6.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Tre dëshmitarë nuk thonë asgjë në rastin e Fatmir Gjurgjealit

Tre dëshmitarë dëshmuan sot në procesin ku ish-polici Fatmir Gjurgjeali po akuzohet për zbulim të fshehtësive zyrtare.

Në vazhdimin e procedurës së provave të premten në Gjykatën Themelore të Prizrenit u dëgjuan dëshmitarët Fadil Këllëq, Ali Maçiteva dhe Jahja Muja.

Dëshmitari Ali Maçiteva tha se nuk e dinte arsyen pse ishte ftuar në gjykatë për këtë proces gjyqësor, ndërsa tregoi se të akuzuarin Gjurgjeali e kishte shok klase.

Prokurori e pyeti Maçitevën se a kishte marrë obligim nga i akuzuari për ta përcjellë ndonjë imam në Prizren.

“Jo nuk kam pasë obligim,” tha Maçiteva.

Pas kësaj përgjigjeje, prokurori tha “s’kam çka me e pyet tjetër”.

Dëshmitari Fadil Këllëq tha se e njeh të akuzuarin Gjurgjeali që nga viti 2000 pasi ishin kolegë pune. Edhe Këllëq mohoi se ka marrë ndonjë obligim nga i akuzuari për përcjelljen e një imami.

“Nuk ka mund të më angazhojë, pasi që nuk ka qenë mbikëqyrësi im, sepse gjithmonë unë jam bazuar sipas urdhrave që më janë dhënë nga mbikëqyrësi im nga operativa,” tha Këllëq.

Ai u pyet nga prokurori se a e njihte imamin me inicialet N. K.

Këllëq tha se e njihte këtë imam, por nuk kishte marrë obligim për ta përcjellë.

Gjyqtarja pastaj e pyeti dëshmitarin se a kishte shkuar në xhaminë ku shërbente ky imam.

“Po normal që shkoj të xhumave, edhe sot ka me shku, me falë xhumanë, ajo është gjë normale,” tha Këllëq.

Ndërsa dëshmitari i tretë Jahja Muja, i cili nuk e fliste fare gjuhën shqipe por vetëm atë turke, u deklarua se punon në Bashkësinë Islame dhe po ashtu tha se të akuzuarin e ka djalë daje.

Meqë ligji në këtë rast, e lejon të drejtën që ky dëshmitar të jetë i privilegjuar Muja vendosi të mos dëshmojë fare në procesin kundër Gjurgjealit.

Përveç që Muja vendosi të mos dëshmojë, edhe prokurori i shtetit Bajram Hamitaga, hoqi dorë nga dëgjimi i dy dëshmitarëve- Abdylbahri Bytyqit dhe Afrim Koshit, për të cilin një ditë më parë gjykata paralajmëroi se do të sillet me forcë në gjykim.

Por Hamitaga propozoi një dëshmitar të ri-togerin e policisë Agron Metolli,i cili ka qenë përpilues i raportit për ngritje të kallëzimit penal dhe të ndëgjohet në cilësinë e dëshmitarit.

“Të ftohet togeri i policisë Agron Metolli, i cili do të dëgjohet në rrethanat se dokumentet të cilat i pandehuri Fatmir Gjurgjeali, nga e-maili zyrtar i ka bartur në e-mailat e tij privatë, cilat prej tyre kanë qenë konfidenciale dhe se a ka pasur të drejtë i pandehuri si oficer i policisë të bëjë këtë veprim,” propozoi prokurori.

Përkundër, kundërshtimit të avokatit mbrojtës, trupi gjykues morri vendim me të cilin e aprovoi propozimin e prokurorit.

Për këta e-maila shkroi dje KALLXO.com-i.
Aktakuza ndaj Fatmir Gjurgjealit e ngritur në maj të vitit 2012 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit e ngarkon atë se nga viti 2009 në vazhdimësi, në cilësinë e mbikëqyrësit të zyrës dhe zëvendësshefit të Njësisë së Inteligjencës Kriminale Rajonale në Prizren pa autorizim i ka dërguar informacione një shtetasi të huaj.

Sipas prokurorisë, këto informacione Gjurgjeali, në mënyrë elektronike i ka bartur fillimisht në email-at e tij privatë, e pastaj u ka mundësuar personave të paautorizuar të kenë qasje në këto dosje.

Seanca e radhës do të mbahet më 22 qershor, ku edhe do të dëgjohet dëshmitari Metolli.

Më Shumë

“Gjekovë” huqja drejtshkrimore në tabelë te hyrja e Prizrenit

Në hyrje të Prizrenit kanë gabuar në drejtshkrim në tabelë ku shkruan Gjekovë në vend të Gjakovës Ndërsa ajo në gjuhën serbe është shkruar si...

Ish-gazetari Ramadan Baraliu aderon në Vetëvendosje

Ish-gazetari dhe politikologu, MSc. Ramadan Baraliut ka aderuar sot në Lëvizjen Vetëvendosje. Ai ëshvë mirëpritur nga kryetari i Qendrës së LVV-së në Prizren, Artan Abrashi...

Lajmet e Fundit