Universiteti i Prishtinës sërish mbetet shumë larg cilësisë, krahasuar me të tjera universitete ndërkombëtare. Për këtë vit iu ka rezervuar vendi 4 mijë e 416, që i bie 1000 vende më poshtë se që ka qenë vitin e kaluar. Kështu thuhet në ranglistën e universiteteve në internet, sipas statistikave të bëra për 2013.
Kjo listë në internet është bazuar, duke përdorur metoda kuantitative, ku janë disenjuar indikatorë që lejojnë matjen e cilësisë shkencore në internet. Nga e gjithë kjo del se universiteti i ka të mangëta publikimet e dokumenteve dhe të fajllave në internet që do t’u mundësonte studentëve qasje më të lehtë në institucionin ku ata studiojnë. Rezultati ka dalë duke u bazuar në disa kritere, siç janë përsosmëria, se sa institucioni është i hapur, sa ka ndikim te studentët dhe sa është prezent me publikime në Google.
Ndërsa Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi është munduar të shpjegojë pozicionin e ulët të Universitetit të Prishtinës, postuar në rang-listën e universiteteve në internet. Në emisionin Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se është e vërtetë që ka pak publikime shkencore nëpër revista të ndryshme evropiane, e po ashtu ka pak postime në Google.
Mirëpo, sipas tij, është bërë shumë sa i përket ngritjes së cilësisë në Universitetin e Prishtinës, por fakti që ky institucion ka buxhet shumë të vogël, ndikon në avancimin e standardit akademik. Gashi ka bërë të ditur se do të kërkojë që të ngrihet buxheti për UP-në, pasi rreth 26 milionë euro nuk mjaftojnë, sepse rreth 20 milionë shkojnë për pagesa ndaj stafit akademik.