Ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, aktualisht zëvendësministër i Administratës Publike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Bujar Nerjovaj, ka deklaruar se është i gatshëm të hyjë në ndonjë marrëveshje eventuale për pranimin e fajësisë.
Një propozim të tillë, ai e ka bërë përmes mbrojtësit të tij, avokatit Skender Morina, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prizren, ku ai akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Pas konsultave me të mbrojturin tim, dhe në bisedë me prokurorin, kemi ardhur në përfundim për negocimin e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë, andaj propozoj gjykatës që të na lejon një afat shtesë që të vendos lidhur me kërkesën time, dhe kjo seancë e sotme të ndërpritet”, ka thënë avokati Morina.
Në anën tjetër, prokurori Metush Biraj, nuk e kundërshtoi një kërkesë të tillë, pasi që sipas tij, kjo është në përputhje të plotë me ligjin.
Nerjovaj, akuzohet se derisa ishte drejtor i Inspektoratit në Prizren, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Xheladin Osmani, e ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes, dhe seancën e radhës e ka caktuar më 20 mars 2019, prej orës 9:30.
Gjykatësi Osmani, tha se nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje eventuale deri në këtë afat kohor, atëherë sipas tij, ky proces do të vazhdojë me seancën kryesore.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 29 nëntor 2018, ai ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën me të cilën ngarkohej.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 30 tetor 2018, i pandehuri Bujar Nerjovaj, si drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, akuzohet se si person zyrtar me mosveprim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.
Në aktakuzë thuhet se Nerjovaj, në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.
Sipas aktakuzës, objektet janë ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren, me ç‘rast është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mos pagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36,143.00 euro.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./betimiperdrejtesi/