Profesori, gazetari dhe studiuesi i palodhur në fushën e medias ka thënë se nuk ishte e lehtë ta finalizonte këtë projekt jetësor, por as e pamundur.“Pas dekadash pune në terren, pas fitimit të katër çmimeve kombëtare për gazetari hulumtuese, ndjeva përgjegjësinë që kjo përvojë të mos mbetej vetëm kujtim personal, por të shndërrohej në një udhërrëfyes praktik dhe frymëzues për brezat e rinj të gazetarëve, për ata që duan të sfidojnë realitetin, të kërkojnë të vërtetën dhe të mbrojnë interesin publik, edhe në rrethana të ndërlikuara e shpeshherë të rrezikshme. Ky libër është rezultat i përkushtimit tim ndaj misionit të gazetarisë hulumtuese, ndaj profesionit që nuk njeh kompromis me të pavërtetën. Kam dashur që përmes tij të përcjell një mesazh të qartë për studentët, kolegët, studiuesit, redaktorët dhe pronarët e mediave se gazetaria hulumtuese është themeli i demokracisë dhe zëri i ndërgjegjes publike”, ka shkruar Sabedini në parathënien e librit.

Profesori, autor i katër librave universitarë, të gjithë me tematikë nga fusha e medias, ka theksuar se ky libër është ndër të parët në hapësirën shqiptare që trajton me pedantëri dhe përkushtim shkencor e praktik rolin, misionin dhe dimensionet e gazetarisë hulumtuese, duke bashkuar përvojën e terrenit me reflektimin akademik.
“Libri nuk është vetëm një manual, por një udhëtim përmes përvojave reale, sfidave, rreziqeve dhe dilemave etike me të cilat përballet çdo gazetar në kërkim të së vërtetës. Përvoja ime profesionale, çmimet e fituara, kërcënimet me vdekje të evidentuara në mbi 35 raste për temat hulumtuese që kam trajtuar, si dhe presionet e përjetuara për vite me radhë, janë bërë bazë e fortë për përmbajtjen e këtij libri. Ai përfshin analiza konkrete, përkufizime teorike, udhëzime metodologjike dhe shembuj praktikë që ndihmojnë studentët dhe profesionistët të kuptojnë më thellë thelbin e gazetarisë hulumtuese. Libri është ndërtuar mbi një arkiv të pasur prej dekadash pune, i pasuruar me përvojën time akademike si ligjërues në Kolegjin UBT, ku për vite kam pasur fatin të ndaj dije dhe përvojë me studentët e gazetarisë. Ky rrugëtim është forcuar më tej përmes pjesëmarrjes në 14 konferenca ndërkombëtare dhe përmes punës kërkimore që më ka mundësuar të bashkoj praktikën me reflektimin shkencor”, ka nënvizuar, pos tjerash, profesor Sabedini.
Recensenti i librit, Safet Zejnullahu, ka thënë se libri i Musa Sabedinit “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale” vjen në një kohë kur themelet e gazetarisë po lëkunden ndjeshëm nga ndikimi i teknologjisë.
“Gazetaria tradicionale, në kohën kur u hodhën themelet e asaj që e njohim edhe sot si gazetaria hulumtuese, ishte krejt tjetër nga gazetaria e ditëve të sotme. Mundësitë ishin shumë më të vogla, por profesionalizmi ishte në një shkallë shumë më të lartë. Gazetaria e sotme e internetit, nga ana tjetër, ofron mundësi shumëfish më të mëdha. Por, në të, gazetaria hulumtuese sikur ka humbur, është mundur nga shumësia e temave të trajtuara përciptazi, e ndikuar nga nevoja për shpejtësi në publikim, duke hedhur faktet nga dita në ditë, në vend të shterimit të tyre gjatë hulumtimit dhe publikimit të plotë”, ka thënë Zejnullahu.
Ai ka shkruar se në një libër voluminoz, autori Sabedini me të drejtë e ka ndarë materien në tri pjesë.
“Në pjesën e parë, autori i kushton kujdes kryesisht misionit, rreziqeve dhe sfidave, të përcjella me shembuj konkretë të rasteve më të njohura të suksesit të gazetarisë hulumtuese, në rang ndërkombëtar dhe vendor. Pjesa e dytë e librit trajton ndikimin e gazetarisë së internetit në gazetarinë hulumtuese, një fushë që ka sjellë shumë fenomene të reja në atë që njihet si kulmi i gazetarisë së suksesshme. Në pjesën e fundit, autori trajton teknikat moderne të raportimit hulumtues në mediat e kohës së internetit. Një pjesë e veçantë e librit janë 101 pyetjet apo udhëzimet për gazetarinë hulumtuese, të cilat autori i ka nxjerrë duke u bazuar në literaturën përkatëse dhe në raste konkrete, dhe që kanë të bëjnë me dimensionin profesional, etik, ligjor dhe logjistik të të bërit gazetari hulumtuese. Me shumësinë e shembujve konkretë të analizuar, me analizën e kornizave ligjore dhe dilemave etike, si dhe me sugjerimet se si t’i dilet gazetarisë hulumtuese në kohën e internetit, ky libër është një burim i padiskutueshëm për hulumtuesit dhe studiuesit e medias” ka vlerësuar profesor Zejnullahu.
Libri, sipas tij, do t’u shërbejë studentëve të gazetarisë si një burim shumë i mirë për të mësuar bazat e gazetarisë hulumtuese, sidomos në një kohë sfiduese për gjithë gazetarinë, të ndikuar nga ndryshimet e imponuara nga përparimet tepër të shpejta teknologjike.
“Ky libër, sikurse edhe të gjitha hulumtimet rreth gazetarisë hulumtuese, do t’u shërbejë të gjithë profesionistëve si thirrje për t’u marrë me gazetarinë hulumtuese në një nivel sa më profesional. Për ta trajtuar atë si kurorën e gjithë përmbajtjes gazetareske. E kaluara e saj na bind se vetëm ata që janë marrë me gazetari të njëmendtë hulumtuese mbahen në mend; të tjerët janë shkrues lajmesh. Dhe, përfundimisht, duhet ta kemi të qartë se nuk ka media as gazetari profesionale pa artikuj hulumtues, pa gazetari hulumtuese. Ajo ka qenë, është dhe do të mbetet shtylla e gazetarisë, në çdo kohë dhe formë”, ka shkruar Zejnullahu.
Ndryshe, në parathënien e librit është dhënë edhe struktura e tij, e cila përbëhet nga tre kapituj kryesorë, secili me tematikë dhe thellësi të veçantë.

Kapitulli i parë trajton përkufizimet, misionin, rreziqet dhe sfidat e gazetarisë hulumtuese. Ai përfshin reflektime mbi etikën, moralin, neutralitetin dhe pavarësinë e gazetarit hetues, si dhe analizon raste konkrete të aferave më të njohura ndërkombëtare dhe vendore, duke nxjerrë mësime për qasjen profesionale dhe njerëzore që kërkon ky profesion.
Kapitulli i dytë fokusohet në epokën digjitale dhe ndikimin e saj në gazetarinë hulumtuese. Diskutohet transformimi i profesionit në epokën e teknologjisë, kufijtë e rinj të raportimit, roli i insajderëve, sfidat etike dhe rreziqet që paraqet mungesa e mbrojtjes ligjore për gazetarët.
Kapitulli i tretë ndalet te teknikat moderne të raportimit hulumtues në mediat online, roli i multimedias, inteligjencës artificiale dhe mediave sociale në ndërtimin e gazetarisë bashkëkohore. Ai analizon gjithashtu aspektet ligjore dhe etike të përdorimit të kamerave të fshehta dhe raportimit digjital, duke sjellë një panoramë të plotë të evolucionit të gazetarisë hulumtuese në kohën moderne.
Profesor Sabedini ka theksuar në parathënie se e veçanta dhe më e rëndësishmja e librit mbeten 101 pyetjet dhe 101 udhëzimet, të hartuara me zemër, duke e ditur se sa i vështirë mund të jetë një hulumtim fillestar për një gazetar të ri, por edhe sa të vlefshme janë ato për gazetarët me përvojë, redaktorët përgjegjës dhe profesorët universitarë.
“Këto pyetje nuk pasqyrojnë vetëm dilemën profesionale të një gazetari hulumtues, por edhe dimensionet etike, ligjore, psikologjike dhe logjistike të procesit hulumtues. Ato synojnë të shërbejnë si një ‘udhërrëfyes etik dhe praktik’ për çdo gazetar hulumtues, veçanërisht për studentët e gazetarisë në të gjitha nivelet e studimit. Këto pyetje dhe këshilla janë personale, origjinale dhe burimore. Ato burojnë nga koncepti im profesional dhe nga rruga e gjatë, me shumë sfida dhe sakrifica, që kam kaluar si gazetar hulumtues në Kosovë dhe më gjerë”, ka potencuar Sabedini.
Ai ka falënderuar rektorin e UBT-së, Edmond Hajrizi, për besimin, mbështetjen dhe përkushtimin ndaj zhvillimit akademik dhe profesional.
Sipas Sabedinit, ky libër është më shumë se një botim profesional, është një rrëfim i përvojës, pasionit dhe përkushtimit ndaj gazetarisë si mision jetësor.
“Libri ka ardhur si rezultat i njohjes së thellë dhe përjetimit shpirtëror të botës digjitale dhe online, që sjell rreziqe sa delikate e sfiduese, aq edhe të shpejta dhe dobiprurëse për botën bashkëkohore. Është një ftesë për të gjithë ata që besojnë se e vërteta meriton të zbulohet, pavarësisht pengesave dhe rreziqeve që ajo sjell”, ka vlerësuar ai.
Ndryshe, Musa Sabedini, si gazetar hulumtues dhe profesor universitar, është autor i mbi 14 punimeve shkencore, të mbrojtura dhe prezantuara ndër vite në konferenca ndërkombëtare të UBT-së.

Ai ka të botuara punime studimore në revista amerikane dhe në SCOPUS, ndërsa që nga viti 2011 është ligjërues në Degën e Medias dhe Komunikimit në UBT, ku ligjëron katër lëndë kryesore mbi gazetarinë dhe etikën mediatike.
Profesor Sabedini është tash e 14 vjet anëtar i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ndërsa po aq vite drejton edhe një portal online.
Për kontributin e tij profesional, profesor Musa Sabedini është vlerësuar me katër çmime në kategorinë e gazetarisë hulumtuese në Kosovë, në vitet 2003, 2006, 2007 dhe 2008, nga juri të ndryshme profesionale.
Libri ka 718 faqe, ndërsa botues është Kolegji