9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Zyrtari në Prizren thotë se inspektorët e tregut e kanë matur me hapa largësinë e objekteve të lojërave të fatit nga ato shkollore e fetare

Koordinatori i Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, Fail Hoxhaj, ka deklaruar se inspektorët e tregut largësinë e objektit të lojërave të fatit, me ato shkollore ose fetare e kanë matur me hapa.

Një deklaratë të tillë, ai e ka dhënë të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ku është mbajtur seanca e shqyrtimit kryesor ndaj ish-inspektorit të tregut, Fatmir Gashi, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gashi akuzohet se në gusht të vitit 2014, si inspektor komunal i tregut në kuadër të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, në kundërshtim me nenin 66 të Ligjit për Lojërat e Fatit, jep pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus”, për njësinë në Prizren, në rrugën “Jusuf Gërvalla”, e cila njësi është 300 metra afër xhamisë.

Ai ka thënë se një ndër kushtet për dhënien e pëlqimit për lojërat e fatit është që objekti duhet të jetë në largësi 500 metra, prej objekteve shkollore dhe fetare.

“Inspektorët e tregut e kanë bërë matjen në mënyrë vizuele në rastet e caktuara ku kanë dyshuar, matjen e kanë bërë personalisht, me hapa”, ka thënë Hoxhaj, duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores së rastit, Ervehe Gashi, se si i kanë bërë këto matje inspektorët e tregut.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Fatmir Krasniqi, se matja e largësisë me hapa, a është në kundërshtim me ligjin për inspektoratin, dëshmitari e ka mohuar një gjë të tillë.

“Decidivisht ligji i obligon ATK-në dhe Doganat, të cilat janë mbikëqyrës të Ligjit të Lojërave të Fatit, ndërsa inspektorati i tregut ka qenë bashkëpunues, inspektorët e tregut kanë lëshuar pëlqim, ndërsa ATK ka lëshuar licencë. Me dhënien e pëlqimit pala është drejtuar organeve të ATK-së, të cilët kanë bërë verifikimin e kushteve dhe më pas kanë lëshuar licencë”, ka deklaruar dëshmitari, ku sipas tij, për këtë rast nuk e din nëse ATK-ja ka verifikuar kushtet për hapjen e lokalit.

Ndërkohë, dëshmitari Hoxhaj, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Gashi, avokatit Skender Morina, ka deklaruar se nuk është në kompetencën e inspektorëve të tregut matja e largësisë për dhënien e pëlqimeve për veprimtarinë e lojërave të fatit.

“Inspektorët e tregut nuk janë kompetent për matjen e largësisë, këtë duhet ta bëjë vetëm gjeodezia”, ka deklaruar dëshmitari Hoxhaj.

Ai ka thënë se inspektorët e tregut kanë vepruar në bazë të memorandumit të nënshkruar në mes të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Kuvendi Komunal, me të cilin vendim, sipas tij, është deleguar kompetenca për dhënien e pëlqimeve për lojërat e fatit.

“Unë nuk kam marrë pjesë në nënshkrimin e kësaj marrëveshje bashkëpunimi, por nga një kopje na është dorëzuar edhe neve, mua dhe koordinatorit të sektorit të tregut, Nikoll Domgjoni”, ka deklaruar ai.

Pas dëgjimit të dëshmitarit, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Skender Morina, i ka propozuar trupit gjykues që në cilësi të dëshmitarëve të ftohet një ekspert nga ATK-ja, ku sipas tij, do të sqaronte më konkretisht bazën ligjore.

Trupi gjykues ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes, kurse seancën e radhës e ka caktuar më 6 dhjetor  2019, në ora 09:30.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 24 maj 2019, i pandehuri Fatmir Gashi akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Fatmir Gashi akuzohet se me 29 gusht 2014 në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i tregut në kuadër të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 66 të Ligjit për Lojërat e Fatit, jep pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus”, për njësinë në Prizren, në rrugën “Jusuf Gërvalla”, e cila njësi është 300 metra afër xhamisë.

Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij pëlqimi ky biznes është licencuar nga Divizioni për Lojërat e Fatit, me ç’rast biznesit në fjalë i sjellë dobi duke ia aprovuar kërkesën dhe duke e lejuar që ta ushtrojë veprimtarinë e tij, deri me 28 korrik 2017, kur Divizioni për Lojërat e Fatit i ATK-së e mbyll këtë veprimtari.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtare. /Betimipërdrejtësi

Më Shumë

Bruce Springsteen bashkohet në skenë me Zach Bryan dhe Maggie Rogers (Video)

Legjenda e folk-rokut, Bruce Springsteen, iu është bashkuar dy yjeve të reja të muzikës, Zach Bryan dhe Maggie Rogers. Bosi gjeti kohë për t’u shkëputur...

Mirlind Daku flet për herë të parë: E kam pritur ftesën nga Kombëtarja, por është vendim i Sylvinhos

Kombëtarja e Shqipërisë e ka nisur me humbje vitin 2024, pasi u mund në miqësoren e parë për këtë muaj nga Kili me rezultat...

Lajmet e Fundit