27.2 C
Prizren
E premte, 13 Qershor, 2025

Gazetari i NYT: Po flisnim me Adem Jasharin por nuk e kuptuam deri më vonë se ishte ai

Trupa të vrarë e të masakruar… Nëna me fëmijë duke kaluar kufirin, pa ushqim, pa strehë…

Imazhet e mëngjesit të 26 shtatorit të vitit 1998 në fshatin Abri të Poshtme e ndjekin kudo Wade Goddard – dikur fotoreporter i luftës.

Teksa një djalë po shikonte familjarët e vrarë, Wade Goddard u afrua dhe vendosi edhe vetë “duart në kokë”. Përmes objektivit të tij, u dokumentuan mizoritë që ndodhën në Kosovë.

Sot, këto fotografi janë dëshmi të gjalla të një historie të përgjakshme.

Ai raportoi për luftën e viteve 1998/99 në New York Times e më pas në Newsweek.

“E para që më vjen në mendje është masakra në Abri të Poshtme. Ishte aq shkatërruese saqë nuk mundesha të bëja atë që duhet, pra të bëja fotografi me fokus. U ula pranë një banori lokal dhe vendosa duart në kokë duke u menduar se kush mund të bënte një gjë të tillë. Duhet të bëja një përpjekje të madhe që të ngrihesha dhe të bëja disa foto sepse e dija sa e rëndësishme ishte të dokumentoja ngjarjet. Normalisht kur punon me një foto, përqendrohesh në imazh, por atëherë isha duke bërë thjesht fotografi të shpejta dhe nuk mundesha të përqendrohesha mirë. Kjo ishte më e vështira. Më dhembte shumë kur shihja nënat me fëmijë që kalonin kufijtë, pa ushqim, pa strehë, pa kujdes”, rrëfen Goddard për KosovaPress.

Në shkurt të vitit 1998, ai erdhi në Kosovë bashkë me gazetarin Chris Hedges.

Goddard kujton edhe takimin me komandantin legjendar, Adem Jashari.

“Nuk e kuptuam deri më vonë se në fakt ishte Adem Jashari me të cilin po flisnim. Kishim përkthyes, por nuk më kujtohet se kush ishte. Chris, gazetari i New York Times, bëri një intervistë me Adem Jasharin dhe ai nuk donte të fotografohej, gjë që ishte e pakëndshme për mua. Por në fund, arrita ta bindja që të paktën të fotografoja trupën e tij të sigurisë, dhe e bëra. Për mua, ishin vetëm disa sekonda pune pas gjithë asaj dite udhëtimi, por për Chrisin ishte shumë e vlefshme”, rrëfen mes tjerash Goddard.

Kur kujton Kosovën, në mendje thotë se ka fëmijët e vrarë dhe imazhet e popullatës së përvuajtur.

“Lufta ishte e gjatë dhe pati shumë ngjarje shokuese. Varrosjet masive të kosovarëve të masakruar mbeten të paharrueshme. Gjetja e fëmijëve të vrarë në pyjet përreth, si në Abri e Poshtme ishte shumë tronditëse. 25 anëtarë të familjes u vranë dhe mund të shihje se ata fshiheshin në pyll rreth fshatit dhe u ndiqnin nga vrasës që i qëllonin derisa përpiqeshin të arratiseshin nën gjethet dhe barin. Ishte vërtet e tronditëse. Kishte fëmijë, madje edhe një foshnjë ishte qëlluar, dhe shumica e fëmijëve ishin nën 11 apo 12 vjeç. Kjo ishte veçanërisht shokuese. Lufta në përgjithësi ishte tronditëse”, thotë ai.

Gjatë bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe, fotoreporteri i luftës thotë se pa me mijëra refugjatë duke u shpërngulur në drejtim të Shqipërisë e Maqedonisë.

Fotoreporteri me prejardhje nga Zelanda e Re u largua nga Kosova në fund të marsit 1999 dhe u zhvendos përtej kufijve, ku më pas dokumentoi edhe shpërnguljet masive.

Festën dhe kthimin e shqiptarëve në shtëpitë e tyre, tashmë të rrënuara, ai i dokumentoi përmes fotografive.

“Më kujtohet gëzimi në rrugët e Kosovës, njerëzit që lëviznin lirshëm, duke valëvitur flamuj dhe duke ndezur boritë e makinave. Kam fotografi nga ajo festë”, përfundon ai.

Njëzet e gjashtë vjet më parë, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë, trupat e NATO-s hynë në Kosovë duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare.

Në luftën e viteve 1998/99, u vranë mbi 13 mijë civilë shqiptarë, u dhunuan seksualisht rreth 20 mijë gra e burra, ndërkaq të pagjetur janë mbi 1600 persona.

Marketing

Më Shumë

Lidhja e Prizrenit, Haradinaj: Ngjarje historike që shënoi kthesë në rrugën e gjatë për liri

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në përvjetorin e 147-të të Lidhjes së Prizrenit, shprehet mirënjohës për shqiptarët që u bashkuan për të mbrojtur tokat...

Katër ditë pa ujë në lagjen “Arbanë” të Prizrenit – “Hidroregjioni Jugor” në kërkim të defektit në rrjet

Banorët e lagjes "Arbanë" në Prizren po përballen me mungesë uji prej katër ditësh, si pasojë e një defekti të paidentifikuar në gypin furnizues...

Lajmet e Fundit