Londrës, tregu më i vjetër i sigurimeve në botë. Bashkëautori i studimit, Neil Smith, thotë se stuhia tjetër mund të jetë edhe më shkatërrimtare, duke patur parasysh varësinë e botës tek rrjeti shpërndarës i energjisë elektrike.
“Ne llogarisim se nga 20 milionë deri në 40 milionë njerëz mund të mbeten pa energji deri në një vit apo edhe dy. Kjo ka të bëjë me zëvendësimin e transformatorëve që janë element kritik i rrjetit. Ky numër njerëzisht ka koston e vet ekonomike prej 0.6 trilion në 2.6 trilionë dollarë”.
Raporti përqendrohet kryesisht në Amerikën e Veriut. Rrjeti i energjisë elektrike, satelitët, trafiku ajror, astronautët dhe tubacionet e naftës janë tepër të prekshme nga moti i hapësirës. Smith thotë se Amerika e Veriut është veçanërisht në rrezik, për shkak të formacionit gjeologjik dhe infrastrukturës së vjetëruar. Nëse do të dëmtoheshin shumë transformatorë, pasoja nuk do të kishte vetëm Amerika e Veriut, por edhe Evropa, thotë Neil Smith.
Shpërthimi masiv në koronën e Diellit lëviz nëpër sistemin diellor me shpejtësi nga 3 milionë në 5 milionë kilometra në orë, domethënë mbrin në Tokë në më pak se dy ditë.
Shkencëtarët si Michael Wiltberger i Laboratorit të Vëzhgimit të hapsirës së Lartë mund t’i shikojnë ato më pak se tetë minuta pas shpëthimit. Kjo u jep metereologëve një farë kohe për t’u përgjigjur, por Wiltberger thotë se parashikimi i saktë se kur dhe ku do të godasë një stuhi diellore është më kompleks.
“Në ndërtimin e modeleve numerike, sfida për ne është të kuptojnë se si do të jetë fusha magnetike brenda këtik gazi të nxehtë të çlirohet, sepse është pikërisht fusha magnetike elementi kryesor i masës dhe energjisë që hyn në rajonin e Tokës dhe në atmosferën përreth saj”.
Wiltberger thotë se modelet numerike mund të shërbejnë për të vëzhguar stuhinë dhe për të përmirësuar parashikimet. Ai shpreson që sistemi të jetë operacional brenda pesë vjetësh.
Ndërkaq, Neil Smith i Lloyd-it në Londër, thotë se duhet një bashkëpunim më i madh për të zbutur ndikimin para se stuhia tjetër e madhe të duket në horizont.
“Ne përpiqemi të ndërgjegjësojmë publikun për këtë çështje, sepse hapi i parë është që grupe të ndryshme ta kuptojnë se kjo është diçka e mundur. Pastaj ne duhet të punojmë me qeveritë dhe industrinë e shërbimeve për ta trajtuar atë. Kjo nuk është diçka që një grup mund ta trajtojë i vetëm”.
Smith shton se një punë e tillë është me rëndësi kritike për të shmangur një kaos tepër të madh ekonomik dhe social.