10.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Kryeziu: Shteti të krijojë mekanizma për zbatim të Kushtetutës në veri

Zbatimi i Kushtetutës së Kosovës vazhdon të jetë problem ne veri të Kosovës. Kështu thotë ish gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.

 

5Duke folur në një intervistë për Radio Kosovën, me rastin e shënimit të përvjetorit të Kushtetutës,  Kryeziu thotë se  Kushtetuta e Kosovës dallon nga të tjerat në rajon, sepse përfshin edhe të drejtat dhe liritë e pakicave në Kosovë.

Radio Kosova: Profesor Kryeziu, sot bëhen 15 vite nga miratimi i Kushtetutës së Kosovës. Ju keni qenë pjesë e Komisionit për Hartimin e Kushtetutës. A mund të ktheheni pak në kohë dhe të na flisni për rrjedhën e procesit të draftimit të kushtetutës?

Kadri Kryeziu: Para se të shpallet pavarësia e Kosovës, na është ofruar Pakoja e Ahtisarit, e cila nuk ka përshkruar specifikisht në asnjë moment shtetin e pavarur të Kosovës, por, konfiguracioni i pakos ka lënë për t’u nënkuptuar se Kosova do të jetë shtet i pavarur. Për ta bërë Kosovën shtet të pavarur, ishte i nevojshëm hartimi i Kushtetutës. Për këtë, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Fatmir Sejdiu, bëri dekretimin e 21 anëtarëve nga radhët e partive politike, profesionalistëve të fushës, minoriteteve, shoqërisë civile e kështu me radhë. Ky ka qenë një komision i përzier që ka punuar në hartimin e kapitujve të ndryshëm të Kushtetutës. Unë, si njëri nga anëtarët e dekretuar nga presidenti, kam pasur për detyrë të hartoj kapitullin e 11 të Kushtetutës që ka të bëjë me sigurinë e vendit – respektivisht me autoritetet e shtetit që e bëjnë sigurinë e vendit si: Forcat e Armatosura, Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Këshilli për Sigurinë Kombëtare dhe gjendja e jashtëzakonshme. Në këtë kontest, kemi punuar me komisione të ndryshme. Kjo ka zgjatur për disa muaj dhe në kuadër të kësaj janë bërë edhe disa debate me publikun. Kushtetuta bazamentin e ka në Pakon e Ahtisarit, që nënkupton se buron nga një marrëveshje ndërkombëtare dhe hyn në kuadër të kushtetutave të kushtëzuara dhe me element të huaj. Materia e kushtetutës i përshtatet shoqërisë sonë, zhvillimit politik, ekonomik, social e filozofik dhe konsideroj se është një nga kushtetutat më progresive në rajon e më gjerë.

Radio Kosova: Sipas jush, cilat janë përparësitë dhe të metat e Kushtetutës?

Kadri Kryeziu: Përparësitë kryesore të Kushtetutës së Kosovës qëndrojnë në atë se ky dokument ka karakter ta quajë kështu kushtetues evropiane, e cila garanton respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si vlera universale. Kushtetuta jonë dallon nga të tjerat në rajon, sepse për të drejtat dhe liritë e njeriut i ka dy kapituj. Kapitullin 2, ku përfshihen të drejtat dhe liritë universale të njeriut dhe Kapitullin 3, i cili përfshin të drejtat dhe liritë e pakicave ose minoriteteve në Kosovë. Ky është një avancim pozitiv për të drejtat dhe liritë  e pakicave që e kanë njohur Kosovën si shtet. Pastaj kjo kushtetutë është e avancuar për shkak se nuk i është kthyer historisë. Preambula e Kushtetutës së Kosovës është preambula më moderne e kushtetutave në rajon, sepse parasheh vetëm të ardhmen dhe parasheh një vizion të qartë për zhvillimin e Kosovës, respektivisht që Kosova të ketë orientim Evropën dhe integrimet euroatlantike. Këtë kushtetutë, e cila është e para e shtetit të lirë dhe të pavarur të Kosovës, unë e quaj kushtetuta e lirisë, sepse e njëjta ka ardhur si refleksion i sakrificave të jashtëzakonshme të popullit shqiptar gjatë gjithë historisë. Dhe, përfundimisht, me luftën çlirimtare të Kosovës u bë e mundur që të kemi një akt të tillë normativ – një rregullator të jetës në shoqëri, e cila ka pasur zbatueshmëri të mirë. Normalisht, probleme me zbatimin e Kushtetutës kemi pasur e vazhdojmë të kemi, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, ku pushteti shtetëror duhet të krijojë mekanizma që edhe ata ta njohin Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe vend të vetin.

Radio Kosova: Profesor, pas miratimit Kushtetuta është amendamentuar disa herë. A besoni se ka ardhur koha që Kushtetuta të pësojë ndryshime sërish?

Kadri Kryeziu: Aktet normative si kushtetuta, janë akte që njohin për momentin zhvillimin e shoqërisë por lënë hapësirë edhe për të ardhmen. Me ndryshimin e shoqërisë nevojiten edhe ndryshimet e Kushtetutës. Kushtetuta e Kosovës ka nevojë që të ndryshohet, për shkak se ndryshojnë edhe rrethanat shoqërore dhe zhvillimi i Kosovës. Problemet që i kemi ne për ndryshim të kushtetutës i kemi në parlament, sepse nuk mund të ketë asnjë ndryshim nëse nuk pajtohen edhe 2/3-at e minoriteteve. Parlamenti i Kosovës përbëhet nga 20 deputetë nga radhët e komuniteteve, ku 10 nga ta janë serbë. Pa votën e tyre, nuk mund të ndryshohet Kushtetuta e as disa nga ligjet vitale të përcaktuara me Kushtetutë. Në të ardhmen ndoshta, duhet të shikohen mundësitë për ndryshime në këtë drejtim, për shkak të votimit për ligjet organike. Pra, duhet shikuar rrethanat nëse ka mundësi të ndryshohet, pasi po paraqet problem. Vite më parë, për shembull, e kemi pasur problem çështjen e  ushtrisë së Kosovës. Meqë kjo është kategori kushtetuese, është dashur të forcohet roli dhe veprimtaria e ushtrisë nëpërmjet ligjit, në pamundësi të ndryshimeve kushtetuese, në kohën e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Radio Kosova: Profesor Kryeziu, Kosova dhe Serbia së fundmi kanë pranuar planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Nga ajo që keni parë për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, a janë të nevojshme ndryshimet kushtetuese?

Kadri Kryeziu: Jo, nuk janë të nevojshme ndryshimet. Kjo marrëveshje nuk është primare, por është marrëveshje për marrëveshje. Do me thënë kemi të bëjmë me marrëveshje për zbatimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të vitit 2013, e cila është e nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm. Pra, kjo marrëveshje është për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si rezultat, nëse këto marrëveshje zbatohen, atëherë si e mirë për Kosovën, pra si produkt nga këto marrëveshje, mund të jetë hyrja e Kosovës në Partneritetin për Paqe me NATO-n dhe njohja e pavarësisë nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin Kosovën.

Më Shumë

Universiteti “Ukshin Hoti” arrin marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Karamanoglu Mehmetbey nga Turqia

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren dhe Universiteti Karamano?lu Mehmetbey nga Turqia, sot kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi. Siç bëhet e ditur sipas njoftimit, marrëveshja është...

Ylli fiton duelin e parë gjysmëfinal në ‘Karagaçi’

Golden Eagle Ylli ka fituar duelin e parë gjysmëfinal, duke mundur Pejën si mysafir me rezultat 84:87 (22:23, 19:19, 30:15, 13:30). Kampionët kishin epërsi deri...

Lajmet e Fundit