-0.2 C
Prizren
E shtunë, 28 Janar, 2023

Si shkova në RD në 5 janar 1991

Ben Blushi

Në 5 janar 1991 bashkë me mikun tim, Blendi Fevziu, kemi botuar në gazetën Rilindja Demokratike, që ishte gazeta e parë e lirë, opozitare dhe e pafinancuar nga shteti, në 50 vjet.

Nuk besoj se do ketë ndonjëherë, më shumë uri dhe padurim për pritjen e një letre të shkruar siç ndodhi atë ditë me Rilindjen Demokratike. Njerëzit mbanin rradhë për ta blerë dhe e qarkullonin si një trakt, në të cilin mund të lexoje pa asnjë frikë, ato që shumica, i kishin menduar për komunizmin në 50 vjet, por nuk i kishin shkruar dhe botuar dot kurrë.

Shumë të pafat kishin vdekur, duke dashur të bënin atë që po bënte Rilindja Demokratike : të kritikonin publikisht rregjimin pa u ndëshkuar.
RD ishte një gazetë antikomuniste, e para në llojin e vet dhe ata që nuk e kuptojnë sot peshën e saj, duhet të dinë se nëse kohët nuk do ndryshonin, dy javë para daljes së RD, botimi i saj do na kushtonte të gjithëve burgun, përveçse do ishte i pamundur.

Përjetimet e atyre kohëve i kam në mendje dhe tani që jam më i kthjellët për të kujtuar sesi, një grup intelektualësh dhe studentësh u bashkuan rreth RD, me shpresën se më në fund kishin krijuar një platformë ku do shkruanin lirisht duke përdorur talentin e tyre.

Bashkë me Fevziun u bashkova me këtë grup dhe prandaj të dy patëm fatin të botonim në faqen e parë të numrit të parë të 5 janarit 1991, një reportazh që tregonte ditët e protestave të studentëve të dhjetorit 1990, të cilat nxitën vendosjen e pluralizmit, hapjen e një partie politike që ishte PD dhe shtyp të lirë dhe të pavarur që ishte vetë RD.

Shkrimi quhej, 4 Ditët e Mëdha të Studentëve dhe tregonte se çfarë ndodhi nga data 8 deri në 11 dhjetor 1990, si u organizuan studentët, kush ishin kërkesat e tyre dhe çfarë emocionesh dhe shpresash krijoi kjo lëvizje në gjithë Shqipërinë.
Ne e ndamë shkrimin në dy pjesë dhe pasi secili shkroi pjesën e tij, i bashkuam duke u përpjekur të ruajmë një rrjedhe llogjike dhe të sinkronizojmë kronologjinë e ngjarjeve që kishin ndodhur aq shpejt. Mbaj mend se vitin e ri 1991, e kemi kaluar duke shkruar dhe duke kombinuar fjalitë, në mënyrë që mos përsërisnim njëri tjetrin. Bashkimi i pjesëve ishte edhe më i vështirë dhe kjo rezultoi e vërtetë edhe për vetë RD, e cila më vonë nuk arriti dot të bashkojë ata që u mblodhën rreth saj, por i përçau dhe i ndau, natyrisht përveç mua dhe Fevzos që mbetëm miq, siç jemi akoma dhe sot.

Që nga ajo ditë nuk e kam lexuar më këtë shkrim dhe ndoshta nuk do ta lexoj më. Kujtimi i mëvonshëm i RD ma hoqi shijen për cdo gjë që kam bërë aty.

Unë shkova në RD si një djalë që njihte kënaqësitë e moshës dhe kur dola pas disa javësh isha një burrë që njihte veset e çdo moshe. Aty njoha Shqipërinë që nuk e njihja, të rrënuar nga morali dhe të mbushur me urrejtje që shumë shpejt do çonte, siç edhe coi, në dhunë. Në RD mësova se sa e rëndomtë dhe plot intriga, smirë dhe mëri është rruga drejt pushtetit e drejtuar nga një gazetë ku ishin mbledhur njerëz që urrenin të shkuarën e njëri- tjetrit dhe prandaj edhe të ardhmen e përbashkët.

Për këtë shkak RD e humbi shumë shpejt shkëlqimin e saj dhe nga një gazetë e inteligjencës dhe studentëve u kthye në një gazetë kundër tyre dhe kundër të gjithë atyre që e krijuan. Unë punova aty vetëm disa javë dhe më vjen mirë që pa u bërë dy tre muaj, bashkë me disa gazetarë të tjerë si Armand Shkullaku, Genc Tirana, Arben Ruka, Vera Isaku etj, ikën në mënyrë demonstrative nga RD.

Ne braktsëm me ndërgjegje një gazetë të dhunshme dhe krejtësisht joprofesionale. Ikëm drejt një shtypi të lirë dhe ky është një nga vendimet më të mira që kam marrë ndonjëherë.

RD u kthye shpejt në një gazetë përçarëse,krahinaliste,sektare dhe shpifëse. Ata që e themeluan ikën të gjithë dhe RD filloi të fyente dhe të shpifte ndaj të gjithëve, përfshi edhe mua vetë.

Nëse sot bëhet një bilanc shpifjesh, RD ka vendin e parë. Kjo gazetë ka shpifur më shumë se çdo gazetë tjëtër në Shqipëri për të mos thënë që ajo e ktheu shpifjen në normë duke infektuar kësisoj shtypin që erdhi më pas duke e imituar.

Nga një gazetë që thoshte të vërtetën kur ishte e nevojshme, RD u kthye në një gazetë që shpifte edhe kur ishte e panevojshme.

Shpifja ishte busulla e saj dhe më thonë që kështu vazhdon, sepse nuk e lexoj më edhe kur shpif për mua.

Kjo gazetë është unike në historinë e botës sepse pati vlerë vetëm ditën e parë kur doli. Ajo ishte një gjest lirije që nuk u bë dot gazetë e lirë.
Prandaj vendosa ta kujtoj 5 janarin 1991.

Më Shumë

Zidane mund të kthehet në Real Madrid në të ardhmen

Legjenda franceze e futbollit, Zinedine Zidane, mund të kthehet sërish në Real Madrid. Sipas The Athletic, ai është favorit për ta marrë drejtimin e klubit...

24 vjet nga masakra në Rogovë të Hasit, aty ku u vranë 21 ushtarë të UÇK-së

Sot bëhen 24 vjet nga masakra në fshatin Rogovë të Hasit, aty ku ranë në pritë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por nuk...

Lajmet e Fundit