24.9 C
Prizren
E martë, 1 Korrik, 2025

Rasti “Burdushi”, eksperti financiar thotë që të hyrat nga “Western Unionin” nuk ishin në raportin final të ATK-së

Eksperti financiar, Ramadan Ferizi, ka thënë se raporti final i departamentit të hetimeve tatimore të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK),  ka përfshirë të hyrat e të akuzuarit nga “Money Gram”, ndërsa të hyrat nga  “Western Union” nuk ishin të përfshira, prandaj edhe kishte shkuar t’i konfirmonte.

Një deklarim të tillë, eksperti Ferizi e ka dhënë në seancën e së  martës, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit së të akuzuarit Hysri Peqani, avokatit Feim Alaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në fillim thash që eksperti ekspertizën e ka përpiluar në bazë të ligjit, departamenti i hetimeve tatimore të hyrat nga Western Union nuk i ka përfshi ndërsa nga Money Gram po, prandaj e kam vizituar Western Unionin e Money Gramin jo”, deklaroi eksperti Ferizi.

Në këtë rast i pandehuri Peqani po akuzohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje.

Paraprakisht në këtë seancë kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala mori aktvendim që ekspertiza e ekspertit financiar Ferizi të administrohet si provë materiale.

Në lidhje me ekspertizën prokurorja speciale Merita Bina Rugova deklaroi se nuk kishte vërejtje ndërsa avokati Alaj tha që kishte vërejtje dhe i njëjti kërkoi nga gjykata që eksperti Ferizi të dëgjohet në sallë.

Tutje duke u përgjigjet në pyetjet e avokatit Alaj, eksperti Ferizi deklaroi se kishte qenë i pajisur me të gjitha shkresat e lëndës nga ana e gjykatës dhe se gjatë hartimit të ekspertizës kishte pasur nevojë të kërkojë të dhëna shtesë nga disa banka si dhe institucione mikrofinanciare.

I njëjti deklaroi që tërë pasuesi të cilin e kishte cekur në ekspertizë ishte i bazuar nga raporti final hetues i departamentit të hetimeve tatimore.

Sipas ekspertit Ferizi “D.P.H Urimi” duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës figuron që përfaqësues i autorizuar dhe pronarë ishte i akuzuari Peqani.

Tutje i njëjti shtoi duke u bazuar në deklaratën e të akuzuarit Peqani që kishte dhënë në Prokurorinë Themelore në Prizren lokali “D.P.H Urimi”, ishte në oborrin e shtëpisë dhe ka shërbyer vetëm për pritjen e klientëve.

Eksperti Ferizi deklaroi që sa i përket tarifave të veprimtarisë së të akuzuarit ishte bazuar në procesverbalin ku i akuzuari Peqani kishte thënë se tarifat e tij për klientë kanë qenë dhjetë, njëzetë apo tridhjetë euro.

Më pas eksperti Ferizi deklaroi që blerjet i kishte nxjerr ai ku edhe kishte mbledhur  gjithçka mbi vlerën e te gjitha këtyre paluajtshmërive dhe të tjerave, blerjeve te automjeteve, lartësinë e kthimit te kredive, lartësinë e mjeteve të pranuar nga “Money Gram”  dhe mjetet e pranuara nga “Western Unioni”.

Sipas ekspertit Ferizi nga vizita e tij në “Western Union” deklaroi që kishte vërtetuar se në emër të akuzuarit Peqani ishin bërë rreth 161 transaksione.

“Kam marr shënimet e sakta se vetëm në emër te Hysri Peqanit duke filluar nga data 15.06 2015 e përfundimisht me datë 05.12.2018 në emër të Hysri Peqanit janë gjithsej 161 transaksione në shumën prej 145.076.36 euro”, deklaroi eksperti Ferizi.

Në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Kujtim Krasniqi, eksperti Ferizi deklaroi se i njëjti ia fal besimin raportit të ATK-së, sepse të njëjtit e kishin sqaruar qartë se nga fletorja e udhëhequr nga i akuzuari Peqani ka pasur hyrje nga “Money Gram” të cilat ishin dhuratë nga klientët.

Tutje eksperti theksoi se i akuzuari Peqani kishte bërë ankesë në divizionin e ankesave të ATK-së dhe pas shqyrtimit të saj nuk ishin ndryshuar konstatimet e raportit final të departamentit të hetimeve tatimore përveç disa shuma mbi qiranë.

Në vazhdim duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Alaj, eksperti Ferizi deklaroi që i kishte shikuar të gjitha shkresat disa herë dhe të njëjtat i ka analizuar dhe se kishte shumë shkresa që përveç nënshkrimeve me dorë kishte edhe nënshkrimi me gisht.

Tutje sa i përket kontratës për ndarjen familjare të pasurisë e cila gjendet në dosjen e shkresave të lëndës, eksperti Ferizi deklaroi që e kishte shkruar në ekspertizë pse nuk mund ta pranonte të njëjtën si kapital i cili rrjedh nga familja Peqani.

I pyetur nga avokati Alaj lidhur me vlerën e automjeteve në ekspertizë, se pse automjeti i njëjtë  kishte çmime të ndryshme, eksperti Ferizi deklaroi që vlerësimi i veturës ishte bërë në kohë të ndryshme dhe të njëjtës i kishte ndryshuar vlera.

Më pas eksperti Ferizi deklaroi që kishte bërë një gabim dhe se vlerës të veturave prej 500 e 80 mijë euro duhej të i zbritnin shumën 60 mijë euro.

Ndryshe, i pranishëm në këtë seancë ishte edhe përfaqësuesi i avokatit të popullit Mark Kaçinari.

Për shkak se trupi gjykues ishin të angazhuar në një rast tjetër pasdite seanca u shty ndërsa seancat e radhës priten të mbahen më 20 dhe 21 tetor.

Sipas aktakuzës, prej kohës së pavërtetuar, së paku nga koha e regjistrimit të biznesit privat ordinanca “Burdushi”, me aktivitetin primar “aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut, më 15 qershor 2005 deri më 26 korrik 2019, në Prizren, në selinë e këtij biznesi, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse , me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore ka dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti, të dëmtuarve ju ka kryer trajtime të improvizuara duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t’i paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20 euro deri në më shumë se 3 mijë euro, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 1 milion euro.

Për këto, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 262, paragrafi 1 i KPRK-së lidhur me veprën penale mashtrimi në vazhdimësi nga neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal.

Prokuroria Speciale e ngarkon të akuzuarin Peqani edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi që sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të policisë në shtëpinë e tij në Prizren, janë gjetur armë, pistoletë e tipit “Girsan” si dhe pushkë gjuetie e tipit “Super Campion”.

Prokuroria pretendon se “Burdushi”, me qëllim të fshehjes së pasurisë së fituar përmes aktiviteteve kriminale, duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar me arsyetimin se kështu i paguan këstet e kredive e më pas e ka kryer fshehjen e tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Për këto veprime ai akuzohet për veprën penale të shpëlarjes së parave nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 32 paragrafi 1 dhe 2 nën paragrafi 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit./BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Zafir Berisha prezanton iniciativën politike “Bashkimi Demokratik i Prizrenit” – gati për zgjedhjet lokale të 12 tetorit

Kryetari i Bashkimit Demokratik, Zafir Berisha, prezantoi zyrtarisht iniciativën qytetare politike “Bashkimi Demokratik i Prizrenit” (BDP), e cila do të garojë në zgjedhjet lokale...

Dy persona kapen me marihuanë në Fortesë të Rahovecit

Policia ka trajtuar një rast të posedimit të paautorizuar të narkotikëve në fshatin Fortesë të Rahovecit, ku dy persona janë kapur me substancë të...

Lajmet e Fundit