23.8 C
Prizren
E diel, 28 Prill, 2024

Zyrtarët e Komunës së Prizrenit kërkojnë hudhjen e aktakuzës për rrënimin e aneksit te “Abi Çarshia”

Zyrtarët e Komunës së Prizrenit, Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi,  kanë kërkuar hudhjen e aktakuzës ndaj tyre, e cila i ngarkon për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Një kërkesë të tillë, ata e kanë paraqitur në shqyrtimin e dytë gjyqësor, të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i  të akuzuarës Egzona Morina-Thaqi, avokati Valdet Hoxha, kërkesën për hudhjen e aktakuzës e ka mbështetur në pretendimin se nuk ka bazë të mjaftueshme se e mbrojtura e tij ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet dhe se nuk ka prova që e vërtetojnë gjendjen faktike.

Avokati Blerim Mazreku, që mbron të akuzuarin Islam Thaqi, ka deklaruar se vepra penale e përshkruar sipas aktakuzës është e kryer në bashkëkryerje, mirëpo sipas tij, mungon përshkrimi faktik i veprimeve individuale konkrete të secilit nga personat që dyshohen, si dhe ka shtuar se ka pasur shkelje procedurale nga Prokuroria e Shtetit.

PZ

Edhe dy avokatët tjerë, Ardian Morina dhe Bestar Kolgeci, mbrojtës të të akuzuarve Jetmire Vrenezi dhe Shqipron Krasniqi, kanë pretendime të njëjta në lidhje me kërkesën për hudhje të aktakuzës.

I akuzuari Arjan Taraku, ka deklaruar se kërkesa për hudhje të aktakuzës bazohet në faktin se në kohën kur ka ndodhur rasti, ka qenë i punësuar me kontratë për detyra dhe punë specifike, dhe se në rastin konkret ka vepruar në bazë të kërkesave të Drejtorisë së Inspektoratit.

Ndërsa, i akuzuari Isë Bislimaj ka deklaruar se kërkesën për hudhje të aktakuzës e ka mbështetur në faktin se detyrat e tij të punës në bazë të konkursit pranues janë që të veprojë në bazë të urdhrave të drejtorit.

Nga ana tjetër, prokurori Mehdi Sefa, ka deklaruar se e mbron në tërësi aktakuzën dhe kërkon caktimin e shqyrtimit kryesor.

Gjykatësja Kymete Kicaj, ka thënë se për kundërshtimet e paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve do të merret aktvendim i veçantë.

Në seancën e mbajtur më 20 shkurt 2020, të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, duke i ngarkuar me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SHPK në Prizren.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim, të njëjtit veprojnë në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat janë anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi, me ç’rast gjatë rrënimit të aneksit të “Abi Çarshia” i shkaktojnë dëm në shumën prej 69,729.66 euro.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Plagoset një person afër Xhamisë në Dragash – Policia arreston të dyshuarin dhe jep detaje

Një person është plagosur në qendër të qytetit të Dragashit. Rasti ka ndodhur afër Xhamisë në këtë qytet të Kosovës. I dyshuari është identifikuar nga Policia...

KPF-ja e rekomandon Kuvendin e Prizrenit që të bëjë bartjen e mjeteve për vitin 2024

Në mbledhjen e sotme të Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Prizrenit, u shqyrtua dhe diskutua pika e rendit të ditës lidhur...

Lajmet e Fundit