Mbrojtësi i të akuzuarit Haxhi Selmanaj, avokati Esat Gutaj ka kërkuar nga trupi gjykues që klientit të tij t’i bëhet sërish ekspertiza psikiatrike për gjendjen e shëndetit mendor, por që ky propozim u refuzua nga gjykata.
Këtë propozim avokati Gutaj e bëri me arsyetimin se i mbrojturi i tij ka ngecje në zhvillimin mendor dhe se kjo ishte vërtetuar edhe nga forenzika psikiatrike që i ishte bërë më parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Selmanaj që po akuzohet se më 2020 në lagjen Tusuz të Prizrenit e kishte therur për vdekje me thikë të ndjerin E.K.
Ky propozim u kundërshtua nga prokurori Mehdi Sefa, me arsyetimin se një ekzaminim i tillë i ishte bërë edhe më parë, dhe se i akuzuari nga forenzika e psikiatris kishte rezultuar se kishte një logjike të shëndoshë dhe se ai gjithashtu ka qenë i aftë që të marrë pjesë në të gjitha shqyrtimet gjyqësore.
Gjatë kësaj seance u administruan edhe prova të tjera të cilat ishin të propozuara nga avokati Gutaj, prova të cilat ishin SMS-të të shkëmbyera në mes të akuzuarit dhe në mes të dëshmitarit Zeqir Kryeziu dhe vëllait të të ndjerit E.K.
SMS-të të cilat ishin shkëmbyer në mes të akuzuarit Selmanaj dhe dëshmitarit Kryeziu ishin bërë disa ditë para ditës kritike dhe se avokati Gutaj pretendon që këto biseda do ta ndihmonin mbrojtjen në zbulimin e motivit të kryerjes së veprës penale.
Seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar në një datë tjetër me kërkesën e avokatit Gutaj, i cili tha se i duhej kohë që të përgatitej sa i përket administrimit të provave të tjera.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 15 korrik 2020, Haxhi Selmanaj akuzohet se më 26 janar 2020, në rrugën “Xhevat Berisha” në Prizren, ka privuar nga jeta tani të ndjerin E.K., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje, fillimisht ka ardhur deri te konflikti fizik në mes të akuzuarit dhe dëshmitarit Z.K, vëllai i të ndjerit.
Në aktakuzë thuhet se tani i ndjeri ka qenë në market dhe kishte vërejtur se vëllai i tij ishte përfshirë në një konflikt me të akuzuarin, ku kishte dalë dhe ishte nisur në drejtim të të akuzuarit dhe në një moment i akuzuari e kishte nxjerrë thikën të cilën e ka pasur me vete dhe e kishte goditur tani të ndjerin në pjesën anësore të gjoksit, në afërsi të zemrës dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes, duke i shkaktuar vdekjen viktimës E.K.
Me këto veprime, Haxhi Selmanaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje”.
Ndërsa, sipas pikës së dytë të aktakuzës, i pandehuri akuzohet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë, pa leje valide nga organi i autorizuar shtetëror, mban në pronësi, kontroll ose posedim armën e ftohtë, në kundërshtim me ligjin për armët dhe atë një brisk hapës me dorezë “ngjyrë ushtarake”, i cili është sekuestruar nga ana e policisë.
Me këtë veprim, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi