Trajneri dhe njëherësh themeluesi i klubit të basketbollit Proton Cable Prizreni, Arbnor Rifati, ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, të bëra në një emision në Kanal 10, lidhur me klubin prizrenas.
Rifati, përmes një reagimi publik, ka theksuar se është e paarsyeshme që kryetari i komunës të nënvlerësojë klubin që ka sjellë trofeun e fundit për qytetin e Prizrenit që nga viti 2018. Ai ka rikujtuar se pikërisht atëherë kryetari Totaj kishte pozuar me trofeun në zyrën e tij.
Në reagim përmenden edhe sukseset konkrete të klubit, si titulli i kampionit të stinorit të rregullt më 2020, fitimi i Superkupës së Kosovës më 2021, medalja e bronztë në Ligën Unike më 2022, si dhe pjesëmarrja për katër vite me radhë në fazën e playoff-it në Superligën e Kosovës.
Rifati sqaron se asnjëherë nuk kanë kundërshtuar mbështetjen për klubin tjetër të qytetit, KB Bashkimi, dhe thekson lidhjet familjare e personale me atë klub. Megjithatë, ai kritikon mospërkrahjen institucionale ndaj Proton Cable Prizrenit dhe kujton faktin se për katër vite me radhë, as kryetari Totaj e as drejtori i DKRS-së nuk kanë marrë pjesë në asnjë ndeshje të klubit, pavarësisht ftesave zyrtare.
Ai gjithashtu përmend se klubi që ai përfaqëson nuk i ka mbetur borxh askujt që nga themelimi më 2016, duke e krahasuar këtë me situatën e borxheve që pretendon se janë lënë në kohën kur Totaj ka qenë kryetar i KB Bashkimit.
Në fund të reagimit, Rifati i bën thirrje Totajt për një debat publik, ku të dy palët mund të paraqesin dokumente dhe fakte lidhur me mbështetjen financiare dhe aktivitetet për të cilat është folur.
Sipas tij, gjuha nënçmuese e kryetarit nuk e dëmton klubin, por përkundrazi, e forcon atë, duke theksuar se edhe ata janë pjesë e Prizrenit – me punë, jo me propagandë. /AsistiOnline.com/
Komuna e Rahovecit zyrtarisht ka pranuar raportin nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).
“Me kënaqësi ju njoftoj se Komuna e Rahovecit ka pranuar raportin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2024, me opinion të pamodifikuar, që do të thotë se të gjitha aspektet materiale të financave tona janë në përputhje me ligjet dhe standardet ndërkombëtare të auditimit. Ky është një vlerësim shumë i rëndësishëm që dëshmon se në komunën tonë ka qeverisje të mirë, transparente dhe të përgjegjshme”, ka shkruar në “Facebook” kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.
Ai ka thënë se kjo arritje nuk do të ishte e mundur pa angazhimin dhe përkushtimin e ekipit të tij, të drejtorisë për buxhet dhe financa, të drejtorëve të drejtorive, të administratës komunale, si dhe pa bashkëpunimin e mirë me qytetarët.
“Falënderoj secilin prej jush për kontributin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm! Po ashtu, falënderoj për bashkëpunimin e mirë edhe ekipin e auditorëve nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), të cilët e kanë kryer këtë proces me profesionalizëm të lartë dhe transparencë të plotë. Ky sukses na jep shenja të qarta se kemi mundësi reale të jemi përfitues të Grantit të Performancës, që është një burim shumë i rëndësishëm financiar për realizimin e projekteve në shërbim të qytetarëve tanë. Kemi një përkushtim serioz dhe të palëkundur për të ndërtuar një administratë edhe më të përgjegjshme, çdo ditë e më të hapur dhe sa më efikase, në shërbim të qytetarëve dhe në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të komunës sonë”, ka thënë Latifi.
Ndalimi i saj është bërë pas transmetimi të hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” me titull “Loja me numra për fitimin e lejeve ndërtimore”.
Hulumtimi ngrit dyshimet se Osmanollaj si zyrtare e Urbanizmit, kundërligjshëm kishte lëshuar lejen ndërtimore për objektin banesor “Lirimi 2” me një parcelë e cila ishte shfrytëzuar për kushtet teknike dhe lejen ndërtimore të objektit banesor “Lirimi 1”.
Në një përgjigje të dhënë përmes telefonit, Osmanollaj kishte mohuar se ishte shfrytëzuar parcela e njëjtë për të dy lejet ndërtimore, duke deklaruar se e para ishte lëshuar me Ligjin për Ndërtim, ndërsa leja e dytë me Hartën Zonale të Prizrenit.
Mirëpo, veprimet e Osmanollajt nuk kishin përfunduar vetëm me lëshimin e lejes ndërtimore.
Ajo kishte lëshuar certifikatën për përdorimin e objektit “Lirimi 1”, përkundër se objekti kishte pasur tejkalim të lejes ndërtimore, duke ndërtuar dhe një penthouse.
Madje, për këtë ndërtim pa leje, Drejtoria e Inspektorateve kishte ushtruar kallëzim penal në prokurori shtatë muaj para se Osmanollaj t’i lëshonte certifikatën e përdorimit.
Në anën tjetër, Osmanollaj aktualisht është nën hetime nga Prokuroria Themelore në Prizren edhe për lëshimin e lejes ndërtimore të objektit banesor dhe afarist “Albanica Home”, me pasi të njëjtit i kishte mundësuar ndërtimin e dy kateve më shumë sesa parashihen me Hartën Zonale.
Kësisoj, duke i mundësuar fitim milionësh, vëllait të shefit të kabinetit të kabinetit të kryetarit të komunës, Nehat Elshani, Albert Elshanit.
Për këtë, prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, në një intervistë për “Betimi për Drejtësi” ka deklaruar se janë në pritje të ekspertizës./ Betimi për Drejtësi
Banorët e lagjes “Bajram Curri” në Prizren do të përballen sot me një ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë, për shkak të punimeve në rrjetin e ujësjellësit.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” Sh.A. ka njoftuar se furnizimi me ujë do të ndërpritet nga ora 12:00 deri në ora 18:00, për të mundësuar sanimin e defekteve teknike në rrjet, raporton PrizrenPress.
“Ekipet tona janë në terren dhe do të punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me ujë”, thuhet në njoftimin e kompanisë, e cila falënderon konsumatorët për mirëkuptimin.
Ndërhyrja, sipas kompanisë, është e domosdoshme për garantimin e qëndrueshmërisë dhe cilësisë së shërbimit në këtë zonë të qytetit./PrizrenPress.com
Bedri Cahani lindi më 15 prill 1959 në Gjakovë, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet e larta i vijoi në Degën e Edukatës Fizike në Shkollën e Lartë Pedagogjike dhe më pas në Fakultetin e Kulturës Fizike të Universitetit të Prishtinës, ku përfundoi edhe ciklin master, duke u profilizuar si një specialist i përkushtuar i arsimit dhe sportit.
Në gusht të vitit 1980, nisi punën në arsim si mësimdhënës në shkollën fillore “Zekeria Rexha” të Gjakovës. Përkushtimi i tij profesional u shoqërua gjithnjë me angazhim qytetar dhe shoqëror, veçanërisht gjatë viteve të okupimit të dhunshëm serb në Kosovë. Për shkak të qëndrimit të tij aktiv në mbrojtje të shkollave shqipe dhe kundër ndërhyrjeve brutale të pushtetit serb, ai u detyrua të largohej nga Kosova në vitin 1993, duke kaluar disa vite në Shqipëri dhe në vendet perëndimore.
Pas përfundimit të luftës, Bedri Cahani u kthye në Kosovë, ku u përfshi menjëherë në jetën institucionale. Nga viti 2000 deri më 2003 ishte udhëheqës i sektorit të sportit në Drejtorinë Komunale për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjakovë, e më pas drejtor i kësaj drejtorie deri në vitin 2006. Në nivel qendror, nga viti 2006 deri më 2009, udhëhoqi Departamentin e Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa në periudhën 2010–2012 drejtoi Drejtorinë Komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjakovë.
Nga viti 2012 e deri në daljen në pension më 14 prill 2024, ishte drejtor i Gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë, ku dha shembullin e një drejtuesi të përkushtuar, i vlerësuar për përformancën dhe integritetin profesional.
Përveçse arsimtar, Bedri Cahani është një figurë e njohur dhe e respektuar në sport, veçanërisht në fushën e bodybuildingu-t. I identifikuar me këtë sport që në rininë e hershme, ai ishte kampion dhe përfaqësues i Kosovës në shumë gara ndërkombëtare, si Kampionati Evropian në Rumani (1996), Kampionatet Botërore në Jordani, Poloni, Çeki e Greqi, si dhe pjesëmarrës aktiv në aktivitete evropiane të fitnesit dhe kulturës fizike. Nga viti 1990 deri në vitin 1993, kur ishte në krye të Federatës së Bodybuildingu-t të Kosovës, dha një kontribut jetik në mbrojtjen e sportit dhe në mbajtjen gjallë të frymës së rezistencës kombëtare. Për këtë arsye ishte vënë në shënjestër të pushtuesve dhe u detyrua ta lëshonte vendin.
Në Shqipëri, ku qëndroi për një periudhë, themeloi Federatën e Bodybuildingu-t, duke forcuar lidhjet sportive mbarëkombëtare. Ai ka qenë gjithashtu bashkëthemelues i klubit të boksit “Gjakova”, selektor i kombëtares kosovare të bodybuildingu-t (2000–2003), monitorues i fitnesit në Lausanne të Zvicrës (1998–2000), si dhe i diplomuar në shkollën zvicerane të Kulturës Fizike dhe Bodybuildingu-t.
Për kontributin e tij është nderuar me diploma dhe mirënjohje, përfshirë edhe nga Federata Ndërkombëtare e Bodybuildingu-t dhe Fitnesit (FFBB).
Bedri Cahani mbetet një ndër figurat më të gjithanshme në fushën e arsimit dhe sportit në Kosovë. Ai përfaqëson një model të rrallë të mësimdhënësit, sportistit dhe qytetarit të angazhuar, i cili në çdo etapë të jetës së tij ka qenë udhërrëfyes për brezat e rinj, duke kontribuar pa kushte për vendin dhe shoqërinë.
(Marrë nga libri në proces:Hasi – Katër shekuj shkollë dhe arsim shqip)
Komuna e Dragashit u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm ndaj rrezikut të kafshimeve nga gjarpërinjtë, sidomos gjatë muajve të verës (maj–shtator), kur lëvizja e tyre është më aktive për shkak të temperaturave të larta dhe terrenit të përshtatshëm malor, raporton PrizrenPress.
Në njoftimin e publikuar për qytetarët, komuna thekson rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe marrjes së masave mbrojtëse gjatë qëndrimit në natyrë.
“Duke marrë parasysh që Komuna e Dragashit ka shumë zona malore dhe natyrore ku mund të hasen gjarpërinj, ju bëjmë thirrje të jeni të kujdesshëm dhe të informuar rreth masave mbrojtëse kundër kafshimeve të gjarprit”, thuhet në njoftim.
Qendrat ku është i disponueshëm serumi anti-venom janë këto: QKMF Dragash, QMF Brodesanë, QKMF Krushevë dhe AMF Brod.
Në rast të një kafshimi, qytetarët këshillohen të qëndrojnë të qetë dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore sa më shpejt, duke kontaktuar urgjencën ose duke u paraqitur në njërën nga qendrat shëndetësore të përmendura./PrizrenPress.com
E shtunë, 5 gusht 1967. Kënga më e bukur e verës “Light my fire”, nis javën e dytë si Nr.1 në renditjen e Billboard në SHBA. Një moment i madh jo vetëm për “The Doors”, grupi me katër pjesëtarë që sillte kinemanë dhe poezinë në muzikën Rock, por edhe për historinë e fundshekullit 20.
Të tjera këngë në 10-shen më të mirë të atyre ditëve? “All You Need Is Love”, “A Whiter Shade Of Pale” dhe “White Rabbit”.
Por “The Doors” nuk këndonin për verën e dashurisë. “The Doors” këndonin për të ashtuquajturin apokalips të Rock-ut. “Come on baby light my fire / try to set the night on … Fire ” (Eja e dashur, ndizma zjarrin / përpiqu t’i vësh natës… Flakën), këndonte Jim Morrison.
“Light my fire” ishte më pak një këngë e verës së dashurisë, dhe më shumë e dimrit në ferr. Origjinën e kishte një vit më herët, kur “The Doors” ishin një grup që këndonin në lokale për 40 dollarë nata.
Skena në klubin “Fog”, ku ata jepnin shfaqje në Sunset Boulevard, ishte ngritur mbi një kabinë të drunjtë, që shërbente si tualet.
Duke kënduar pesë këngë çdo natë, katër netë në javë përballë sallave të boshatisura, grupi nisi të eksperimentojë. Në fillim krijuan një “xhingël” me emrin “The End”, që tani është tranformuar në një sagë indiane Rock-u acid.
Pastaj i erdhi radha “Light my Fire”, të cilën kitaristi Robby Krieger e kishte krijuar, pasi Morrison e kishte qortuar pse nuk shkruante më shumë.
Që tek “The Fog” ata e kishin tashmë ritmin e tipit bossa nova, hyrjen e këngës si një kaskadë e Bachut, si dhe pjesën e zgjatur alla Fantazma e Operës, me Jim Morrisonin që këndonte nën zë, si një adhurues vampirësh, përpara se e gjitha të shpërthente në një “ngatërresë” gotike, midis Dritës dhe Errësirës.
Kështu iu duk Jim Morrisonit dhe Ray Manzarekut. I pari madje do të thoshte: “Muzika jonë i çon njerëzit në një lloj orgazme emocionale. Për mua është trazuese, ndjell kënaqësi…”.
Në albumin e “The Doors” me të njëjtin emër, që doli në janar 1967, “Light my Fire” ishte diçka më shumë se 7 minuta e gjatë.
Fillimisht nuk e pranuan të transmetohet në radio. Dhe teksa grupi doli në turne, “Light my fire” u bë dalëngadalë e kërkuar nga të gjitha radiot, AM dhe FM.
Dhe kur themeluesi i Elektra Records Jac Holzman përgatiti versionin 2 minuta e 52 sekonda të këngës, albumi po shiste 10 mijë kopje në muaj.
Krejt papritur, vërshuan seancat e fotografive, intervistat, paratë. “Befas, nisëm të ndjejmë se mund të bënim gjithçka”, thoshte Manzarek.
Ky ishte 23-vjeçari Morrison, me pamjen e tij prej “luani të ri”: pantallona lëkurë të zezë, flokët të gjatë, ikona më e re e popit, me duart e hapura në pozicion kryqëzimi.
Një martir i muzës, që shqyente dyert e perceptimit me çdo mënyrë që mundej: acid, alkool, mariuanë, e më pas kokainë dhe heroinë. E gjitha ndërsa varej nga ballkonet e hoteleve dhe recitonte poezi të pavdekshme.
Siç thoshe bateristi John Densmore: “Vetëshkatërrimi dhe kreativiteti nuk kanë pse vijnë në një paketë…
Por në rastin e Jimit ato vinin bashkë dhe na u desh t’i pranonim”. Apo siç e thoshte Krieger: “Do të kish qenë gjithçka më e lehtë, nëse Jim Morrison do të kish qenë një gjeni normal”.
Në korrik, kur u shfaqën për herë të parë në televizion, drejtuesi Dick Clark do të thoshte: “Grupi më i madh, më fantastik dhe më i suksesshëm i vitit që po vjen – The Doors!”
Megjithatë, errësira nuk ishte asnjëherë larg.
Morrison e urrente Kriegerin që kishte shkruar “Light my Fire”.
Kudo ku shkonte Morrison, njerëzit e përgëzonin për krijimin e një kënge, për të cilën ishte lodhur aq shumë t’i mësonte fjalët. Deri në shtator, Light my Fire dhe “The Doors” ishin në krye të renditjeve.
Në shfaqjet e tyre, shumicë ishin tashmë vajzat adoleshente, dhe jo tipat e çuditshëm.15 ditë më vonë,” The Doors” shkuan të këndojnë “Light my Fire” tek The Ed Sullivan Show.
Morrison e shkeli premtimin që i kishte dhënë Sullivanit, për të mos e kënduar vargun “Girl we couldn’t get much higher” (E dashur, më të bërë – me drogë – se kaq, nuk mund të ishim).
Sullivani u tërbua duke bërtitur se “The Doors” nuk do të ftoheshin më kurrë në shfaqjen e tij. Morrison ia preu duke ngritur supet, “Hej lali, ne sapo e bëmë shfaqjen tënde”.
Sullivan nuk ishte i vetmi “sulltan” i showbiz-it që kishte vënë në shënjestër Morrisonin pas daljes së këngës “Light my Fire”.
Dy prej këngëve më të bukura të Frank Sinatrës në vitin 1966 – “Strangers in the night” dhe “That’s life” – e kishin mrekulluar Morrisonin, prej mënyrës se si Sinatra kalonte aq kollaj nga “çjerrja” seksi tek zëri i butë me një intimitet të pabesueshëm.
Dhe kështu, Morrison nisi të imitojë disi serenatën e Sinatrës, dhe kjo ishte më e dukshme tek “Light my Fire”.
Kur Sinatra, një këngëtar i famshëm për lidhjet me mafian italiane dëgjoi “Light my Fire”, ai ishte i bindur që Jim Morrison “e kishte vjedhur”, dhe deklaroi: “Duhet ta lejojmë atë djalë që të pësojë një aksident”.
Shumë vonë. Për The Doors, “Light my fire” kishte ndryshuar gjithçka. Deri në fund të vitit 1967, secili prej pjesëtarëve të grupit kishte futur në xhep 50 mijë dollarë (afro 450 mijë me vlerën e sotme).
Ka dhe të tjera episode. Kur “Light my fire” u ngjit në vendin e parë, Holzman i ftoi që të zgjidhnin secili nga një dhuratë që dëshironte, për të festuar.
Krieger dhe Manzarek zgjodhën magnetofonë të fundit, Densmore mori një kalë rrace.
Jim Morrison, ai shpirt i lirë dhe vagabond, kërkoi dhe mori një Ford Mustang Shelby GT 500, me sedilje lëkurë të zezë. I hipi menjëherë dhe nxitoi përgjatë Sunset Boulevard. I vendosur, si gjithmonë, që t’i vinte flakën natës./bota.al
Për herë të 34-të sot ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nga 102 deputetët që ishin në sallë, 51 votuan për, 1 votë kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati.
Edhe në vazhdimin e sotëm sërish nuk pati kuorum për vendimmarrje lidhur me komisionin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi subjektet politike parlamentare, PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK-Nisma, nuk propozuan deputetë për anëtarë të këtij komisioni.
Dehari ndërpreu seancën dhe bëri të ditur se vazhdimi i saj të jetë më 21 qershor, në orën 10:30.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” (BKK) ka bërë thirrje publike për ndihmë, pasi në fondet e saj mungojnë kopjet e gazetës “Rilindja” për periudhën 1950–1960. Sipas njoftimit, këta numra historikë nuk ndodhen as në Arkivin Shtetëror të Kosovës, e as në Bibliotekën e Qytetit të Prishtinës.
“Qytetarët apo institucionet që mund të ruajnë ndonjë numër të kësaj periudhe, ftohen të kontaktojnë Bibliotekën Kombëtare në adresën:
“Kopjet do të pranohen si huazim i përkohshëm dhe do të administrohen nga Zyra e Bibliotekës Digjitale në kuadër të BKK-së”, thuhet në apelin e BKK-së.
Thirrja vjen si pjesë e përpjekjeve për të digjitalizuar plotësisht fondin e gazetës “Rilindja”, një burim i çmuar historik dhe kulturor i Kosovës.
“Rilindja” është gazeta e parë shqiptare në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore, e cila doli për herë të parë më 12 shkurt 1945 në Prizren, dhe për dekada me radhë shërbeu si tribunë politike, kulturore dhe shoqërore për shqiptarët në ish-Jugosllavi.
Radio Kosova mbështet këtë nismë dhe i bashkohet apelit për bashkëpunim në ruajtjen e kësaj pasurie kombëtare.
Procesi ka ngelur tek zgjedhja e kryetarit dhe kryesisë së Parlamentit, por bazuar në qëndrimet e partive politike nuk ka ndonjë sinjal për kapërcimin e kësaj situate.
Lëvizja Vetëvendosje, po insiston në propozimin e saj për këtë pozitë Albulena Haxhiun, anise nga ish-opozita po konsiderohet figurë përçarëse.
LVV-ja nuk po heq dorë nga emri i saj.
Në asnjërën nga tentimet e bëra, Haxhiu s’ka arritur t’i marrë 61 vota, njofton Klankosova.tv.
Janë bërë tashmë më shumë se dy muaj nga seanca e pare konstituive e 15 prillit dhe deri më tani janë bërë 29 dështime të ministres në detyrë të Drejtësisë për t’u zgjedhur në postin kryesor të Parlamentit.
Për të tejkaluar krizën politike, shefja e shtetit Vjosa Osmani, pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me synimin që të sqarohen mundësitë ligjore për tejkalimin e situatës aktuale.
Ajo deri tash ka mbajtur deri tani dy takime konsultative me liderët e partive politike, fillimisht më 15 maj dhe së fundmi për çështjen e organizimit të zgjedhjeve lokale.
Osmani ka përsëritur gatishmërinë për të zhvilluar takime të veçanta me çdo lider politik që ka interes për të diskutuar rreth konstituimit të organit kryesor ligjvënës,
Janë bërë katër muaj prej se Kosova mbajti zgjedhjet parlamentare, në të cilat Vetëvendosje doli partia e parë, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK-NISMA.