Tetori brenda kujtesës sonë na rikthen në qëndresën studentore, atëherë kur individi përfaqësonte vullnetin e grupeve, e grupet brohoritnin interesat e Kosovës të viteve të 90-ta. Mirëpo, një rol kyç për protestat studentore të asaj kohe padyshim që kanë pasur edhe profesorët, të cilët në vijën e parë të frontit i qëndronin besnik kërkesave për Universitetin.
Një ndër emrat kryesorë që i dhuronin shtysë studentëve, ishte edhe akademiku Ejup Statovci. I shkolluar në Zagreb, Lubjanë, Kembrixh e Harvard, gjithë jetën ia dedikoj akademizmit dhe jetës universitare. Ai kishte marrë pjesë edhe në hartimin dhe komentimin e Kushtetutës së Kaçanikut. Ndërkaq, rezistenca e tij e shkëlqyeshme shfaqet më së miri në vitet përgjatë të cilave Universiteti i Prishtinës kishte kohën e saj më të rëndë.
Arsimimi shqip dhe liria universitare kanë burim te figura të mëdha përgjatë historisë, të cilët përmes aksioneve të veta kishin bërë një kthesë të madhe të gjendjes. Ejup Statovci e bëri këtë përmes punës së tij për institucionalizimin juridik të Universitetit, duke nxjerrë Dekretligjin mbi shkollimin e lartë dhe Statutin e Universitetit; duke e transformuar atë në një Universitet të kohës sipas përvojës evropiane dhe botërore, duke e afirmuar dhe pranuar atë brenda dhe jashtë si Institucion shtetëror.
Sot, qëndrueshmëria e themelit universitar iu atribuohet këtyre figurave, e një ndër ta padyshim edhe Statovci. Kontributi i tij i madh si rektor, u kurorëzua me një mirënjohje nga Universiteti i Prishtinës, më 15 shkurt 1999, atëherë sa akademiku ishte ende gjallë.
Ejup Statovci i mbylli sytë më 19 tetor të vitit 1999, për të mbetur një ndër arkitektët e Universitetit të Prishtinës./KultPlus.com