Lufta në Kosovë kishte zgjatur rreth dy vjet, ndërsa verifikimi i pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po zgjat me shumë se vetë lufta. Janë bërë pothuajse tri vjet qëkur Komisioni Qeveritar për verifikimin e ushtarëve të UÇK-së, ka filluar punën për të ditur saktë numrin e pjesëtarëve të kësaj ushtrie, por ky proces po merr kohë me shumë sesa ishte parashikuar.
Kjo zvarritje, sipas përfaqësueseve të këtij Komisioni, është bërë për shkak të numrit të madh të aplikuesve. Mirëpo, këto arsyetime të përfaqësuesve të Komisionit, po hidhen poshtë nga disa ish-pjesëtarë të UÇK-së. Ata vlerësojnë se verifikimi i saktë i listave për veteranët është mision i pamundur, për shkak të tendencave që pjesë e listës të jenë edhe njerëz që nuk kanë qenë fare në luftë.
Sidoqoftë, kryetari i Komisionit Qeveritar për verifikimin e veteranëve të luftës, Agim Çeku, mohon se zvarritja e procesit të verifikimi të listave të veteranëve të luftës së UÇK-së, të jetë bërë me qëllim. Sipas tij, ngadalësimi i procesit ka ndodhur për shkak të numrit të madh të aplikacioneve të cilat është dashur të verifikohen mirë.
“Arsye pse ka zgjatur kaq shumë është sepse ka pasur shumë aplikacione, afër 66 mijë, dhe ne kemi dashur që verifikimin të bëjmë sa me saktë dhe të jetë i përfshirë një numër sa më i madh i komandantëve, i zinxhirit komandues, nga niveli më i ulët deri te niveli më i lartë. Vetëm një aplikacion ka marrë kohë më tepër se gjysmë ore për t’u verifikuar”, ka thënë Çeku.
Ai ka mohuar të këtë pasur ndonjë neglizhencë gjatë procesit, apo vonesat të jenë bërë për ndonjë agjendë politike.
“Procesi është i paanshëm. Jemi munduar që të jetë sa më i saktë, që askujt mos t’i hyjmë në hak dhe askujt mos t’ia humbim kontributin, por jemi të kujdesshëm që edhe ata që nuk e meritojnë mos t’i gëzojnë kontributet që parashihen me ligj për kategoritë e dala nga lufta”, është shprehur Çeku.
Ai beson se deri më 15 janar Komisioni do ta publikojë listën preliminare të veteranëve të luftës, ndërsa numri i tyre, sipas tij, pritet të jetë rreth 26 mijë.
“Megjithatë, presim edhe ankesa për shkak se shumë veteranë mendojë se komandantët e tyre nuk ia kanë vlerësuar drejt statusin dhe shumë qytetarë duke tërhequr vërejtjen se filani apo filani e gëzojnë statusin edhe pse fare nuk kanë qenë në luftë, kështu që pres ankesa dhe Komisioni do ta formojë një tjetër Komisioni i cili do të merret me trajtimin e këtyre ankesave”, ka thënë Çeku. Në linje të njëjtë është edhe kryetari i Shoqatave të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari. “Ne shpresojmë se deri më 15 janar të përfundojë procesi i verifikimit, e pastaj do të këtë 1 muaj kohë për ankesa dhe pasi të përfundojë edhe procesi i ankesave, atëherë lista do të kalojë në nivelin qendror për nënshkrim të të gjithë atyre që kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së t’iu njihet e drejta dhe t’i marrin librezat”, ka thënë Jashari.
Ai pret që lista përfundimtare e veteranëve të luftës mos të shkojë mbi 26 mijë veteranë.
“Shumë aplikacione që janë bërë, është vërtetuar se nuk kanë qenë nga komandantët e zonave, brigadave dhe njësive vartësie dhe nuk besoj se do të jetë numri aq i madh sa ka aplikacione. Është krejt normale deri në 26 mijë pjesëtarë të UÇK-së”, ka thënë Jashari, duke u shprehur i kënaqur me punën që ka bërë Komisioni për verifikimin e veteranëve të UÇK-së.
Por mendim krejt tjetër rreth verifikimit të listave të veteranëve të UÇK-së, kanë dy ish-pjesëtarë të kësaj ushtrie. Ata vlerësojnë se verifikimi i saktë i listave për veteranët është mision i pamundur për shkak të tendencave që pjesë e listës të jenë edhe njerëz që nuk kanë qenë fare në luftë.
Njëri nga themeluesit e UÇK-së, Rexhep Selimi, e quan pothuajse të pamundur misionin për verifikimin e listave të veteranëve të luftës së UÇK-së. Sipas tij, ky verifikim do të ishte shumë më i lehtë sikur të bëhej fjalë vetëm për njerëzit që kanë qenë në luftë.
Mirëpo, sipas tij, pretendimet që të përfshihen në listat e veteranëve të luftës edhe njerëz përtej luftës dhe përtej territorit ku është bërë lufta, po e pengon këtë proces.
Ndërsa ka shtuar se veteranë të luftës së UÇK-së, do të duhej të ishin të gjithë ata të cilët kanë qenë në UÇK të përfshirë në luftë në kohën kur ka ndodhur lufta dhe në hapësirën ku është bërë lufta.
“Në ligjin për veteranët nuk janë të përcaktuara mirë as kriteret se kush do të duhej të pretendonte të ishte i përfshirë në listat e veteranëve. Dhe e dyta, duke u varë nga kjo e para, kanë aplikuar shumë njerëz të cilëve ua ka mundësuar ligji që të pretendojnë të jenë veteranë të luftës, e sidomos edhe ata që nuk kanë qenë kurrë në luftë”, ka thënë Selimi.
Ai ka shtuar se për shkak se në ligjin për veteranët nuk janë të përcaktuara qartë kriteret se kush është veteranë i luftës së UÇK-së, ka bërë që ai të mos aplikojë fare për të të marrë librezën e veteranëve të luftës.
“Unë e ndjej se jam veteran i luftës së UÇK-së, e ky përkufizim nuk është pjesë e ligjit për veteranët. Në momentin që ky përkufizim bëhet pjesë e ligjit, atëherë unë do të aplikojë”, ka thënë Selimi.
Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, thotë se me të përfunduar lufta, ka vërejtur se janë bërë shumë padrejtësi ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, duke filluar nga demilitarizimi i UÇK-së. Ndërsa kulmin e këtyre padrejtësive ndaj veteranëve të luftës, Qeriqi e konsideron krijimin e Komisionit për verifikimin e veteranëve të luftës së UÇK-së.
“Mendoj se është tepër e padrejtë që plotë 26 muaj mos të arrijnë t’i verifikojnë veteranët e vërtetë të luftës. Qysh në fillim kur ka filluar ky proces, jam deklaruar se ka qenë një procedurë pa asnjë kriter dhe qysh atëherë kam thënë se do të këtë probleme, padrejtësi dhe vonesa të shumta, dhe kjo po ndodh”, ka thënë Qeriqi.
Ai nuk beson se ky proces do të përfundojë në janar ashtu, ashtu siç po zotohen përfaqësuesit e Komisionit për verifikimin e listave të veteranëve. “Unë nuk kam asnjë shpresë se do të përfundojë në janar, për arsye se edhe është politizuar ky proces”, ka thënë Qeriqi.
Ai ka shtuar se kohëve të fundit janë rritur pakënaqësitë e veteranëve të luftës, ndërsa ka paralajmëruar se në janar veteranët do të protestojnë për shkak të stërzgjatje së procesit të verifikimit të listave të veteranëve. “Protestat janë të pashmangshme”, ka thënë ai. Ndryshe, ky proces është paralajmëruar se do të përfundojë më 15 janar, ndërsa numri i veteranëve të UÇK-së thuhet se nuk do të jetë më i madh se 26 mijë. /Tribuna/