Mirëpo, Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Telegrafin është shprehur se vlera financiare e koeficientit pritet të caktohet brenda muajit janar.

“Vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave”, tha zëdhënësi Përparim Kryeziu.

Ai ka bërë të ditur se janë ndarë 745 milionë euro nga buxheti i 2023-së për pagat e sektorit publik.

“Me Ligjin për Buxhetin e vitit 2023, që u miratua në dhjetor të vitit që lamë pas, kemi caktuar se totali i përgjithshëm i buxhetit për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro”, theksoi ai.

Kujtojmë se Ligji për Paga më 22 dhjetor të vitit të kaluar është miratuar në Kuvendin e Kosovës, ndërsa më 4 janar është dekretuar edhe nga presidentja e vendit Vjosa Osmani.

“Zyra e Presidentes ka pranuar për shpallje, Ligjin 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, më 4 janar 2023. Pas analizave ligjore nga Zyra e Presidentes, presidentja Vjosa Osmani e ka dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik po më 4 janar 2023”, është shprehur një ditë më parë për Telegrafin këshilltari për Media i Zyrës së Presidentes, Bekim Kupina.

Pas dekretimit nga presidentja, ky Ligj pritet të publikohet në Gazetën Zyrtare, e që do të jetë i gatshëm për zbatim.

Koeficienti më i lartë do të jetë 18 për presidentin, ndërsa më i ulëti do të jetë 3.78.

Para se të vinte në Kuvend, ky Ligj kishte qenë në konsultim publik për 15 ditë. Duke e publikuar të plotë dokumentin, Kuvendi i Kosovës ka nxjerr edhe koeficientet për të gjithë punëtorët shtetërorë, ku sipas tyre është propozuar që të jetë paga.

Ligji i cili ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit.

Pra, Ligji rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind e tyre mbetën jashtë. Por, punëtorë në sektorë të ndryshëm publikë, kishin shprehur pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligj.