14.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

24 marsi, nata e përkrahjes botërore për Kosovën

RrustemMustafa–RemiNata e 24 marsit që rezultoi me fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe, për Rrustem Mustafën – Remi, do të mbetet në kujtesë përgjithmonë. Në një intervistë për Tribunën, komandanti i Zonës Operative të Llapit ka treguar për nisjen e bombardimeve që ai thotë se e dinte se do të ndodhnin.

Ai ka përkujtuar se ishte në kontakt të vazhdueshëm me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së por edhe me delegacionin e Kosovës që ndodhej në Rambuje. Gjatë gjithë asaj nate, Remi ka thënë se janë marrë me ndryshimin e strategjisë ushtarake, derisa ka treguar edhe për shkëmbim informatash që kanë pasur me forcat e NATO-s.

Tribuna: Z. Mustafa, ku ndodheshit personalisht në natën e 24 marsit 1999?
Mustafa: Do të kthehem në retrospektivë për të kujtuar se çdo ushtar i UÇK-së së Zonës Operative të Llapit (ZOLL vijon.), sikurse dhe unë, në natën e 24 marsit ishim në shtabin e ZOLL-it për rajonin e Prishtinës duke iu përgjigjur të gjithë urdhrave komandues për sigurinë e popullsisë, meqenëse ne kishim informata që nata e 24 marsit do ta ndryshojë strategjinë tonë ushtarake, apo më mirë të them, ne ishim duke u munduar që të kemi në kontroll në gjithë popullsinë e këtij rajoni dhe ishim të informuar se misionit tonë për liri po i bashkoheshin edhe forcat ndërkombëtare të NATO-s.

Tribuna: A kishit informacione se pikërisht atë natë, forcat e NATO-s do të nisnin fushatën sulmuese ndaj forcave serbe?
Mustafa: Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka dëshmuar një hierarki të nivelit të lartë ushtarak, në misionin e vet që kishte për qëllim çlirimin e vendit, sikurse për të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur asokohe në vendin tonë, edhe për natën e 24 marsit ne ishim të informuar se do të ketë intervenim nga forcat e NATO-s, andaj bëmë përgatitjet për të ndryshuar strategjinë tonë ushtarake.

Tribuna: Nga kush jeni informuar për herë të parë se forcat e Aleancës Veriatlantike do ta sulmojnë Serbinë?

Mustafa: Ne si Zonë Operative e Llapit, qëndronim në komunikim të vazhdueshëm me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Për të gjitha informacionet ne ishim të informuar në kohë, njëkohësisht ishim të informuar edhe nga delegacioni ynë që ndodhej në Rambuje.

Tribuna: Cili ishte reagimi i ushtarëve në Zonën Operative të Llapit kur i informuat për ndërhyrjen e NATO-s?

Mustafa: Çdo ushtar i Zonës së Llapit që para vetes kishte marrë si mision çlirimin e vendit nga okupuesi serb, me ndërhyrjen e NATO-s, te ta vërehej një vullnet që tregonte luftën e drejtë të tyre, por njëkohësisht ishte edhe marrje e përgjegjësive në ndërrimin e strategjisë sonë ushtarake, duke qenë të vetëdijshëm se po hyjmë në një luftë totale si dhe duke qenë i bindur se armiku do të largohet nga Kosova. Ne paraprakisht kishim marrë masa edhe për ruajtjen e popullatës sa më shumë që ishte e mundur në përgjithësi në rajonin e Prishtinës, si dhe kujdesjen ndaj të gjitha të mirave në vendin tonë, duke pasur parasysh ruajtjen e strukturave ushtarake, për të përballuar sa më mirë gjendjen me të cilën po futeshim. Andaj duhet të jemi falënderues ndaj popullatës si dhe ndaj strukturave tona ushtarake, ku brenda mundësive kemi bërë më të mirën e mundshme.

Tribuna: Si e keni kaluar gjithë natën e 24 marsit…. a kishte ndonjë ndryshim nga netët tjera?

Mustafa: Nata e 24 marsit na gjeti duke i konsoliduar strukturat tona ushtarake. Ne ishim të vetëdijshëm në atë që po ndodhte, kështu që ishim duke përgatitur njësitet që të merreshin me punët civile ushtarake si ruajtjen e popullatës, krijimin e rrugës më të sigurt dhe më të lehtë për lëvizje. Gjithashtu ofrimin e sigurisë së mundshme për lëvizje që detyroheshim të bënim për ikje nga spastrimi, që kishte filluar në fshatrat e thella, gjithashtu organizimin e njësiteve për sanitet, kujdesje shëndetësore, si dhe ofrimin e gjërave të tjera të mundshme për jetesë.

Tribuna: A keni pasur ndonjë komunikim përmes Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së me NATO-n rreth këmbimit të informatave për vendndodhjen e forcave dhe makinerisë ushtarake serbe?

Mustafa: Po, natyrshëm vazhdonte bashkëpunimi me strukturat e NATO-s, që tashmë kishin filluar ardhjen si aleatët tanë. Ne ishim në shërbim nga e gjithë ajo që na kërkohej në atë kohë. Gjithashtu kemi bërë të pamundurën e mundshme për të saktësuar informatat e nevojshme.

Tribuna: Personalisht ju si e vlerësoni rolin e NATO-s në Kosovë?

Mustafa: Ushtria Çlirimtare e Kosovës me ndihmën e të gjithë popullatës vendore, gjeti mundësinë dhe edukatën e duhur gjatë kohës në okupim. Gjatë operacioneve që po zhvillonte Ushtria Çlirimtare e Kosovës në terren, krijoi mundësinë që të fitojë aleatët më të rëndësishëm dhe të qytetëruar në botë siç janë NATO, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe shumë shtete perëndimore, duke hapur kështu rrugë dhe mundësi për të zhvilluar rrugën e lirisë dhe perspektivës në vendin tonë. Ne duke fituar aleatët më të përparuar e të qytetëruar në botë, kemi për obligim që të vazhdojmë të ndërtojmë kapacitete shtetndërtuese në vendin tonë, duke krijuar kështu siguri për vete si dhe më gjerë, si dhe për t`i hapur rrugë zhvillimit, rendit dhe ligjit.
Andaj, gjithë këto të arritura të përbashkëta dhe gjithashtu shumë punë për të bërë së bashku, NATO duhet të ketë një rol të rëndësishëm në rrugën tonë të përbashkët drejt synimeve për ruajtjen e modelit të shtetit, si model i përbashkët modern e qytetërues që garanton zhvillim deri në integrimin e plotë euroatlantik.

Tribuna: Edhe sa kohë Kosova ka nevojë për praninë ndërkombëtare të NATO-s dhe kur mendoni se Kosova mund t’i ofrojë siguri të plotë ushtarake vetvetes?

Mustafa: Forcat e Sigurisë së Kosovës janë në konsolidim nga vetë NATO-ja, dhe të ndihmuar deri në detajet më të vogla me synimin që të garantojnë sigurinë e vendit dhe të prodhojnë siguri për rajonin. Për të gjitha këto, unë e shoh NATO-n me kompetencë dhe bashkëveprim në forcat e sigurisë së vendit si dhe të prodhojnë procedurat e nevojshme në kalimin e kompetencave rutinore nga NATO-ja në ato vendore, nën kujdesin permanent të NATO-s, vendeve perëndimore dhe SHBA-së. Ne e ndiejmë veten mirë dhe sigurt, duke qenë kështu, dëshirojmë që NATO-ja të jetë e pranishme në vendin tonë dhe në rajon edhe në vazhdimësi. Me rastin e kësaj nate (24 mars) të them më mirë “Nata e përkrahjes botërore për Kosovën” na obligon që ta trasojmë shoqërinë tonë krahas shoqërive tjera në botë, andaj jemi populli më me fat që kemi përkrahjen e ndërkombëtarëve për të ecur drejt integrimit në shtetet euroatlantike.

Më Shumë

Policia shqipton mbi 1 mijë e 960 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1960 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore janë evidentuar...

Historia e panjohur e deputetit rebel që Enver Hoxha e dënoi me vdekje! Anatemohej si aventurier sepse nuk martohej

Atij, pas vitit 1945, nuk i dhanë as punë shtetërore, as pension. I hoqën triskën e Frontit, triskën e ushqimeve, por ia doli të...

Lajmet e Fundit