Pas mbledhjes solemne, Kuvendi i Prizrenit ka mbajtur seancën e rregullt për këtë muaj ku janë debatuar disa pika të rendit të ditës.Një ndër pikat që më së shumti iu merr kohë kuvendarëve, pa dyshim se është ajo që ka të bëjë me pyetjet e këshilltarëve dhe përgjigjet e zyrtarëve të pushtetit lokal. Çështja që ka zgjuar debat më të gjërë kishte të bënte me projektin e shumëpërfolur të Bibliotekës së Prizrenit. Shefja e GK të LDK-së, Mybera Mustafa dhe kuvendarë të tjerë, kanë kërkuar sqarime rreth kësaj çështje të shumpërfolur nga drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit, Nijazi Kryeziu. Ky i fundit, ka thënë se punimet në realizimin e këtij projekti tashmë janë pezulluar deri në një vendim të ri.
Në këtë mbledhje është diskutuar edhe propozimvendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale për nevoja të zgjerimit të hapësirave të Kishës Katolike, shqyrtimi i strategjisë komunale për informim, komunikim dhe pjesëmarrje dhe shqyrtimi i raportit rreth realizimit të buxhetit të komunës për tremujorin e parë të vitit. Raporti i këtij buxheti më së shumti është kritikuar për shfrytëzim joracional të buxhetit nga kuvendarja e LVV-së, Drita Millaku. Seancat e rregullta të organit më të lartë legjislativ në Prizren, tashmë nuk po duken interesante për shumë këshilltarë të cilët në të shumtën e rasteve nuk po qendrojnë gjatë në sallë…/TVPZ/