Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Fondacioni “Lumbardhi”, kushtuar Kino Lumbardhit në Prizren, e titulluar “Edhe një herë deri herën tjetër”.
Me rastin e mbylljes së përkohshme të ndërtesës së kinemasë për shkak të restaurimit, kryeministri Kurti ka përkujtuar se si Kino Lumbardhi në vitin 2002 është bërë shtëpia e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”.
Kurti, sipas njoftimit, ka theksuar se ky institucion është monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore, që do të vazhdojë veprimtarinë edhe në dekadat e ardhshme.
“Rrugëtimi i Kinemasë Lumbardhi, nga themelimi e deri më sot, përfshin ngjarje dhe përjetime të rëndësishme: Nga një simbol i reformës shoqërore dhe kulturore në mesin e viteve ’50, në vendtakimin dhe shënjuesin e kujtesës kolektive; deri te triumfi i aktivizmit qytetar dhe i vlerave kulturore e shoqërore, kur u shpall aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore dhe ruajti karakterin publik e kulturor”, ka thënë Kurti, raporton Telegrafi.
Duke e ndërlidhur me emrin e lumit i cili kalon nëpër qytetin e Prizrenit, kryeministri Kurti ka pohuar se ngjashëm edhe kinemaja Lumbardhi ka dokumentuar jetën e qytetit, pra rrjedhën e ujit që i jep jetë qytetit dhe ngjarjet kulturore, të cilat tash e 73 vite e kanë gjallëruar qytetin, e së bashku me to edhe me festivalet si Zambaku i Prizrenit dhe DokuFest, të cilat mbledhin miliona shikues që janë inspiruar në këto ambiente.
“Mes për mes qytetit të Prizrenit rrjedhë një lum i bukur, i cili bënë zë sikur një shirit filmik gjatë projeksionit në një kinema të vjetër. Kjo ndërlidhje zanore me këtë lum mund të jetë njëra prej arsyeve nga e ka huazuar kinemaja Lumbardhi emrin e tij”, është shprehur ai.
Sipas tij, kjo kinema është edhe simbol i aktivizmit qytetar.
“Vendimi për rrënimin e kinemasë, i miratuar nga Komuna në vitin 2007, nxiti aktivizmin qytetar: përmes iniciativës së organizatave DokuFest dhe EC Ma Ndryshe, me ç’rast u mblodhën 8 mijë nënshkrime për të ndalur rrënimin. Një tjetër moment kyç ishte riangazhimi në vitin 2014, kur iniciativa përfshiu 57 organizata joqeveritare nga mbarë Kosova, të cilat u bashkuan për të ndalur procesin e privatizimit. Kjo bëri të mundur shpalljen e Kinema “Lumbardhi” si aset i trashëgimisë kulturore, dhe themelimin e fondacionit “Lumbardhi” – një entitet që synon rijetësimin e kinemasë si institucion i pavarur kulturor, duke ruajtur vlerat e trashëgimisë, por edhe duke zhvilluar një vizion të qartë që lidh si kohërat, ashtu edhe brezat”, ka deklaruar Kurti.
Në këtë program përmbyllës, Kurti ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata të cilët kanë kontribuuar dhe janë angazhuar që kjo kinema të jetë pikë gravitimi për kulturën dhe qytetin dhe një vend frymëzimi për gjeneratat e ardhshme. Në të njëjtën kohë ka shtuar se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që vit pas viti të rrisë mbështetjen për artin dhe trashëgiminë kulturore – si një nga shtyllat e zhvillimit kulturor, shoqëror dhe ekonomik të vendit.